Imzot Dodë Gjergji: Dioqeza e re Prizren-Prishtinë, gjest dashurie i Papa Françekut për Kishën në Kosovë

Sep 7 • Kisha në Kosovë

Fort të dashur meshtarë,

motra të nderit, seminaristë,

besimtarë të dioqezave të ndryshme, miq dhe dashamirë!

 

Kam nderin që bashkë me bashkëpunëtorët e mi dhe me argjipeshkvin e sotëm të Tivarit, ish famullitar i Prishtinës, Imzot Rrok Gjonlleshaj, të falënderoj Zotin për të gjithë të mirat që po ja jep kishës së tij. Atë që të parët tanë e kanë dëshiruar, nëpërmjet vuajtjeve të tyre, ne sot, dita-ditës, po i gëzojmë. Shpresoj shumë që të jemi në nivelin e mirënjohjes, vetëdijes dhe të rritjes sonë shpirtërore, për të gjitha këto dhurata që Zoti po na jep. E dhuratat janë të shumta. Dhurata më e madhe, që Zoti na e ka dhënë, është feja jonë. Kjo fe e ka ruajtur kombin tonë shqiptar me aq shumë vuajtje e sakrificë. E na i ka dhanë Nënë Terezën. Me Nënë Terezën Zoti i ka shpërblye të gjitha vuajtjet tona – i ka shpërblye vuajtjet e shekujve të të parëve tanë. E ka shpërblye sakrificën e secilit, sepse na ka dhanë një dritë të vetën, pasi Ai e thirrte Nënë Terezën, eja bëhu drita ime. E ajo dritë ka ardhur nëpërmjet shenjtërimit të saj dhe kësaj katedrale në popullin tonë. Është rikthye te ne për t’u bërë rreze e kësaj drite, që çdo zemër e errësuar në këtë vend të mund të zhduk errësirën e vet e të hyj në dritën e paqes, në dritën e pajtimit, në dritën e përvujtërisë, dritën e dashurisë, dritën e gëzimit, në dritën që i shuan trishtimet e zemrës, në dritën që di të pranoj padrejtësitë e njeriut, në dritën që di të jap prej vetvetes gjithçka ka.

Prandaj, unë dëshiroj në emër tuaj të falënderoj Delegatin Apostolik të Atit të Shenjtë për Kosovë, i cili tash shtatë vjet, si një ndër ne, si një shqiptar, u kujdes që të na përfaqësojë përpara Papës. Të paraqet nevojat tona, kërkesat tona, fenë tonë, e t’i thotë Papës sa e bukur është kjo Kishë, se si dinë të gëzohet kjo Kishë, si di të këndoj kjo Kishë (e drejton shikimin kah Kori i Katedrales).

Delegati Apostolik Mons. Juliusz Janusz, mua po më gritë në nivelin e ipeshkvit të Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, kurse vet po shkon në pension. Ne, sot dëshirojmë ta falënderojmë me gjithë zemër për gjithë punën që e ka bërë e t’i sigurojmë se në këtë Katedrale do të mbetet në kujtimin e lutjeve tona.

Duke qenë se ju shkëlqesi do të jeni në detyrë deri në fund të shtatorit, dëshiroj që t’i përcillni falënderimet e përzemërta Atit të Shenjtë për këtë gjest dashurie që e ka bërë për Kosovën dhe për Kishën e saj, për mua personalisht, dhe ju lus që t’i thoni Atit të Shenjtë Papa Françeskut, Sekretarit të Shenjtit Kardinalit Pietro Parolin dhe të gjithëve në Vatikan, që kjo dashuri e tyre është dashuri për Kishën e Shën Palit, kjo është një dashuri dhe mirënjohje për Gjergj Kastriotin, për Bogdanin, ipeshkvin e fundit në Prishtinë, për ata njerëz nga të gjitha pjesët e botës që kanë dhanë kontribut për të ndërtuar këtë shenjtërore, për gjithë këta njerëz këtu, për besimtarët e gjithë Kosovës, për popullin e Kosovës, institucionet dhe shtetin e Kosovës, për ne meshtarëve që punojmë me zell në këtë Kishë, bashkë me murgeshat dhe për punën e përvujtë timen gjatë shërbimit tim meshtarak dhe ipeshkvor, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Shkëlqesi e nderuar, ne nuk kemi çka të japim me vete, por mund të na merresh të gjithëve në zemrën tënde dhe të na kujtosh gjithnjë në lutjet tua. Faleminderit./drita.info

(Fjalimi i ipeshkvit Imzot Dodë Gjergji, pas shpalljes së Delegatit Apostolik për Kosovës, Mons. Juliusz Janusz, se Papa Françesku e ka lartësuar Kishën Katolike në Kosovë në Dioqezë të re me emër Prizren-Prishtinë. Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë, 5 shtator 2018. Fjalimi është transkriptuar dhe titulluar nga redaksia e Revistës Dritës)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »