Nënë Tereza është fryt i krishterimit apostolik dhe i traditës familjare shqiptare

Sep 7 • Kisha në Kosovë

Nga Mons.  Juliusz Janusz, Delegat Apostolik për Kosovë

 

 

Shkëlqesi e dashur Imzot Dodë,

të nderuar meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare,

besimtarë të dashur!

“Congregavit nos in unum Christi amor.” (shq. Jemi të bashkuar në një dashuri të Krishtit). Me këtë klithje përshëndeteshin të krishterët në fillim të Kishës së Jezu Krishtit. Dhe nuk mund të jetë ndjenjë tjetër që na bashkon këtu në Prishtinë, në këtë bazilikë të mrekullueshme kushtuar Shën Nënës Tereze të Kalkutës, tempulli i Zotit që kam pasur hirin ta shuguroj vitin e kaluar, së bashku me ipeshkvin tuaj Imzot Dodën, me shumë të përndriturin kardinalin Ernest Simonin, shumë ipeshkvij dhe meshtarë dhe me pjesëmarrje të madhe të popullit besimtarë. Ishte një çast i lavdisë dhe suksesit  të gjithë juve, që e keni ndërtuar këtë bazilikë me bujarinë tuaj, me zemra tuaja. Dhe as që mund të jetë ndryshe, pasi që Shën Nëna Tereze ka qenë themeluese e Kongregatës së Misionareve të Dashurisë në Kalkutë, në vitin 1950.

Jeta dhe veprat e Nënës Tereze kanë dy burime që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë Kishë dhe botës: tradita dhe përvoja familjare dhe famullitare dhe kombëtare shqiptare, e cila mbështetet në këtë parime domethënëse: “Bukë, kripë dhe zemër” si dhe “Shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit”; krishterimi martir që nga koha apostolike, përvoja e fesë së krishterë në rrethin familjar, porosia e Jezu Krishtit: Çka keni bërë për njërin ndër më të vogël prej vëllezërve të mi, ma keni bërë mua (khs. Mt 25, 40), për Zotin Dashuri dhe vëllain apo motrën njeri.

Pesë shtatori mbetet jo vetëm në historinë e Kosovës, por të mbarë botës, dita e shenjtërimit të Nënës Tereze, domethënë njohja e virtyteve të saja, vuajtjes, fesë dhe dashurisë së paskajshme, shembull për ta vazhduar pa kurrfarë frike se do të gabojmë. Kemi shenjtër që janë dalluar për njohjen e teologjisë, për mbrojtjen e fesë, për martirizim. Nëna Tereze ka dëshmuar që dashuria është e vështirë si martirizimi, të jetosh me më të braktisurit e botës, pa dallim race dhe feje, janë vepra heroike të krahasueshme me martirizim. Ky lloj martirizimi i përditshëm, i përcjell me periudha të errëta shpirtërore, që ka përjetuar Nëna Tereze, pa folur atëherë, por shumë vite më vonë. Këtu është madhëria e kësaj Gruaje të vogël që, kur e mori Shpërblimin Nobel për Paqe, në vend që ta falënderonte jurinë, i ka kritikuar për dyfytyrësi me shpalljen e të drejtave të njeriut, dhe njëkohësisht promovojnë abortin – dështimin, eutanazinë, liberalizmin, teoritë gender, përhapjen e drogës. Ajo i thoshte Komitetit Nobel: Mos i mbytni fëmijë e pafajshëm, mi jepni mua dhe unë do ta gjej mënyrën për t’i rritur dhe edukuar që të jenë të lumtur. Mendoj që ai Komitet Nobel për Paqe kishte pasur aq frikë që t’ia jepte këtë Shpërblim Papë Gjon Palit II, i cili e ka mund komunizmin, ka dhënë një kontribut të madh për lirinë e Europës Lindore, për liri dhe dinjitet. Edhe ju jeni fryti i këtij guximi të Papës Gjon Pali II, që së bashku me Presidentin Rugova, ka krijuar themelet e ekzistencës tuaj. Të gjithë e dimë si Nëna Tereze vepronte në harmoni me Shenjtit Atë Papë Wojtyla. Vetëm ata dy kuptonin dashurinë e vërtetë dhe ndjenjën e mirësisë. Ata ishin protagonistë të Mëshirës Hyjnore, të frymëzuar edhe nga përvoja e motrës Faustina. Jam shumë krenar që më ka shuguruar meshtar Karol Wojtyla, Papa i ardhshëm në vitin 1967, dhe që kam qenë për 7 vite përfaqësues i Papës në Kosovë. Tash e lë shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjte dhe kthehem në Poloni për të shijuar pak lirinë e të pensionuarit, por edhe për ta vazhduar misionin tim meshtarak dhe të Pasardhësit të Apostujve si ipeshkëv. Mes shumë përvojave në shërbimin diplomatik për 45 vite, misionin tim në Kosovë e konsideroj si një ndër më të bukurin dhe të suksesshmin.

Kana kaluar 90 vite  prej vendimit të Nënës Tereze për t’iu kushtuar tërësisht Krishtit dhe për ta ndjekur rrugën e tij të mundimit. Nëse jeta e Kishës në Kosovë, si dhe e mërgimtarëve tuaj është aq e pasur me fe dhe dashuri, merita është e kësaj Nënë të Popullit shqiptar, që i ka mposhtur kufijtë e urrejtjes, ndarjeve etnike dhe ideologjive të gabuara dhe në kundërshtim me natyrën e njeriut. Më duket që është mjaft e qëlluar të citoj mësimin e teologut më të madh të ditëve tona, Papës në dorëheqje Benedikti XVI, në një botim me titull “Lirimi i Lirisë” që përmbledh mendimet e Papës Ratzinger në periudha të ndryshme të jetë së tij. Po e citoj këtë konstatim: “Identifikimi  i ndërgjegjes me vetëdijen e reduktimit të njeriut në subjektivitet, nuk e liron atë aspak, por e bënë atë të robëruar, që domethënë mohim i së vërtetës; ajo sundohet prej mendimeve sunduese dhe cilat i bënë dita – ditë më të ulëta. Kush e barazon ndërgjegjen me bindje sipërfaqësore, siguri pseudo – racionaliste, për ta arsyetuar vetvete, krijon konformizmin, përtacinë, duke shkretuar jetën” (f. 95).

Dhe ja, drama e vërtetë e shoqërisë së sotme që e mohon të vërtetën për të qenë të lirë dhe për të relativizuar çdo gjë, sepse duke e mohuar Zotin, ne mundohemi ta marrim vendin e tij. Pasojat e shoqërisë pa Zot i shohim me qartësi. Në vend që të jemi më njerëzor, bëhemi më të egër, të dhunshëm dhe pa ndonjë drejtim.

Si përfundim ua lë porosinë e Papës Françeskut në Meshën e shenjtërimit: “Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë e më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”,

Paraqitja ime do të ishte e mangët mos të theksoja si Nëna Tereze ecte hapave të Nënës së Hyjit, Virgjërës Mari. Ajo ka dashur ta zbatoi atë që Maria ka kënduar në “Shpirti im e madhëron Zotin”. Grua e thjeshtë, besnike, me ndjena për nevojat e të tjerëve, si Maria në Kanë të Galilesë. Të mësojmë nga këto dy gra të mrekullueshme që të jemi të përvujtë dhe shi për këtë  të mëdhenj./drita.info

(Homelia në Meshën e Festës së Shën Nënë Terezës në Prishtinë, më 5 shtator 2018)

                           

Shpërndaje

Comments are closed.

« »