Vatikani e lartëson Kishën katolike në Kosovë në Dioqezë të re me emrin Prizren-Prishtinë

Sep 7 • Kisha në Kosovë

Në festën e Shën Nënë Terezës, më 5 shtator 2018, në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, për Kishën Katolike në Kosovë ishte gëzim dhe festë e dyfishtë, pasi Delegati Apostolik për Kosovë, Sh. T. Mon. Juliusz Janusz, e solli lajmin e gëzuar që Papa Françesku e ka lartësuar Kishën tonë në Dioqezë të re me emrin Prizren-Prishtinë: “Me autorizim të zotëri Kardinalit Pietro Parolin, Sekretarit të Shtetit, jam tejet i lumtur që t’ua komunikoj që Ati i Shenjtë e ka lartësuar Administraturën Apostolike të Prizrenit në Dioqezë, subjekt i drejtpërdrejt i Selisë së Shenjtë, me emër Prizren – Prishtinë, si dhe ka emëruar Shkëlqesinë Tuaj Ipeshkëv të Dioqezës së re. Më lejoni, Shkëlqesi, që t’ua shprehi në këtë rast ndjenjat e sinqerta të kënaqësisë, për përfundimin e kësaj çështje, që ka kërkuar kaq shumë punë të rëndësishme për realitetin e Kosovës. Njëkohësisht,  uroj Shkëlqesisë Tuaj, që të mund të udhëhiqni pastoralin e ri, sipas përvojës Tuaj tashmë të njohur, për të mirën e shpirtrave në tokën e Nënës Tereze. Me ndjena vëllazërore, përshëndetje të përzemërta u kujtoj në uratë.”

Në të njëjtën ditë, më 5 shtator 2018, ora 12:00 Buletini zyrtar i Sallës së Shtypit të Vatikanit në webfaqen http://press.vatican.va/content/salastampa/it/bollettino/pubblico/2018/09/05/0613/01317.html [01317-IT.01] [Testi origjinal: italisht][B0613-XX.01] dhe të nesërmen Gazeta zyrtare e Selisë së Shenjtë “L’Osservatore Romano”, viti CLVIII n. 201 (47.934), e enjte, 6 shtator 2018, f. 1 (ballina), e jep lajmin zyrtar me këtë përmbajtje: “Në ditën e sotme, 5 shtator, kujtimi liturgjik i Shën Terezës së Kalkutës, Ati i Shenjtë Françesku e ka lartësuar Administraturën Apostolike të Prizrenit në Dioqezë, me emrin Prizren-Prishtinë, duke e rimëkëmbur një Dioqezë të ekzistuar historikisht dhe duke e lënë të pandryshuar statutin e Qarkut Kishtar subjekt të drejtëpërdrejt të Selisë së Shenjtë. Papa e ka emëruar Ipeshkëv të Dioqezës Sh. T. Dodë Gjergji, deri më tani Administrator Apostolik të të njëjti Qark Kishtar.

Ky akt i Selisë së Shenjtë, Papa Françeskut, është një gjest dashurie dhe mirënjohje për të gjithë Kishën tonë, ipeshkvin Imzot Dodë Gjergjin, klerin, rregulltarët e rregulltaret dhe gjithë besimtarët për fenë e qëndrueshme e të pakëputur, dëshminë dhe veprimtarinë e tyre, pa përjashtuar qytetarët e vendit tonë. Gjithashtu, është një rinjohje dhe rimëkëmbje e gëzueshme e lashtësisë sonë apostolike në Dardani-Kosovë, e selive të shekujve të parë Ulpianën, Shkupin dhe Prizrenin, të cilat janë qendra dhe themele të fuqishme të formësimit dhe jetësimit të krishterimit apostolik shqiptar në këto troje./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »