Jesusi i tha: “Effatha” – që do të thotë: “Çelu!”

Sep 8 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXIII gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Is 35, 4-7

Isaia na tregon efektet e pranisë së Hyjit mes njerëzve: pranvera lulëzon, kthehet guximi, një popull rigjen lirinë e tij, të mërguarit kthehen në atdhe, sytë e të verbërit hapen, shurdhi mund të dëgjojë, memecit i zgjidhet gjuha. Të gjitha këto Jezusi i kreu duke na zbuluar dashurinë e Atit.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet, vendi i thatë burime! Në strofuj ku strukej çakalli, do të rritet kallam e xunkth. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   146

 

Ref: Lavdëroje, shpirti im, Zotin.

——————————————

Zoti e mban besnikërinë për amshim,

u jep të drejtën të nëpërkëmburve,

u jep ushqim të uriturve.

Zoti i çliron robërit.

——————————————

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit,

Zoti i do të drejtët,

Zoti i mbron ardhacakët.

——————————————

U ndihmon bonjakëve e të vejave,

ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

Zoti do të mbretërojë për jetë,

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

——————————————

 

 

Leximi i dytë   Jak 2, 1-5

Jakobi denoncon skandalin e një bashkësie të krishterë që vlerëson më shumë pozicionet shoqërore të personave në kundërshtim me mësimin e Jezusit.  Kisha e të pasurve interesohet për të varfërit, por vetëm për t’i përdorur si një instrument për lavdinë e tyre. Nëse kisha mbetet kisha e të pasurve nuk mund t’i dojë të varfërit me të vërtetë. Për t’i dashur duhet të bëhet kisha e shërbimit, duke imituar themeluesin e saj, që nga zotëri u bë shërbëtor.

 

Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull

Vëllezër të mi, mos e përzini fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahmbajtje! Sepse, po bëri e hyri në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari, i veshur në mënyrë të shkëlqyeshme e, po hyri një skamnor me petka të vjetruara, e ju e rrethoni me nderime atë që është i veshur bukur dhe i thoni: “Urdhëro! Ti ulu këtu lirisht!”, ndërsa skamnorit i thoni: “Rri atje, në këmbë!” ose: “Ulu këtu, poshtë, te këmbët e stolit tim!”, a nuk gjykuat ju në vetvete me krahmbajtje dhe a nuk u bëtë gjykatës që gjykojnë për së mbrapshti? Dëgjoni, vëllezër të mi të dashur! A nuk i zgjodhi Hyji ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë të pasur në fe dhe trashëgimtarë të Mbretërisë që ua ka premtuar atyre që e duan? Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Gjithçka bëri mirë! Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mk 7, 31-37

Jezusi ka shkuar në krahinën pagane të Tirit, sepse farisenjtë, të shurdhër ndaj Ungjillit e pengonin Jezusin të fliste. Në këtë kontekst kryhet mrekullia e shurdhit që ka një vlerë simbolike për farisenjtë që janë të shurdhër ndaj mësimit të Jezusit. Ja misteri i Fjalës së Jezusit që mbyll veshët e atij që nuk do ta dëgjojë, por zgjidh gjuhën e atij që dëshiron të shërohet.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Jezusi doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit. Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha” – që do të thotë: “Çelu!” E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.  Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë! Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ka persona, të dënuar në vetmi, sepse janë të verbër, shurdhmemecë nga lindja. Por kur sytë, veshët e gjuha e zemrës janë bllokuar, personat e sëmurë humbin besimin në vetvete e aftësinë për të pranuar të tjerët me brishtësinë e tyre.

Jezusi “erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit”. Ai gjendet në tokën pagane, ka ardhur për t’u kujdesur për veshët e gjuhën e të gjithë njerëzve: i do të përgjegjshëm, të aftë për të dëgjuar e për të hyrë në dialog me Hyjin e besëlidhjes.

Ia sollën një shurdhaman”. Miq dhe familjarë çojnë shurdhmemecin te Jezusi që të shërohet: shërimi është fryt edhe i ndërmjetësisë të vëllezërve. Shurdhmemeci, i mbyllur në vetvete, nuk percepton nevojën e dëgjimit e bukurinë e Fjalës. E njëjta gjë u ndodh të gjithë të pagëzuarve që janë larg nga dëgjimi i Fjalës së Hyjit.

“Ai e ndau prej popullit veçmas”. Jezusi kërkon një marrëdhënie personale, larg nga turma, që shpesh pengon dialogun me Të, për të rigjetur ndërgjegjen e vet. Jezusi “psherëtiu dhe i tha: ‘Effatha’, që do të thotë: ‘Çelu!’”. Duhet të hapim zemrën për të vëzhguar shenjat e pranisë së dashurisë së Hyjit. Hapu të dëgjosh dhe të pranosh mësimet e ungjillit! Hapu të shpallësh besimin tënd me jetën tënde! Nëse kjo ndodh, ekzistenca jonë ndriçohet nga fjala e Jezusit. Edhe ne mund të themi me turmat e ungjillit: “Ka bërë mirë çdo gjë; ka bërë të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!”.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Edhe ne, shpesh herë, jemi të shurdhër para fjalës së Zotit e të paaftë të flasim për të. Që Zoti të na japë të gjithëve një zemër të hapur dhe shërimin e shpirtit të shurdhër, t’ia derjojmë lutjen tonë duke thënë:

Na dëgjo, o Zot.

 L. Që Papa, ipeshkvijtë, priftërinjtë, diakonët dhe të gjithë besimtarët të hapin gjithmonë e më shumë zemrat e tyre ndaj fjalës së shenjtë, për t’u ungjillizuar e për të ungjillizuar çdo njeri . Të lutemi.

L. Që përgjegjësit e popujve të mos bëjnë preferenca për njerëzit në bazë të kushteve shoqërore, por të punojnë për të mirën e të gjithëve. Të lutemi.

L. Që shurdhmemecët dhe të sëmurët të jenë gjithmonë të ndihmuar nga të krishterët, nën shembullin e Jezusit. Të lutemi.

L. Që bota e tanishme të rigjejë kuptimin e qetësisë, e domosdoshme për dëgjimin e fjalës së Zotit. Të lutemi.

L. Që pjesëmarrja në kremtimin eukaristik të na bëjë më të vëmendshëm ndaj dëgjimit të Fjalës dhe vullnetit hyjnor. Të lutemi.

M. O Zot Jezus, që ke bërë të dëgjojnë të shurdhërit dhe të flasin memecët, hapi veshët tanë dhe zemrat tona në dëgjimin e Ungjillit e na bëj të aftë në shpallje dhe në dëshmi. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »