Festa e Ditëlindjes së Marisë Virgjër në Shenjtëroren e Letnicës

Sep 10 • Kisha në Kosovë

Ditëlindja e Marisë Virgjër, e cila festohet më 8 shtator, në Dioqezën tonë kremtohet në dy famulli: në Shenjtëroren e Letincës dhe në Famullinë e Becit, dhe në dy filiale, në Gjurakoc (Famullia e Zllakuqanit) dhe në Ramoc (Famullia e Gjakovës).

Lindja e Zojës së Bekuar apo Zoja e vogël, siç e quajmë tradicionalisht tek ne, apo edhe Zoja e Mërturit, kremtohet me shumë devocion, sa që shumë familje e kanë festë të familjes.

Në Shenjtëroren e Letnicës festa u kremtua me përgatitje të treditëshit, me adhurim dhe lutje përkatëse për këtë festë, pasi Lindja e Marisë, konsiderohet ngjarje madhore për mbarë njerizimin, shenjë e dashurisë së Zotit ndaj njeriut dhe vërtetim që Zoti përherë i plotëson premtimet e veta. Eva e re – siç quhet me plotë epitet Maria – e premtuar që në Zanafillë do të vinte në botë rreth 20 vite para Krishtit, si parapërgatitje për ardhjen e Shëlbuesit të botës.

Në ditën e festës në Shenjtëriore u kremtuan tri meshë të shenjta: në ora 07:00, në ora 09:00 mesha në gjuhën kroate dhe nga ora 11:00 mesha qendrore e drejtuar nga Don Kristë Gjergji, ish famullitar i Letnicës e tani misionar për shqiptarë në Zagreb. Bashkëkremtuan Don Aleksander Kola, Don Viktor Sopi, Don Marjan Lorenci, Don Marjan Uka, Don Mikel Sopi, Don Jeton Thaqi dhe Don Kastriot Gjoni.

Predikuesi i festës e tregoi rëndësinë e lindjes së Marisë në historinë e shpëtimit, që ai e ka pasur dhe e ka. Me lindjen e Virgjërës Mari ka filluar të realizohet plani i shpëtimit të njerëzimit, botës. “Lindja e Zojës së Bekuar është një ndër tri festat e lindjes që Kisha i feston, bashkë me lindjen e Krishtit dhe lindjen e Gjon Pagëzuesit. Lindja e saj është lindje e re për njerizimin, është hapja e qiellit për njerizimin plot dashuri, kur Hyji zbrazë hirin e vet. Virgjëra Mari lindi për ta përmirësuar gabimin e Evës, nënës tokësore, për ta çliruar nga e keqja dhe mëkati pasardhësinë e saj.  Zoja e Bekuar është shenja e parë e shëlbimit tonë, e cila me plot vullnet dhe liri vendosi të bashkëpunoi në veprën shëlbimprurëse. Ajo sot është Mbretëreshë e qiellit dhe etokës, e engjëjve dhe shenjtërve. Për këtë arsye Ajo e meriton nderimin dhe respektin tonë. Ajo ndërmjetëson te Biri si saj për të gjithë ne me dashuri amënore. Sikurse Maria – ishin fjalët ngishëse të Don Kristës – që qe nga lindja ishte një mision për të gjithë njerëzit, po ashtu edhe ne jemi të ftuar të bashkëpunojmë me Zotin që të mund jetojmë për të tjerët, që jetën tonë të ja kushtojmë vëllait njeri”.

Përgatiti për Dritën: Anton Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »