Jeta – një dhuratë e çmuar

Sep 10 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Jeta është mrekullia e parë që thjesht na ёshtё dhuruar, por njeriu nuk po e vlerëson, e nuk po e çmon si të tillë. Nisur nga ajo çfarë po ndodh kohët e fundit, ku dëgjohet, më shumë se asnjëherë pёr vrasje të ndryshme, si; vetëvrasje, vëllavrasje, aborte, eutanazi, përdorim i substancave të ndryshme kundёr saj e etj. Thënë me një fjalë, të gjitha këto janë vrasje, madje vrasje të qëllimshme, edhe pse nuk perceptohen si të tilla, as nё momentin kur kryhen, dhe as pas aktit fatal. Kështu, çdo ditë njeriu rrezikon, duke mos e vlerësuar, e duke mos ditur t’i japë një vlerë jetës së vet, e po ashtu edhe jetës së tjetrit. Arsyeja se njё gjё e tillё ndodh ёshtё pasi kemi zbehje të percetimit të drejtё të jetёs dhe se nё mёnyrё progresive nёnvlerёsohet tё konsideruarit dhe tё vlerësuarit i jetës si dhuratë, si mundësi e çmuar dhe e shenjtё.

Nё fakt, po nënvlerësohet e po harrohet se si në aspektin moral, etik e fetar,  secili nga ne është përgjegjës për jetën e vet, e po ashtu dhe për jetën e tjetrit, që në ngjizje. Por mjerisht, në realitet, njeriu po shkon në të kundërtën e saj, duke ia marrë jetën vetes dhe  tjetrit. Lind pyetja: Kush jam unë qё t’ia marr jetën vetes dhe tjetrit? Kush më ka dhënë këtë të drejtë? A jam unë dhuruesi i jetës? Nëse, njeriu do të ndalej e të reflektonte, sadopak rreth këtyre tre pyetjeve, me siguri do të mendonte e do të vepronte ndryshe. Po ashtu, do të fillonte dhe ta vlerësonte jetën më shumë, e do të kuptonte se ai nuk është pronarit i saj, e nuk ka drejtё të bëjë asgjë kundёr saj, përveçse ta jetojё, ta shijojё dhe ta zbukurojё atë.

François Voltaire thotë: Zoti na e ka dhënë jetën, e ne duhet ta bëjmë të bukur këtë jetë. Pra, ne si njerëz  kemi vetëm ketë detyrё e këtë të drejtë, ta jetojmë jetën dhe ta bëjmë sa më të bukur atë, si për vete ashtu edhe për tjetrin, pavarësisht vështirësive apo pakënaqësive që afron ajo. Mirëpo, kjo mund të realizohet vetëm atëherë kur individi bëhet i vetëdijshëm dhe e kupton rëndësinë dhe vlerën që ajo ka. E gjithashtu, nëse arrin ta pranojё atë, thjesht si njё mundësi dhe si një dhuratë tё çmuar.

Vetëm kur ajo tё pranohet dhe tё kuptohet si e tillë, do të shihet si një gjë e mirë, e bukur dhe e shenjtë. E pastaj, aty nuk do të ketë vend për mendime, apo veprime, që tё çojnë në vetëvrasje, apo vëllavrasje, nё përdorimin e substancave të ndryshme kundёr saj, nё abort, eutanazi etj. Por, nëse individi nuk e mendon as edhe njëherë, se jeta është dhuratë dhe si e tillё duhet vlerësuar, atёhere ai nuk është duke e jetuar atё, porse thjesht ёshtё duke marrё frymë.

Mary Jane West thotë: Jetohet vetëm një herë, por nëse jetohet mirë një herë mjafton. Nga kjo thёnie e saj, mund të kuptohet se sa shumë rëndësi ka që të jetohet një jetë e mirë. Atëherë, pyesim: Çfarë do të thotë, të jetohet një jetë e mirë? Ndoshta, shumë herë mendohet për një jetë pa probleme, pa vështirësi, një jetë pa sfida, një jetë ku nuk mungon asgjë nga ana ekonomike, materiale, një jetë luksi etj. Por a është kjo një jetë e jetuar mirë?

Me siguri që kjo nuk është një jetë e jetuar mirë, sepse njeriu mund t’i ketë të gjitha, por nuk ndjen as një lloj kënaqësie, gëzimi, hareje, qetësije, paqeje, pёrkundrazi mund të ndodh që më  shumë të ndjejё një boshllëk brenda vetes. Gjithashtu, nuk do të thotë një jetë e jetuar mirë, ёshtё pa probleme, pa vështirësi, pasi problemi, vështirësia, sfida janë pjesë të jetës, por njeriu është ai, që i jep zgjidhje e kuptim asaj falë besimit, arsyes, dhe aftësive që ia ka dhuruar Zoti, si edhe falё vlerave me tё cilat ështё edukuar në familje, gjatё shkollimit dhe formimit tё tij.

Pra, çfarë është një jetë e jetuar mirë? Një jetë e jetuar mirë është ajo në të cilën vlerësohet e respektohet jeta si dhuratё, kur jetohet me qëllime të qarta, kur vlerësohet çdo moment i këndshëm apo i pakëndshëm, kur i gëzohesh asaj, kur mendon se çdo problem ka zgjidhje, kur  nuk shihet vetëvrasja, vëllavrasja, eutanazia, aborti… si zgjidhje e problemit. Kur çdo gjë shikohet si një mundësi, e si diçka me vlerë. E gjithashtu, kur arrihet të kuptohet e të pranohet se atë çfarë na ofron jeta asnjëherë nuk është e kotë, e pavlerë dhe e pa rëndësishme, sepse çdo gjë qё na ndodh përcjell një mesazh. Po ashtu, kur gjen kohë për të reflektuar, soditur e falënderuar  rreth mrekullisë së jetës, kur je mirënjohës për gjithçka që  ofron jeta, dhe kur gjithçkaje arrin t’i japësh një kuptim, sipas tё cilit jeta ia vlen të jetohet.

Goethe thotë: Një jetë e kotë është një vdekje e parakohshme. Sa herë njeriu vdes para kohe, sepse nuk e jeton e nuk e vlerëson atë?! Sa herë njeriu është indiferent ndaj jetës? Sa herë njeriu thotë: jetë koti? Sa herë njeriu nuk është falënderues e mirënjohës ndaj saj e gjërave të bukura që ajo i ofron çdo ditë, pavarësisht vështirësive e sfidave me tё cilat duhet tё pёrballet?

Imagjinoni sikur një person i dashur të na ofrojё një dhuratë, ne e pranojmë atë por në vend të falenderimit e mirënjohjes, themi është njё dhuratë e kotë! Ose, sikur ne t’i ofronim një dhuratë një miku e teksa presim të marrim të paktën një faleminderim (qoftё edhe sikur mos t’i pëlqejё), ai të na thotë se është dhuratë e pavlerё! Si do të ndihemi, e si do të ndihej tjetri, po të përballej me një realitet të tillë? Por, a e keni menduar apo çuar nëpër mend ndonjëherë, se si ndihet Zoti, sa herë që dëgjon fjalën ‘e kotë’ ndaj jetës, ose sa herë që dëgjon njerëzit duke thënë përse më ke  krijuar o Zot?  Apo sa herë, që njeriu i është mosmirënjohës për dhuratat qё merr prej tij? Janë pyetje që kërkojnë kohë, reflektim e soditje, e jo përgjigjje të menjëhershme sikurse rёndom ndodh.

Kёshtu, ndjehet shumë e nevojshme që njeriu të ndalet, të vlerësojё, ta çmojё jetën, e të shoh sesa gjëra të bukura i ofron ajo, dhe sesi mjerisht nuk vlerësohen si dhe sa duhet. Shpenzohet shumë energji duke menduar vetëm për gjërat e pakëndshme, për vështirësitё, e kështu po  humbet  magjia, mrekullia dhe bukuria e jetës.

Harrohet se jeta është e shkurtër për të harxhuar energji për gjëra që nuk ia vlen, qё nuk kanё dobi, e nuk kanë asnjë lloj peshe. E këtë gjё na e kujton edhe Benjamin Disraeli. duke thënë: Jeta është tepër e shkurtër që ta harxhojmё për gjëra të vogla. Mirëpo, individi, që jam unë, je ti, jemi ne,  vazhdon duke i dhënë rëndësi më shumë gjërave që lëndojnë e tё lënë mbrapa si: padrejtësive, vuajtjes, trishtimit, gjërave që e bëjnë të ndihet keq, e vazhdon duke  i nёnvlerësuar gjërat më me vlerë si;  shëndetin, familjen, dashurinё, miqёsinë, e shumë e shumë  gjëra të tjera që jeta na i dhuron çdo ditë.

Për fat të keq, njeriu mendon se jeta i ofron vetëm vuajtje, trishtim, dhimbje, padrejtësi, etj, sesa gëzime, shpresë, dashuri, dashamirësi, mirësi. Jeta, në realitet, nuk ofron vetëm vuajtje, trishtim, dhimbje, padrejtësi, por problemi qëndron tek unë, tek ti, tek, ne, sesa i japim hapësirë dhe sa ndalemi e mendojmë, flasim, bashkëndajmë, gëzimet, dashurinё, dashamirësinё, mirësinë që përjetojmë, thuhet pak që të mos thuhet aspak, shumё rrallё flitet për të mirat dhe të bukurat që ofron jeta. Kurse për vuajtjen, trishtimin, dhimbjen, padrejtësinë dhe problemet, flitet vazhdimisht, edhe nëse kanë kaluar sa e sa vite, njeriu i ka të ruajtura në kujtesë dhe shpesh i përsërit kurse për të mirat, gëzimet, dashurinё, mirësinë, dashamirësinё, ndoshta as tre ditë nuk mendon e nuk flet, ndjesi dhe situatat edhe pse të bukura, i vendos në pjesën më të thellë të vetes e nuk  lejon as t’i  kujtojë më.

Lind pyetja; ku qëndron problemi që njeriu shikon vetëm me ngjyra të errëta e mundohet t’i zhduk  ngjyrat që japin jetë? Tek jeta? Tek Zoti? Tek tjetri? Tek puna? Tek papunësia? Tek varfëria? Tek pasuria? Apo tek unë? Shpesh për çdo gjë fajësohet tjetri. Se si i shoh unë gjërat? Cilat janë ngjyrat më të pranishme brenda meja? Ndoshta nuk keni menduar dhe nuk mendoni as edhe një herë rreth kësaj, mirëpo, shumë ka të bëjë mënyra sesi i shohim, e si i perceptojmë situatat, gjërat që na ofron jeta.

Mark Aureli thotë: Jeta jonë është ajo për të cilën ne mendojmë se është. Ka shumë rëndësi mënyra sesi i shohim dhe i perceptojmë gjërat, pozitivisht apo negativisht, me optimizëm apo pesimizëm? Me ngjyra, apo bardh e zi?

Harry Fostick, bën një krahasim domethёnёs për jetën teksa rrёfen njё anekdotё: një violinist, i cili po mbante një koncert, papritmas iu këput njëri teli i violinës. Por ai, nuk u hutua, nuk u mërzit, as nuk u shqetësua por melodinë, e përfundoi ekzekutimin e tij duke luajtur me telat e mbetur. Metafora e violinistit sipas tij, na ndihmon tё kuptojmё se: Jeta është e tillë na heq nga dora shpesh herë një tel dhe ne detyrohemi ta vazhdojmë melodinë me ata tela që kanë mbetur. Prandaj, nuk duhet të na pengojnë, shqetësojnë, apo bllokojnë gjërat e vogla që na paraqiten gjatë jetës. Njeriu duhet të ecë përpara, e të mos ndalet, të mos e ndalojё melodinë e jetës por të krijon një simfoni.

Jeta është një vlerë e shenjtë, ёshtë ajo që na mëson të besojmë, të duam, na mëson sesi të jemi miq, na mëson mirësinë, butësinë, thjeshtësinë, guximin na mëson të jemi të falënderueshëm si ndaj Zotit, gjithashtu edhe ndaj prindërve të cilët kanë bashkëpunuar me Zotin e kanë lejuar që unë, ti, ta jetojmë e ta gëzojmë jetën. Po ashtu, na mëson edhe si të përballemi me dhimbjen e tё mos dorëzohemi. Na mëson sesi tё pranojmë çdo gjё që ajo na ofron dhe të vazhdojmë përpara. Na mëson ta jetojmë jetën sot, tani, këtu, jo të presim tё nesërmen. Ajo e kërkon të jetuarit e çdo momenti, e çdo kohe, sepse ajo është tani e jo nesër. Ajo është një përvojë e papërsëritshme për secilin njeri, me përvoja e eksperienca nga më të ndryshmet, aq sa mund të thuhet se është një mrekulli më vete.

Papa Gjon Pali II, që sot është i shenjtë, thoshte: Merreni jetën tuaj në duar dhe bëni një kryevepër. Pra, ajo çfarë na këshillon Papa Shën Gjon Pali II, na kujton që ne jemi ata që kërkohet të bashkëpunojmë me Zotin e ta bëjmë sa më të bukur jetën, të bëjmë një kryevepër. E kjo ndodh atëherë kur njeriu, jo vetëm merr frymë, por e jeton jetën në plotësi dhe i është mirënjohës asaj.

Gilbert Cesbron thotë: Kryevepra e vetme është të jetosh. Të jetosh, do të thotë të dish t’i japësh kuptim çdo gjëje që na ofron jeta. Pёr ta kuptuar në thellësi se çfarë është jeta, na ndihmon lutja e Nënës Terezë, e cila sot është e shenjtë. Një  lutje, që këshillohet të lutet çdo ditë për të kuptuar, vlerësuar dhe  çmuar, dhuratën e  JETËS.

 

JETA  ËSHTË…

Jeta është  mundësi, kape. 

Jeta është bukuri, admiroje.

Jeta është bekim, shijoje.

Jeta është ëndërr, bëje realitet.

Jeta është sfidë, përballoje.

Jeta është detyrë, kryeje.

Jeta është lojë, luaje.

Jeta është e çmuar, kujdesu për të.

Jeta është një pasuri, ruaje.

Jeta është dashuri, gëzoje.

Jeta është fshehtësi, zbuloje.

Jeta është premtim, mbaje.

Jeta është trishtim, kapërceje.

Jeta është  himn, këndoje.

Jeta është  betejë, pranoje.

Jeta është një tragjedi, mbërtheje.

Jeta është një aventurë, rrezikoje.

Jeta është Jeta, mbroje.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »