Ligji i dashurisë e mposht sundimin e ligjit

Sep 10 • Meditimi i ditës

10 shtator 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Kor 5,1-8; Ps 5,4b-7.12; Lk 6,6-11)

 

Prania e Hyjit
Teksa jam duke qëndruar këtu, Hyji është i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe të gjitha sendeve që më rrethojnë.
Qëndroj në heshtje një moment,
dhe bëhem i/e vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria
O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi
Si po e ndiej veten përnjëmend? Rehat? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë nëdisa pjesë të tij.

 

Lk 6, 6-11

 

6 Një të shtunë tjetër Jezusi hyri në sinagogë e filloi të mësojë. Ishte aty një njeri që e kishte dorën e djathtë të thatë. 7 Skribët e farisenjtë nuk ia ndanin sytë a mos po shëron të shtunën, që, kështu, të kishin për çka ta paditnin. 8 Jezusi ua dinte mendimet e i tha njeriut që e kishte dorën e thatë:

“Çohu e dil në mes!”

Ai u ngrit e qëndroi në këmbë.

9 Atëherë Jezusi vazhdoi:

“Ju po ju pyes: a është e lejueshme të shtunën të bësh mirë apo të bësh keq, t’ia shpëtosh jetën ndokujt apo t’ia humbasësh?”

10 Si i shikoi rreth e rrotull të gjithë, i tha atij:

“Shtrije dorën!”

Ai bëri ashtu e dora iu shërua. 11 Ata u tërbuan dhe kuvendonin mes tyre çka të ndërmarrin kundër Jezusit.


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Çfarëdo që Jezusi thoshte në sinagogë me këtë rast, auditori i tij ishte tejet jo simpatik. Ata ishin qëllimisht në kërkim të diçkaje që mund ta përdornin kundër tij. Si reagon Jezusi ndaj kësaj armiqësie? Ai mund ta kishte shmangur duke e lënë sinagogën, por nuk e bëri. Çfarë po ndjen për qëndrimin e tij? A mos ishte, për shembull, i vetëdijshëm në mënyrë të paturp – mendjemadhe? A ishte i guximshëm?
  • Situata në të cilën është treguar Jezusi në Ungjillin e sotëm mund të mos jetë ndryshe nga situatat në të cilat unë nganjëherë e gjej veten. A ka diçka që dua ta kujtoj lidhur me qëndrimin e Jezusit që do të më ndihmonte që të veproja mirë në momente të tilla?
Ndërsa e dëgjon përsëri pasazhin, pjesën e leximit, vë re se si Jezusi i përkushtohet personit në nevojë. Lufta për pushtet që e preokupon shumicën e të pranishmëve, ia mohon personit me aftësi të kufizuar respektin individual dhe e bën atë një mjet të ambicies së tyre. Megjithatë, është Krishti që i ndihmon këtij personi. Vë re se si kjo i sfidon shikuesit dhe i mbush ata me inat. 

Bashkëbisedimi
 
Ku në rrethanat e jetës tënde njerëzit më së shumti dhe lehtë neglizhohen – lihen anash?
A mundesh tani, thjesht dhe me fjalë të tua, t’i kërkosh Zotit të ta japë hirin që të jesh i/e vetëdijshëm/e për ta dhe t’u përgjigjesh atyre me qëndrimin që tregoi Jezusi?

 

Përmbyllje
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Farisenjtë nuk kishin kujdes për njeriun me dorë të thatë, ndërsa për ty, Jezus, ai në atë moment ishte personi më i rëndësishëm në sinagogë. Kushdo që është në nevojë është në fokus të kujdesit tënd hyjnor, o Zot. Po e pyes veten: A do të më interesonte mua ai njeri po të kisha qenë atë ditë aty?
Ti, o Zot, je Hyj që tërheq njerëzit në nevojat e tyre. 
Ti përqendrohesh edhe në nevojat e mia dhe kërkon si kthim të bëj vend në zemërpër nevojat e të tjerëve. Duke bërë kështu unë bëhem një dishepull, nxënës i vërtetë.
Farisenjtë ishin “të zemëruar”, sepse me ty, Jezus, ligji i dashurisë e mposhtisundimin e ligjit, dhe u ndryshua edhe kontrolli i tyre mbi popullin. 
Bëj, o Zot, që në të gjitha vendimet e mia të mbizotërojë dashuria. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »