Zoti të vështron me shpresë, mirëbesim dhe dashuri

Sep 11 • Meditimi i ditës

11 shtator 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Kor 6, 1-11; Ps 149; Lk 6,12-19)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti, kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të dua ty sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj, si po e ndiej sot veten?
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje, dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 6, 12-19

 

12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit. 13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.

17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë. 19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të shenjtë:

 

  • Jezusi zgjodhi dhe i thirri dishepujt e vet pas një kohe që kishte kaluar në lutje. Paramendoje se çfarë kishte në zemrën e Jezusit – shpresën, mirëbesimin dhe dashurinë për dishepujt, nxënësit e tij ndërsa i zgjodhi për të qenë afër tij.
  • Lejoji Jezusi të të shikojë me të njëjtën shpresë, mirëbesim dhe dashuri. Dëgjoje sesi po të thërret; kërkoji hirin e shenjtë të jesh në gjendje t’i përgjigjesh plotësisht me zemër.
  • Kur i lejoj Fjalës së Hyjit që të endet përmbi preokupimet e mia, atëherë mund të ndodhë gjithçka, sepse ai është Hyj që befason. Me rëndësi është që mos ta fshehë kaosin tim të brendshëm nga Fjala e Hyjit dhe nga vetvetja.
  • E lexoj, e dëgjoj pjesën e Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë. Ndalem në pjesë të tekstit që më lënë më shumë përshtypje. I lëshohem fuqisë së fjalëve.

 

Bashkëbisedimi
Jezus, po më flet personalisht në tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso ta dalloj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Nuk pushojmë së mrekulluari dhe çudituri se sa njerëz të thjesht kanë qenë ata që ti, o Jezus, i zgjodhe si bashkëpunëtorë dhe ndjekës më të afërt.
Nuk ishin pasanikë, të arsimuar dhe nuk kishin ndonjë pozitë në pushtet.
Kanë ditur të jenë frikacakë, grindavecë dhe ambiciozë. E pra, kishin diçka në vetvete: lejuan t`i tërhiqje ti, o Zot.
O Zot, largo prej meje çdo gjë që do të pengonte për ta pranuar thirrjen tënde. Më merr te vetja – dëshiroj të të shërbej si mik dhe dëshmitar, dëshiroj të të pranoj si vëlla. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »