Projekt ngushëllues i Zotit për të varfrit

Sep 12 • Meditimi i ditës

12 shtator 2018 – E mërkurë, Emri tejet i shenjtë i Marisë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Kor 7, 25-31; Ps 44; Lk 6,20-26)

 

Prania e Hyjit

Të gjithë kemi nevojë që të pushojmë pak prej ngjarjeve të përditshme.
Dhe e dimë që trupi ynë ka nevojë për pushim.
Kur të afrohemi ty, o Zot, zemra dhe mendja jonë gjejnë freskim,
shpirti ynë sërish lartësohet.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë sime
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një
dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet e uljet si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mund ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e mbledhur vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment (nëse je në dhomë). Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.”Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.


Lk 6, 20-26

 

20 Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënësit, thoshte:

“Të lumët ju, o skamnorë,

sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!

21 Të lumët ju që tani keni uri,

sepse do të ngiheni!

Të lumët ju që tani qani,

sepse do të qeshni!

22 Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë,

kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre,

kur do t’ju poshtërojnë,

kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut!

23 Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell.

Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!

24 Por, vaj për ju, o pasanikë,

sepse e keni ngushëllimin tuaj!

25 Vaj për ju që tani jeni të ngopur,

sepse do të pësoni uri!

Vaj për ju që tani qeshni,

sepse do të vajtoni e do të qani!

26 Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Mbretëria e Hyjit është misterioze për shkak se ajo është një projekt i pazëshëm, i qetë i Hyjit, që realizohet në historinë njerëzore. Nga ky tekst i Shkrimit të Shenjtë marrim vesh për disa që do të gjenden në atë Mbretëri. Të varfrit dhe të uriturit do të jenë aty. Aty do të jenë edhe ata që qajnë, që janë të përndjekur, ata që janë të refuzuar. Çfarë grupi i jashtëzakonshëm! Ata që janë në fund të piramidës njerëzore do të gëzohen dhe do të kërcejnë nga gëzimi, për shkak të mirësisë së Hyjit ndaj tyre.
  • Për shumë njerëz këto fjalë të Jezusit, Lumnitë, përfaqësojnë zemrën e krishterimit. Jezusi bën një numër premtimesh për ata që janë të varfër, të uritur, të trishtuar dhe të përçmuar. Këto premtime janë Mbretëria e Hyjit, kënaqësia, gëzimi dhe shpërblimi i madh në qiell. Çfarë kuptoj nga këto premtime? Si i imagjinoj ato që më ofrohen? A munden këto gjëra të më mahnitin dhe të më tërheqin?
  • Tani, përkundrazi, imagjinoje për veten tënde një lloj tjetër jete që e përshkruan Jezusi. Paramendoje për veten tënde një jetë që do të plotësohet me pasuri, me bollëk material dhe me lavdi. A do të të kënaqte kjo dhe të të siguronte për vlerën e jetës tënde?
    Për disa çaste mendo se cilat prej këtyre shtigjeve mjaft të kundërta ndjen se po të tërheqin.
  • Duke i dëgjuar sërish Lumnitë mund të dëshirosh të përqendrohesh më pak në atë që fjalët përçojnë dhe më shumë në personin që i thotë ato, Jezu Krishtin. 

 

Bashkëbisedimi

Tani, në një mënyrë që është e natyrshme për ty, kërkoji ndihmë Hyjit për t`i mishëruar sot vlerat e Lumnive në jetën tënde.

 

Përmbyllje

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Kur më thyhet zemra për shkak të mjerimit të sotshëm kaq të madh nuk guxoj tëmendoj se Hyji i ka harruar të nëpërkëmburit, ata që u janë mohuar të drejtat. Në vend të kësaj, do ta falënderoj Hyjin, sepse atë më të mirën ende s`e kemi parë e që ka për të ardhur. Lutem, gjithashtu, që edhe unë të ndodhem së bashku me ta –si dikush që është i interesuar për ta.Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »