Festohet 100-vjetori i Kishës në Bec

Sep 14 • Kisha në Kosovë

Kisha e Becit, e kushtuar Lindjes së Marisë Virgjër, festa e së cilës bie më 8 shtator, sivjet ka festuar 100-vjetorin e ndërtimit të saj. Për të shënuar këtë përvjetor, pikërisht në Festën e Kishës, u kremtua mesha solemne e udhëhequr nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës sonë të re Prizren-Prishtinë.

Kisha e Becit, është njëra ndër objektet më të vjetra në Komunën e Gjakovës, nëse jo më e vjetra, e cila ka një histori interesante që lidhet me disa ngjarje të rëndësishme kishtare dhe kombëtare të fillimshekullit që posa e kemi lënë pas.

Pas vrasjes së Atë Luigj Palajt, bashkë me pesëdhjetë shqiptarë tjerë, në vitin 1913 në Janosh të Dushkajës, në kohën kur pushtuesit malazez ushtronin dhunë për t’i konvertuar shqiptarët në ortodoksë, Austro-Hungaria kishte kërkuar si dëmshpërblim ndërtimin e kësaj kishe dhe dy kishave tjera, asaj në Novosellë dhe në Gllogjan. Kisha u ndërtua gjatë viteve1915-1918, kurse toka për ndërtimin e saj ishte dhuruar nga familja e Delikolëve të Becit.

Famullitari i parë i kësaj Kishe ishte Don Gjon Bisaku, i cili bashkë me Don ShtjefënKurtin, famullitarin e Novosellës dhe Don Luigj Gashin, famullitarin e Smaqit-Bishtazhinit, janë të njohur për Memorandumin dërguar Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, ku paraqiten presioni, dhuna dhe aktivitetet jo njerëzore të malazezëve dhe serbëve mbi popullatën shqiptare.

Kisha e Becit si kishë famullitare përfshinte, në fillim, disa fshatra nën administrimin e saj, si: Bardhaniqi, Ratishi, Zhabeli, Gregoci, Rakoci, Vraniqi, Doblibara, Kramoviku, Dobidoli, Çiflaku dhe Meqa.

Sot Famullia e Becit nuk e ka këtë territor të madhe dhe të gjitha këto fshatra në administrim, pasi më 1979 themelohet famullia e Doblibares, të cilës i jepen disa fshatra përreth (Vraniqi, Meqa..), kurse Ratishi, Bardhaniqi, Gregoci dhe Zhabeli, i bashkëngjiten Famullisë së Gllogjanit. Tani, famullia e Becit, përveç Kishës Famullitare në fshatin Bec, ajo është e përbërë prej dy filialeve: Janosh dhe Lugbunarë, ku gjenden dy kisha, të nderuar në kohën më të re.  

Famullitarët që kanë shërbyer në Famullinë e Becit:

  1. Don Gjon Bisaku (1922-1929)

(Periudha mes 1929 deri më 1943 mungojnë të dhëna rreth famullitarëve të Becit.)

  1. Don FabianCiril (1943-…)
  2. Don MarjanGlasnoviq (1949-1953)
  3. Don NikollëMini (1953-1954)
  4. Don Mark Shiroka (1954-1959)
  5. Don AntunGlasnoviq (1959-1968)
  6. Don Pjetër Berisha (1968-1974)
  7. Don Gjergj Berisha (1974-1983)
  8. Don Prek Lazri (1983-1987)
  9. Don KolëThaqi (1987-2007)
  10. Don Kelmend Spaqi (2007-2014)
  11. Don KolëZefi (2007 – aktual)

Për këtë shënim të rëndësishëm të përvjetorit të Kishës së Becit, në festën e saj – Lindja e Virgjërës Mari apo siç njihet nga populli Zoja e Mërturit dhe Zoja e Vogël – mesha u kremtua në oborrin e Kishës.

Në fillim të meshës u lexua një historik i shkurtër mbi historinë e ndërtimit të kishës, i cili ishte si një hyrje e mirë, që pjesëmarrësit të njoftohen me rëndësinë e kujtimit të këtij jubileu. Ishin të pranishëm shumë besimtarë të famullive përreth, mysafirë e dashamirë të kishës, autoritetet e niveleve të ndryshme. 

Imzot Dodë Gjergji, në homelinë e tij u ndal në rëndësinë e festë së kësaj kishe dhe përvjetorin e saj.

Ku i ka rrënjët kjo Kishë, themelet e veta? – nisi homelinë e tij Ipeshkvi, duke e bërë një reflektim mbi ungjillin e ditës – breznitë nga ungjilli i Shën Mateut. “Ajo i ka themelet në Kopshtin e Edenit, aty ku engjëlli i Zotit kumtonte se do të zgjedh një Grua, e cila do t’ia shkel kryet gjarprit mashtrues, i cili në emër të shpirtit të keq, të lig e ka futur njeriun në mjerim.Rrënjët i ka te dëshmia e profetëve. Në leximin e parë, Mikea profet thotë se nga një vend i vogël  do të zgjidhe një virgjër që do të lind. Këto nuk janë vetëm fjalë goje, sepse në historinë e njerëzimit kurrë nuk kemi pasur që një njeri të mos lind nga një nënë e një babe.Në ungjill jepen breznitë, nga Abrahami e deri te Jozefi,  i fejuari i Marisë, kur Zoti ka vendos me e shpërblye popullin e vet.

Virgjëra Mari është zgjedhur me vullnetin e Hyjit, atëherë kur populli i Zotit është pjekë në mendje, në zemër dhe në vuajtje dhe është bërë gati për ta marr shpërblimin. Prandaj, Zoti nëpërmjet Virgjërës Mari na e ka dhurua Krishtin, Shpëtimtarin e botës, Fjala e Mishëruar, Zotin që ec mbi tokë, Zotin që fol me buzë njeriu, Zotin që shfaq dhe grish: ejani në mbretërinë time, ju që jeni të dërmuar nga vuajtjet e botës, e unë do t’iu çliroi. Ejani në jetë, ju që të jetoni në vdekje, sepse unë do t’iu ringjall. Ky është premtim i Krishtit.” Homelinë e plotë mund ta lexoni në këtë link: http://www.drita.info/2018/09/14/imzot-dode-gjergji-memoria-shpirterore-e-kishes-dhe-e-popullit-jane-themele-mbi-te-cilat-ndertohet-e-ardhmja/

Në mbarim të meshës, ishin dy befasi të bukura:

  1. Kryeministri i Kosovës, z. RamushHaredinaj, e ndau dekoratën e Gjergj Kastirotit – Skënderbeut, famullitarit të Becit, Don KolëZefit me rastin e 100-vjetorit të Kishës së Becit, dhe
  2. Bekimi i këmbanës së re, e cila u bekua nga Imzot Dodë Gjergji. Këmbana ishte dhuratë e PalPrenNdoja.

Kisha e Becit, me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar, pajtores së saj, i festoftë edhe shumë vite tjera e këmbanat e saj jehofshin pa ndal ungjillin e Krishtit në këto troje./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »