Imzot Dodë Gjergji: Memoria shpirtërore e Kishës dhe e Popullit janë themele mbi të cilat ndërtohet e ardhmja!

Sep 14 • Kisha në Kosovë

Fort të dashur vëllezër në meshtari,

të nderuar murgesha të të gjitha Kongregatave,

të gjithë ju bashkëpunëtor të vyer të Kishave përreth,

e gjithë ju të tjerët që keni ardhur nga vende të ndryshme të Kosovës.

Të dashur besimtarë të famullive tona, e në veçanti besimtarë të kësaj Kishe, të cilës po ia festojmë 100-vjetorin e lindjes.

Shumë të nderuar autoritete të të gjitha niveleve, e sidomos ti i nderuar kryetar i Gjakovës. Të falënderojmë për praninë dhe mbështetjen tënde, në mënyrë që së bashku të kremtojmë këtë ngjarje kaq të madhe.

 

Sot, dëshiroj ta falënderoj Zotin, që festa e parë e imja, pas shpalljes së Dioqezës së re të Prishtinës dhe konfirmimit të asaj të vjetrës, të Prizrenit, si ipeshkëv i kësaj dioqeze Prizren-Prishtinë dhe ipeshkëv i juaj, po e kremtoj këtë meshë në festën e Lindjes së Marisë Virgjër dhe në 100-vjetorin e Kishës së Becit.

Për t’i kujtuar këto 100 vjet, ashtu si ungjilli i sotëm na sugjeron t’i kujtojmë breznitë, pasi feja nuk është vetëm shikim drejt qiellit, por është edhe memorie, mbamendje e zemrës, dua të shkoj te Zanafilla për ta kujtuar përvjetorin e kësaj Kishe.

 

Ku i ka rrënjët, themelet e veta kjo Kishë?

Ajo i ka themelet në Kopshtin e Edenit, aty ku engjëlli i Zotit kumtonte se do të zgjedh një Grua, e cila do t’ia shkel kryet gjarprit mashtrues, i cili në emër të shpirtit të keq, të lig e kishte futur njeriun në mjerim dhe vuajtje.

Rrënjët i ka te dëshmia e profetëve. Në leximin e parë, Mikea profet thotë se nga një vend i vogël  do të zgjidhe një virgjër që do të lind. Këto nuk janë vetëm fjalë goje, sepse në historinë e njerëzimit kurrë nuk kemi pasur që një njeri të mos lind nga një nënë e një babë. Në ungjill jepen breznitë, nga Abrahami e deri te Jozefi,  i fejuari i Marisë, kur Zoti ka vendos me e shpërblye popullin e vet.

 

Vëllezër e motra,

Virgjëra Mari është zgjedhur me vullnetin e Hyjit, atëherë kur populli i Zotit është pjekë në mendje, në zemër e në vuajtje, dhe është bërë gati për ta marr shpërblimin. Prandaj, Zoti nëpërmjet Virgjërës Mari, na e ka dhurua Krishtin, Shpëtimtarin e botës, Fjalën e Mishëruar, Zotin që ec mbi tokë, Zotin që fol me buzë njeriu, Zotin që shfaq dhe grish: ejani në mbretërinë time, ju që jeni të dërmuar nga vuajtjet e botës, e unë do t’iu çliroi. Ejani në jetë, ju që të jetoni në vdekje, sepse unë do t’iu ringjall. Ky është premtim i Krishtit.

Kisha, prandaj, e merr një dimension të ri, sepse populli i krishterë ecën bashkë me Mesinë e vet dhe e pret shëlbimin. Këtë frymë të fesë, këtë zjarr feje, shprese dhe dashurie, në kombin tonë dhe në këto troje e ka pru Shën Pali, me jetën, dëshminë, predikimin e vet.

Që atëherë fillon breznia e parë e kësaj kishe, e deri te Gjergj Kastrioti, sepse prej Shën Pali e deri te Gjergj Kastrioti kjo kishë, dhe gjithë populli brenda saj, ka ditë të lulëzoi, ta mësojë botën, të jep martirë dhe shenjtër Kishës universale; ka qenë burim i dashurisë dhe i paqes. Pastaj, mund të numërojmë breznitë prej Gjergj Kastriotit e deri te Pavarësia e Shqipërisë, deri te koha e Rilindjes, kur edhe njëherë të gjithë shqiptarët janë vetëdijesuar që nuk duhet të harrohet shpirti i lashtë/i vjetër, nuk duhet mohuar trashëgimia shpirtërore e përbashkët dhe duhet të respektohet liria e secilit, që çdokush të zgjedh vet në çfarë mënyre t’i drejtohet Zotit, me çfarë pritjesh t’i drejtohet drejt qielli apo me çfarë ndihme prej qiellit do me i përballu vuajtjes e botës.

Pastaj kemi brezninë e tretë, që kjo kishe e ka: prej Atë Luigj Palaj e deri te ne. E gjithë kjo histori e kishës, e njëkohësisht histori e popullit tonë, e vendit tonë e këtij nënqielli, është përballë me vuajtje të rënda, është ujitë me gjakun e martirëve, është frymëzua me jetën e shenjtërve të vet dhe është mbajtur gjallë me punën e palodhshme të bijve të Kishës. Këndej, ne sot duhet të falënderojmë Zotin për të gjitha të mirat që na i ka dhanë, sepse siç e kam thënë në ditën e festës së Shën Nënë Terezës në Katedralen e Prishtinës, Zoti e ka shpërblye vuajtjen tonë. Ai na e ka dhënë Nënë Terezën, e cila e përbush gjithë atë që na ka munguar në histori, si dëshmi e një shpirti që e do Zotin, si dëshmi e një njeriu që e do të afërmin. Prandaj, kur e pyetnin Nënë Terezën, pse sytë e tu shkëlqejnë, atëherë ajo përgjigjej se sytë e mi shkëlqejnë, sepse duart e mia kanë fshi shumë lot. Bëni edhe kështu, e do të shihni se do të t’iu shkëlqejnë sytë tuaj.

Edhe Selia e Shenjtë, me njohjen e Dioqezës Prizren-Prishtinë, na ka shpërblye besnikërinë dhe lidhshmërinë historike e të pashkëputshme prej Shën Pali e deri sot me Kishën e Romës dhe Papën.

Të dashur vëllezër e motra, miq dhe dashamirë që keni ardhur sot në kremtimin e kësaj feste, ne i kemi disa obligime për të gjithë: së pari, të shterojmë njëherë e përgjithmonë dyshimet tona dhe të biem në gjunjë për të falënderuar Zotin për të mirat që na i ka dhanë dhe po na jep. Së dyti, të kthjellojmë mirë në mendjen dhe zemrën tonë atë çfarë na ka ndodh e atë çfarë jemi, sepse një popull që nuk e mban mend vetveten, ai popull nuk ka të ardhme. Është e lehtë me harru, por pastaj është vështirë me e rigjetë.

Prandaj, dëshiroj t’i lutem Zotit që të gjendet një rrugë paqeje dhe pajtimi mes popujve, në mes nesh këtu në Ballkan, sepse sado që do të jetë e vështirë, paqja është më e dobishme se lufta, dashuria është më e fortë se urrejtja, falja është shumë më e dobishme se inati. Ani pse dhemb zemra kur duhet me i ba këto gjëra, por le t’i bëjmë sa herë që të jetë e nevojshme, sepse ne jemi bijtë e paqes e duhet të jemi popull paqedashës. Mbi të gjitha duhet ta falënderojmë Zotin për këtë paqe dhe të mësojmë të jetojmë në liri e paqe. Pasi liria dhe paqja nuk është ajo që tjerët nuk vijnë me ushtri dhe pushtete për të na sunduar. Ne kemi nevojë për lirinë e shpirtit, atë që na e thotë Shën Pali, kur ju drejtohet efesianëve, sepse po nuk e kemi lirinë e shpirtit, ne jemi rob, po nuk e kemi lirinë e zemrës, ne jemi skllevër. Kush na liron nga pushtimi i vetvetes? Guximi i shpirtit dhe dashuria e zemrës. Sot populli ynë ka nevojë për të qenë i lirë brenda zemrës së vet. I lirë për të zgjedhur atë çfarë e kënaqë zemrën e tij, për të zgjedhur uratën si do me ja paraqitë Zotit lutjen e zemrës së vet. Kush mundet me e pengu dikë që donë këtë uratë t’ia thotë shqip? Pse duhet ndokush të frikësohet ta dëgjojë këtë zë të bukur të shqipes, këngën e bukur që këndohen këtu (e drejton shikimin kah kori i të rinjve që kënduan në festë, v. j.)?

Sot, me gjithë njerëzit, Kishën dhe besimtarët, me ndërmjetësinë e Virgjërës Mari, i lutemi Hyjit tonë, të na pasuroi me shpresën e lume, të na pasuroi me praninë e të Birit të vetë, Zotit tonë Jezu Krishtit, të na pasuroi me gëzimin hyjnor, pa ngelur në trishtim për vuajtjet në botë, që të na aftësoi të bëhemi punëtorë të vyer të paqes mes njerëzve. Amen.

(Homelia e Imzot Dodë Gjergjit në festën e Lindjes së Marisë Virgjës dhe 100-vjetorin e ndërtimit të Kishës në Bec, më 8 shtator 2018. Transkribimi dhe titulli i shkrimit është bërë nga redaksia e Revistës “Drita”.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »