Kush është për ty Jezusi?

Sep 15 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXIV gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Is 50, 5-9

Profeti është i persekutuar nga patriotët e vet, dhe i beson mbrojtjen e tij Zotit, përderisa po vuan pikërisht për të. Kështu do t’i ndodhë edhe Jezusit që pranon mundimet, që zemra e njeriut të shërohet nga urrejtja. Dashuria duhet të ndjekë logjikën e pamëshirshme të kryqit: të vdesësh për shkak të urrejtjes që kanë të tjerët, që të tjerët të rijetojnë nëpërmjet dashurisë sonë. 

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua?  Le të dalim përballë njëri-tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë! Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë? Të gjithë ata do të brishtohen si petku, tenja do t’i brejë! Fjala e Zotit.

 

Psalmi   115

 

Ref: Do të eci në praninë e Zotit

——————————————

E dua Zotin sepse e dëgjon

zërin e lutjes sime;

sepse mbi mua e pruri veshin e vet

atë ditë që e thirra në ndihmë.

——————————————

Më kishin rrethuar leqet e vdekjes,

më kishin shtrënguar leqet e nëntokës,

më ndrydhën trishtime e dhembje.

Emrin e Zotit e thirra në ndihmë:

“Deh, o Zot, ma shpëto jetën!”

——————————————

I mirë e i drejtë është Zoti,

Hyji ynë është vetë mirësia!

Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve:

isha ngushtë e Ai më shpëtoi!

——————————————

Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes,

sytë e mi prej lotve,

këmbët e mia prej rënies.

Do të eci në praninë e Zotit

në tokën e të gjallëve.

——————————————

 

 

Leximi i dytë   Jak 2, 14-18

Shën Pali pohon se veprat e kryera sipas ligjit nuk na japin asnjë të drejtë mbi Hyjin.  Hyji na ka dashur i pari dhe falas.  Ne vetëm mund t’i besojmë kësaj dashurie.  Shën Jakobi miraton ato që thotë Pali dhe deklaron që një besim i vërtetë njihet nga frytet, nga një bamirësi e kujdesshme ndaj të varfërve dhe më të vegjëlve. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull

Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, dhe ndokush prej jush u thotë: “Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!”, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?! Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete. Por ndokush mund të thotë: “Ti ke fenë, kurse unë kam veprat.” Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do ta tregoj prej veprave të mia fenë. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tone Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota u kryqëzua e unë për botën.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mk 8, 27-35

Rritet urrejtja kundër Jezusit. Pagëzuesit iu pre koka. Jezusi parashpall se do të ketë të njëjtin fat të dhimbshëm të profetëve. Pjetri dhe apostujt nuk e pranojnë këtë diskutim. Vështirësia e tyre është edhe e jona, çdo herë që kryqi, i cili është simbol zbukurimi, bëhet një realitet skandaloz i jetës sonë.  Duhet të mësojmë të njohim se persekutimi dhe humbja na zbulojnë planin shpëtimtar të Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” Ata i përgjigjën: “Disa thonë se Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.” Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?” “Ti je Mesia!” – i përgjigji Pjetri. Ai u urdhëroi rreptësisht të mos i tregojnë askujt këtë gjë për të. Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. Jezusi u suall, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djallë, se nuk i ke ndërmend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”. Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Njeriu a ka nevojë për shpëtim? A ekziston një shpëtimtar për njeriun? E kush është ai? Akoma sot qarkullojnë zëra e gjykime kundërshtuese mbi Jezusin e Nazaretit. Dikush e mban për të ditur, një mësues morali, e di-kush e refuzon. Por identiteti i tij i vërtetë është ai i shpallur nga Pjetri. “‘Po ju, kush thoni se jam?’. ‘Ti je Mesia!’ – iu përgjigj Pjetri”. Pjetri tregon se e sheh mirë kush është Jezusi: ‘Ti je Krishti’, Mesia, i shumëprituri nga e gjithë historia.

Të ‘parët’ e Pjetrit është besim, një shikim që është vetëm dhuratë e Hyjit. Ajo e Pjetrit është shpallja e besimit të krishterë: Jezusi është Biri i Hyjit, Hyji i vërtetë e njeri i vërtetë, shpëtimtari i vetëm i të gjithë njerëzve. Ky është besimi i apostujve, besimi për të cilin kanë dhënë jetën martirët.

“Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë”. Për herë të parë flet për kryqin, skandal për të gjithë, edhe për Pjetrin, i cili nuk donte ta lejonte të shkonte në Jerusalem, ku nëpërmjet kryqit të tij do të shpëtohemi. Jezusi qorton Pjetrin, që kundërshton logjikën e kryqit, e urdhëron të vijë pas tij . Është djallëzore të mos pranojmë që dhurata e shpëtimit na arrin nëpërmjet kryqit. “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes”. Kush do të ndjekë Jezusin duhet të mohojë vetveten.

Jeta e krishterë është pohimi i pagëzimit, si mohim i së keqes, e si zgjedhje e jetës së re. Ekzistenca e krishterë është vdekja dhe ngjallja e përditshme.

 

 

Lutja e Besimtarëve

L. Vëllezër e motra t’ia drejtojmë lutjen tonë Hyjit Atë, që Jezusi, Biri i tij dhe shpëtimtari ynë të jetë gjithnjë e më shumë i njohur nga të gjithë njerëzit. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën: që me fjalët dhe veprat t’i japë një dëshmi të guximshme Krishtit që shpëton çdo njeri e çdo popull. Të lutemi.

L. Për të gjithë njerëzimin që kërkon paqe dhe drejtësi: që Zoti të vendosë në zemrat e tyre mendime paqeje, dhe që ne të krishterët të dimë të shfaqim fytyrën e dashurisë së Hyjit. Të lutemi.

L. Për ata që vuajnë dhe të sëmurët: që të dinë të bashkojnë vuajtjet e tyre me kryqin e Krishtit që shpëton botën. Të lutemi.

L. Për këtë bashkësi: që nga fjala e Hyjit të kuptojë se Krishti na shpëton dhe na bën krijesa të reja nëpërmjet gjakut të tij të çmueshëm. Të lutemi.

M. O Atë i mëshirshëm për dashurinë e Birit tënd të dashur, të ardhur në botë për të shpëtuar atë që kishte humbur, jepi atij që të kërkon gëzimin për të takuar, atij që të ka tradhëtuar hirin e faljes, atij që të është besnik aftësinë për t’u rritur në diturinë e Ungjillit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.  Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »