Nëna solidare me dhimbjet e njerëzimit

Sep 15 • Meditimi i ditës

15 shtator 2018 – E shtunë, Shën Maria Virgjër e Dhimbshme, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 5, 7-9; Ps 30, Gjn 19, 25-27 ose Lk 2, 33-35)

 

Prania e Hyjit

Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta po më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendosi në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të gjej mburojën në zemrën e tij që dashuron.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e mbledhur vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.


Gjn 19, 25-27

 

25 Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. 26 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës:

“Grua, ja, yt bir!”

27 Pastaj i tha nxënësit:

“Ja, nëna jote!”

Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Maria bëri një vend në zemrën dhe trupin e vet në mënyrë që Hyji të mund të vinte në botë. Këtu i kërkohet prej saj për të bërë një vend edhe për mua, gjë që ajo e bën me kënaqësi.
  • Historikisht, Marinë nganjëherë e kanë quajtur “Zoja e të poshtërve/bastardëve”. Ky është një titull qesharak që ia kanë ngjitur mëkatarët, të cilët tekstin e sotëm e kanë konsideruar me një vlerë të madhe. “Të poshtrit/bastardët” besonin se manteli i Marisë mbulon të gjithë. Në fund, çdo person është vëlla dhe motër për të cilët ka vdekur Biri i saj. Pa marrë parasysh se sa mëkatar jemi ne të gjithë jemi anëtarë të familjes së saj. Këta njerëz ndoshta e kanë njohur më mirë zemrën e Hyjit sesa teologët e kësaj bote?
  • Nëna kurrë nuk i refuzon fëmijët e vet, madje edhe kur ata janë kokëfortë, rrugaçë. Kështu që edhe unë mund të gjej një vend nën mbrojtjen e mantelit të Marisë. 

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta hap zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Edhe në momentin e vdekjes tënde, zemra jote, Jezu, është e hapur për të gjithë ata që vuajnë. Ti e njeh dhimbjen e Marisë dhe Gjonit dhe kërkon prej tyre të bëjnë vend në jetën e tyre për njëri-tjetrin.

Çfarë mund tëmësoj nga Maria dhe Gjoni derisa ti, o Jezu, më thërret të jetoj më afër tyre? Ti kërkove prejMarisë dhe Gjonit që të bëjnë vend në jetët e tyre për marrëdhënie të reja kujdesi; edhe unë jam i/e ftuar për ta bërë të njëjtën gjë? Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »