Njeri me humor (jo) të mirë

Sep 19 • Meditimi i ditës

19 shtator 2018 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Kor 12, 31-13, 13; Ps 32; Lk 7, 31-35)

 

Prania e Hyjit

Unë nuk jam vetëm kur rri këtu, në këtë moment që po përpiqem të lutem.

Krishti është i pranishëm në njerëzit rreth meje.

Krishti është këtu pranë meje, duke më pritur, gati për të hyrë në jetën time, duke pritur ftesën time.

Pra, le ta filloj lutjen time duke pranuar praninë e tij dhe duke e ftuar atë.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat vetjake,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çka Hyji kërkon prej meje,

që t`ia lëshoj veten udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?

Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,

a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?

Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj me vëmendje e kuptim;

vërej fjalinë apo ngjarjen që më më lë përshtypje.


Lk 7, 31-35

 

Në atë kohë Jezusi i tha popullit të vet:

31 Me kë, pra, t’i krahasoj njerëzit e kësaj breznie? Kujt i përngjasin? 32 U përngjasin fëmijaçave që rrinë ndër sheshe dhe e thërrasin njëri‑tjetrin, sipas asaj fjale:

‘Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet; bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’

33 Erdhi Gjon Pagëzuesi; as nuk hëngri bukë as nuk piu verë, e ju thoni: ‘Ka në trup djallin.’ 34 Erdhi Biri i njeriut: Ky ha e pi, e ju thoni: ‘Ja, gopçi, pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve!’

35 Por Urtisë i japin të drejtë bijtë e saj.”


Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi i përshkruan njerëzit që nuk reagojnë, që nuk janë në humor të mirë. I përngjajnë një adoleshenti që është i ngrysur, cinik, i pavullnet dhe i mërzitur, duke i mohuar të gjitha ftesat dhe sugjerimet. E pra, kjo është një gjendje që e përjetojmë të gjithë ne herë pas here. Çfarë ftese për të kremtuar dhe për të falënderuar mund të jetë duke ma bërë tani Zoti, që unë nuk jam në disponim për ta dëgjuar?
  • Dhe në çfarë mënyrash, që unë s`jam në gjendje t`i vërej, mund të jetë duke më ftuar Zoti të më vijë keq dhe të pendohem?
  • Ndërsa e dëgjoj përsëri leximin, a mund ta dëgjosh frustrimin në zërin e Jezusit? – ngacmimin e një njeriu ftesat e mirësjellshme të të cilit hidhen poshtë dhe injorohen?

 

Bashkëbisedimi

A mund t’i kërkoj Zotit tani që të transformojë në mua çdo lloj humori të keq, padisponimi? – për të më ndihmuar të dëgjoj ftesat e tij të ëmbla në jetën time dhe për t’iu përgjigjur me ngazëllim dhe kënaqësi?

 

Përmbyllja

Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje e frymëzim që më dhe gjatë këtyre momenteve të kaluara me ty. Lutja e përditshme na ndihmon të kërkojmë frymëzim, premtim dhe shpresë në jetën tonë. Ne e pranojmë dritën e Zotit, dhe disponohemi duke e njohur Zotin. Ajo gjithashtu është një ftesë për ne për të pranuar vërtet lajmin e mirë në zemrat tona. O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë që edhe më shumë të kërkoj. Ma mbush zemrën time me dashuri për ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »