A je person i drejtë (nga vetvetja)?

Sep 20 • Meditimi i ditës

20 shtator 2018 – E enjte, Shën Andrea Kim Taegon dhe shokët, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Kor 15, 1-11; Ps 117; Lk 7, 36-50)

 

 

Prania e Hyjit

Gjëja që përpiqem të bëj këtu është që ta lë kohën më një anë

dhe të përqendrohem në jetën time, në atë trupore – në kohë, dhe në atë shpirtërore.

Provoj ta imagjinoj Jezusin sesi është ulur afër meje

dhe lus me të për gjithçka që është duke më ndodhë në jetë.

Mundohem ta kuptoj se në mundësi të panumërta

Jezusi hyn në rrethana të përditshme të jetës sime.

E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.

Shtypja, ngarkesa dhe detyrime të ndryshme shpesh herë e shtyjnë këtë vetëdije për praninë e Zotit në jetën time të përditshme. Jam i/e vetëdijshëm/e për këtë, dhe dëshiroj të bëj diçka.

Tash për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur kundruall asaj çka dëshiron të më thotë prania e Tij.

 

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur kundruall asaj çka Zoti kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vetvete?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Në qoftë se vetëm diçka nga kjo ekziston në mua,

a mund të provoj t`i largoj këto brengosje që më shqetësojnë?

 

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej ç` dëshiron të më thotë.

E dëgjoj tekstin e Shkrimit Shenjt, pastaj përgjoj ç`po ndodh në zemrën time…


 

Lk 7, 36-50

 

36 Një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 37 Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, 38 zuri vend pas tij, te këmbët e tij dhe, duke qarë, filloi t’ia lajë këmbët me lot, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.

39 Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.”

40 Jezusi mori fjalën dhe i tha:

“Simon, dua të të them diçka.”

“Fol, Mësues!” ‑ iu përgjigj ai.

41 “Një huadhënës ‑ vazhdoi Jezusi ‑ kishte dy borxhlinj. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë denarë. 42 Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta dojë më fort?”

43 Simoni iu përgjigj:

“Mendoj ai, të cilët i fali më shumë.”

“Mirë pleqërove! ‑ i tha Jezusi.

44 Dhe, si u soll kah gruaja, i tha Simonit:

“A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. 45 Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, që kur hyri, nuk pushon së puthuri këmbët e mia. 46 Ti nuk ma leve kokën me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. 47 Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.”

48 Atëherë i tha gruas:

“Të janë falur mëkatet!”

49 Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendonin me vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!”

50 Por ai i tha gruas:

“Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”


 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • `Iu falën mëkatet e shumta.’ Imagjinoji këto fjalë që thuhen për ty. Si ndikojnë në ty – çfarë ndjenjash zgjojnë në ty? A e dallon veten të përshkruar në këtë histori?
  • Jezusi e paraqet një figurë këtu të një personi të drejtë – ose të një personi të drejtuar nga vetja, të vetë-justifikuar – që do pak. A e njeh veten këtu? A i përshtatet ky përshkrim vetës sate, qoftë edhe në një masë fare të vogël?

Dëgjoje sërish pjesën e dytë të këtij pasazhi, se si Jezusi i flet kësaj gruaje dhe Simonit, fariseut. A mund ta imagjinosh veten si të ishe ndonjëri prej këtyre personazheve? Me cilin prej tyre më së shumti identifikohesh?

 

 

Bashkëbisedimi

Jezusi këtu e bën lidhjen midis faljes dhe dashurisë, midis të qenët shumë i/e falur dhe shumë i/e dashur – faljes së madhe dhe dashurisë së madhe.

A ka kjo kuptim për ty?

Bisedo me të tani se ku mund ose nuk mund ta shohësh atë lidhje në jetën tënde personale, si ndjehesh në lidhje me atë që ai thotë, se si dëshiron t`i përgjigjesh …

 

 

Përmbyllja

O Zot, faleminderit për këto momente që munda t`i kaloj vetëm me ty. Ti po më flet në tekstin e Shkrimit të shenjtë. Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme. Më mëso që ta njoh dorën tënde në veprim në jetën time të përditshme. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »