Hapet qendra Sociale-edukative “Loyola Tranzit” në Prizren

Sep 21 • Kulturë, Res socialis

Të mërkurën, më 19 shtator 2018, është hapur solemnisht Qendra Sociale-Edukative “Loyola Tranzit”, e cila i dedikohet fëmijëve të komuniteteve RAE. Kjo qendër është një rezultat i angazhimeve të personelit të Shkollës Loyola që ka bërë tash disa vite aktivitete edukative e sociale me komunitetet RAE, në vende të ndryshme në rrethin e Prizrenit dhe më gjerë. Loyola po tregon se edukimi integral, i tërësishëm i nxënësve dhe krijimi i ndjenjës së solidaritetit ndaj shtresave të brishta të shoqërisë duhet të jetë nderi ndër prioritet e procesit të edukimit dhe formimit të gjeneratave të reja në Kosovë.

Pjesë e solemnitetit të hapjes së këtij institucioni të veçantë edukativo-social, ishin personalitete të shumta të institucioneve vendore e ndërkombëtare, qytetarë e fëmijë, si dhe stafi e nxënës të Gjimnazit “Loyola”.

Drejtori i Shkollës Loyola, Axel Bödefeld, tha se hapja e kësaj Qendre ka ardhur si rrjedhojë e angazhimit të nxënësve tanë, të cilët gjatë një hulumtimi në terren kanë nxjerrë rezultatet se shumë fëmijë të komuniteteve për shkaqe të ndryshme, nuk po mund të ndjekin mësimet nëpër shkolla përkatëse. Numri i tyre është mjaft shqetësues.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se kur e shohim këtë objekt, nuk shohim vetëm objektet, por edhe përkushtimin për të bërë një punë të mirë. Vetëm kur bëjmë punë vullnetare i ndihmojnë komunitetit, theksoi ai.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, e vlerësoi lartë hapjen e kësaj Qendre, dhe tha se jemi duke bërë përpjekje bashkë me ndërkombëtarë që t’u krijojmë kushte të gjitha komuniteteve që ato të edukohen”.

Ndërkaq, ish Presidentja, Atifete Jahjaga, tha se shkollat janë përgjegjëse për një edukim të mirë. Të sigurohemi se shkollat përmbushin misionin e tyre edukativ, dhe u zotua ta mbështesë këtë shkollë edhe në emër të fondacionit “Jahjaga”.

Kurse, se sa do të jetë e rëndësishme puna e kësaj Qendre për fëmijët e komuniteteve RAE, tregon koordinatori i këtij institucioni të sapo hapur, Krenar Mustafa. I lumtur me hapjen e kësaj Qendre, ishte edhe Rikardo Serri, përfaqësues i zyrës së BE-së në Kosovë. Ndryshe, kostoja financiare e ndërtimit të këtij projekti është 800 mijë euro, në mbështetje të Qeverisë së Gjermanisë dhe disa fondacioneve të këtij shteti. Në këtë institucion nuk do të zhvillohet proces i rregullt arsimor, veçse do të punohet me fëmijë nga mosha 2.5 vjeç deri tek ata më të rriturit të moshës 18 vjeçare.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »