Kërkoji Zotit shërim

Sep 21 • Meditimi i ditës

21 shtator 2018 – E premte, Shën Mateu (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 4, 1-7.11-13; Ps 18; Mt 9, 9-13)

 

 

Prania e Hyjit

Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)

Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tuana çojnë në

qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë sime

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar përkujdesjen tënde ndaj meje.

 

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj, ta dëgjoj Fjalën e Zotit me vëmendje dhe kuptim,

dhe do të ndalem në atë fjalë, shprehje ose ndodhje që më prek, që më lë mbresa.


 

Mt 9, 9-13

 

9 Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.

10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, ja se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij:

“Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?”

12 Jezusi, kur i dëgjoi, u përgjigj:

“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.”


 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Mateu ishte një mbledhës taksash – tagrambledhës. Tagrambledhësit përçmoheshin. Ata ishin të përjashtuar, por Jezusi e ftoi njërin prej tyre në rrethin e tij të ngushtë. Çfarë po të thotë kjo për qëndrimin e tij ndaj njerëzve?
  • Mateu nuk heziton. Çfarë guximi, të lësh gjithçka, thjeshtë ashtu, dhe të fillosh përsëri! A ka ndonjë gjë në jetën tënde që dëshiron ta bësh me një fillim të ri, ashtu si te kjo histori e ungjillit?

Dëgjoje sërish historinë e ungjillit dhe këtë herë përpiqu ta paramendosh darkën me Jezusin dhe tagrambledhësit dhe mëkatarët, kurse jashtë farisenjtë me hundët e tyre përpjetë.

 

 

Bashkëbisedimi

Jezusi këtu e krahason veten me një mjek – një doktor, ka ardhur për t`u sjellë shëndet dhe shërim mëkatarëve. Imagjinoje veten të ulur ose duke qëndruar para tij tani dhe kërkoji shëndet dhe shërim që ke nevojë.

 

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty. Po e pyes veten: Çfarë pe Jezuste Mateu? Me siguri ndonjë mirësi të fshehur thellë, një shpresë të paplotësuar, dikë që është i gatshëm për shpëtim. 

Ti pe, gjithashtu, se Mateu është i gatshëm të të dëgjojë dhe të të përgjigjet. Jezus gjatë kohës që më shikon, e sheh tërë potencialin tim, të gjitha rezistencate mia – dhe vazhdon të më thërrasësh! Do të përpiqem që në të ardhmen të gjej kohë qetësie e heshtjeje në të cilën do ta dëgjoj zërin tënd dhe do të jem i/e gatshëm për të shkuar pas teje. Po të lavdëroj, o Zot, qënuk pret deri sa të mendoj se jam i gatshëm, por më thërret edhe duke qenë unë i/e padenjë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »