Shërbimi është pushtet i vërtetë!

Sep 22 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXV gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Urt 2, 12.17-20

Nga Kaini e më vonë njerëzit dhe shpesh edhe besimtarët kanë kërkuar me të gjitha format të detyrojnë të drejtët të heshtin. Prania e të drejtit nuk pushon së denoncuari poshtërsinë tonë. Njerëzit edhe sot, të verbër nga arsyetimet e tyre, duan shkatërrimin e të drejtit, duke ripërtërirë dënimin e padrejtë të Krishtit. Por pas vdekjes së tij edhe xhelati dëshmoi: Ky është Biri i Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Urtisë

Thanë të paudhët: “T’i vëmë pritë të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë. Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta dhe të shqyrtojmë çfarë mbarimi do të ketë: nëse i drejti është vërtet bir i Hyjit. Ai patjetër do ta ketë kujdes dhe do ta shpëtojë nga duart e kundërshtarëve. Ta vëmë në sprovë me fyrje e me mundime e ta shohim butësinë e sedrës së tij, ta sprovojmë durimin e tij. Ta dënojmë me vdekje të turpshme: sepse siç thotë ai, shpëtimi do t’i vijë!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   54

 

Ref: Ti, o Zot, je mburoja ime

—————————————

Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd,

me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.

O Hyj, vështroje lutjen time,

prire veshin nga fjalët e gojës sime!

—————————————

Sepse krenarët u çuan kundër meje,

mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin:

për Hyjin ata s’kanë kujdes.

—————————————

Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë,

shpirtin tim ai po e merr ndore.

E unë me ëndje do të të kushtoj fli,

do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot,

sepse është i mirë.

—————————————

 

Leximi i dytë   Jak 3, 16 – 4, 3

Ne të gjithë, thotë Jakobi, hapim luftë. Mosbesimi ynë, lakmia jonë, koprracia jonë janë shkaqet e çdo lufte. Duhet të jemi miqtë e Hyjit për të fituar mbi grindjet dhe ndarjet. Vetëm kur paqja e Hyjit mbush zemrën, ajo nuk provon më as zili, as dëshira të çrregullta. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull

Fort të dashur, ku është smira dhe grindja, atje ka pështjellim dhe çdo të keqe. Kurse urtia që vjen prej së larti më se pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtiracake. Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe. Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nga lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; griheni e luftoni. Nuk keni, pse nuk luteni. Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mk 9, 30-37

Jezusi kërkon t’i përgatisë dishepujt për fundin e tij tragjik, që do të jetë një ndërkohë përpara shpresës përfundimtare. Por ata ushqejnë akoma shumë interesa dhe mburrje, kërkojnë në mbretërinë e Jezusit një pozicion për t’u dukur, diskutojnë mes tyre për të pasur vendet më të rëndësishme.  Nuk e kanë mësuar akoma mësimin e kryqit: përvujtërinë, varfërinë dhe shërbimin.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi dhe nxënësit e tij kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, sepse mësonte nxënësit e vet. U thoshte: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh.” Ata nuk morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesin.  Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti: “Mbi çka biseduat rrugës?” Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.” Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në midis të tyre, e mori ngrykë dhe u tha: “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Njerëzit sot kërkojnë pushtetin. Por, cili është pushteti i vërtetë? Pushteti i vërtetë është të mos kesh pushtet, si fëmija. Pushteti i vërtetë është dashuria, sepse dashuria nuk ka pushtet. Nëse ka pushtet është mbizotërim.

“U thoshte: ‘Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin’. Është një ngjarje thelbësore që do të ndodhë e ata duhet të jenë të përgatitur për ta jetuar. Jezusi përsërit lajmin e mundimeve, që e kishte shpallur tashmë, e pohon se Hyji vetë dorëzon Birin e njeriut në duart e njerëzve, që i përkasin popullit të tij, për ta vrarë. Nga kjo udhë pa rrugëdalje vjen lajmi i ngjalljes. Por dishepujt nuk kuptojnë asgjë nga fjalë e Jezusit.

“Si hyri në shtëpi, i pyeti: ‘Mbi çka biseduat rrugës?’”. Dishepujt nuk e kanë kuptuar rëndësinë e fjalëve të Jezusit e gjatë rrugës ishin grindur mbi çështjen se cili prej tyre ishte më i madhi e kishte më shumë pushtet.

“Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.” Ndërsa për dishepujt ‘më i madhi’ është më shumë se të tjerët, për Jezusin ‘i pari’ është shërbëtori i të gjithëve. Nëse ti je i disponueshëm t’u shërbesh të gjithëve domethënë se nuk e konsideron veten më shumë se të tjerët.

“Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua”. Një fëmijë në atë kohë nuk vlente asgjë, sepse nuk kishte pushtet. Ai nuk mbizotëronte as dënonte asnjë. E pastaj Jezusi identifikohet me fëmijën, domethënë me njeriun pa pushtet.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, të bashkuar si familja e Zotit në ditën në të cilën kremtojmë Pashkën javore, t’i lutemi Zotit që dituria e kryqit të na çlirojë nga tundimi i ndereve dhe i privilegjeve, për t’u vënë në shërbim të të gjithëve. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Na dëgjo, o Zot.

L. Që shërbyesit e Hyjit të mos lodhen duke i shpallur Botës dashurinë dhe mëshirën e Hyjit. Të lutemi.

L. Që të gjithë ata që janë të ngarkuar me përgjegjësi, t’i zhvillojnë përgjegjësitë e tyre me shërbim bujar për ata që kanë më shumë nevojë. Të lutemi.

L. Për ata që janë në vuajtje, që të jenë të ngushëlluar; për ata që janë në varfëri, që të jenë të ndihmuar; për ata që janë trajtuar padrejtësisht, që të njohin solidaritetin konkret të vëllezërve. Të lutemi.

L. Për ne që marrim pjesë në këtë Eukaristi, që, të ushqyer nga korpi dhe gjaku i Krishtit, të dimë të bëhemi shërbëtorë të të afërmve, nën shembullin e Jezusit. Të lutemi.

M. O Hyj, që pasuron jetën e besimtarëve me shumicën e dhuratave të Shpirtit, dëgjoji lutjet tona: na ndihmo të pasurohemi shpirtërisht, për të jetuar në paqe me ty dhe me të afërmin, e për të kundruar krijimin me shikim dashurie. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »