Edukimi i ndërgjegjes  ndaj vlerave ‘universale’ dhe ‘të shenjta’

Sep 24 • Opinion

Përsiatje e kumtuar me rastin e manifestimit “Takimet e Dom Mikelit 2018” (Stubëll, 22 shtator 2018)

 

Nga Don Dominik Qerimi, Sdb

 

Prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

“Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është afër!  Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka ‑ me lutje dhe me lutja të përcjella me falënderim ‑ paraqitjani Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus. Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua ‑ atë bëni ‑ dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.” (Fil 4, 4-9)

Letra i drejtohet bashkësisë së krishterë në qytetin e Filipit – qytet në Maqedoninë e lashtë, dhe që është shkruar diku rreth vitit 62, ndërkohë që Pali po vuante i mbyllur dhe i braktisur (nga të gjithë) në burgun e Romës. Në të Shën Pali përpiqet t’u lë porositë e fundit të krishterëve që ishin të shtypur nga vuajtjet dhe përndjekjet për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Krishtit Jezus. Në këtë letër, siç dëgjuam Shën Pali i nxit të krishterët që të jenë shembull duke qenë ata që duhet të kenë për zemër çdo gjë që është e mirë, çdo gjë që është virtyt dhe që është me vlerë.

Megjithatë të flasësh sot fëmijëve dhe të rinjve – dhe jo vetëm atyre – për vlera apo për virtyte, duket se është një çështje e pakuptimtë,  që i përket një kohe dhe bote tashmë të kaluar. Të flasësh sot, në kohën dhe në shoqërinë në të cilën jetojmë, për vlerën e besimit, atdhedashurisë, besnikërisë, lirisë, bukurisë, të së vërtetës,  të drejtësisë, të së mirë… është sikur t’i t’iu flasësh atyre në një gjuhë të pakuptueshme

Sa për të kuptuar atë që dua të them, po një prej vlerave më të thjeshta: vlerën e lirisë!  – Para se të filloja ligjëratat mbi kapitullin që fliste për vlerën universale dhe të shenjtë të lirisë, me tridhjetë e dy nxënës të klasave të XII – andaj jo fëmijë por të rinj 17-18 vjeç – desha të kuptojë më parë çfarë mendojnë të rinjtë për lirinë. Në fund të orës u lash një detyrë shtëpie: të zgjidhnin tre personat që, sipas tyre, janë “ikona, heronj apo shembull për tu ndjekur” për sa i përket vlerës së lirisë. Në befasinë time të madhe, nga tridhjetë nxënës, vetëm dy përmenden Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, një Adem Jasharin, një Ismail Qemailin. Pjesa më e madhe e tyre kishin zgjedhur persona me famë nga bota e sportit, e muzikës apo spektaklit. Por katër prej tyre (dy prej të cilëve me rezultat të shkëlqyeshëm) kishin vendosur si ikonën dhe shembullin e personit të lirë: Kim Jon Un, kryetarin, apo atë ashtuquajturin diktatorin e Koresë së Veriut.

Sipas ‘aksiologjisë”, asaj dege të filozofisë etike që ka për objekt studimin e vlerave,  për njeriun gjërat jo vetëm ekzistojnë, por ato edhe kanë vlerë ose nuk kanë; janë të vlefshme apo nuk janë të vlefshme. Andaj, nuk është e mundur që njeriu të jetojë pa vlera, për derisa është i tillë – pra njeri – por, ajo që njeriu mund të bëjë është përpjekja që t’i injorojë ato. Megjithatë, përpjekja për të pasur një jetë pa vlera, nuk bën gjë tjetër veçse lë në shpirtin e njeriut një boshllëk, zbrazëtirë e cila domosdoshmërish do plotësohet me disa vlera tjera, e që shumë herë nuk janë tjetër veçse anti-vlera.

Dikur vlerë “e shenjtë”  kanë qenë besimi/feja, marrëdhënia e krijesës me Krijuesin e shprehur në mënyra dhe konfesione të ndryshme; sot duket se feja e vetme është ‘mos përcaktimi’, relativizmi dhe sinkretizmi dhe fetar, etj.

Dikur vlerë e shenjtë ka qenë atdheu, sot njerëzit nuk dinë më të dallojnë atdhedashurinë nga diskriminimi dhe racizmi, nga nacionalizmi që nuk është dashuri për atdheun, por urrejtje për të gjithë ata që janë jashtë kufijve të vendit tim, për të gjithë ata që janë “ndryshe”;

Dikur njerëzit kanë vdekur për atdheun dhe kur kanë pasur mundësinë ta bëjnë këtë gjë e kanë quajtur veten me fat, sepse kanë pasur një arsye të ‘shenjtë për të cilën të jetojnë dhe të vdesin’; ndërsa sot njerëzit vdesin në përpjekje për t’u larguar për ta braktisur atdheun, duket quajtur atdhe çdo vend që i krijon një jetë me mirëqenie ekonomike më të lartë, edhe pse kjo mirëqenie ekonomike shpesh herë është e shoqëruar me zbrazëti vlerash dhe humbje të identitetit;

Dikur familja ka qenë një gjë e shenjtë dhe e padiskutueshme; dikur populli ynë thoshte “Mos lashtë Zoti asnjë shtëpi, pa pleq e pa fëmijë!”;  sot fëmijët shihen si një pengesë e lirisë dhe realizimit të karrierës së prindërve të tyre; ndërsa pleqtë shihen si një peshë/barrë nga e cila sa më shpejtë që është e mundur të shkarkohemi aq më mirë është;

Dikur vlerë e shenjtë për popullin tonë është mbajtur “besa/besnikëria” andaj asaj edhe i janë thurur vargje të tëra dhe janë krijuar legjenda e mite që t’i frymëzojnë brezat e rinj që të jenë ‘njerëz të besës’; ndërsa para tre vitesh Donald Lu, ambasadorit amerikan në Shqipëri, u shkruan qytetarëve një letër të hapur ku thotë: “Kisha lexuar për ju që jeni popull i besës. Mbase kjo ka ndodhur në historinë e largët. Apo e kanë shqiptarë që unë ende nuk i kam njohur. Pasi politikanët tuaj nuk ka si bëhen më të pabesë.”

Dikur vlera të “shenjta” kanë qenë: liria, drejtësia, sakrifica për ata që duam, vetëmohimi në përpjekje për të ndihmuar ata që janë të dobët; dashuria, dëgjesa, shërbimi dhe respekti ndaj prindërve, veçanërisht ndaj pleqve… etj. Sot jemi duke bërë çmosin që vlerat e shenjta dhe universale t’i zëvendësojmë me anti-vlera.

Dikur njerëzit janë frymëzuar nga figurat e mëdha historike: figurat që kanë frymëzuar me heroizmin e veprave të tyre, por mbi të gjitha me një jetë të virtytshme. Dikur në popullin tonë Gjergj Kastrioti shihej si hero dhe model për t’u imituar. Jeta dhe të bëmat e tij të lavdishme këndoheshin dhe tregoheshin në çdo vatër familjare… Sot të vetmet figura frymëzuese duket se kanë mbetur ato që na i imponojnë Mass-mediat dhe që na i shesin si model të njeriut të përsosur.

Andaj, do doja që mos ta harrojmë një fakt: nëse fëmijët tanë, që ne e trajtojmë si të ardhmen e një vendit, nuk edukohen në vlera të shenjta dhe universale, përmes frymëzimit që marrin nga figurat e virtytshme dhe heroike siç është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Nënë Tereza e shumë e shumë të tjerë, atëherë ata do edukohen në ‘antivlera dhe do krijojnë  heronjtë e tyre’  duke u frymëzuar më shumë nga Kim Jon Un se sa nga GjK-S dhe më shumë nga Kim Kardashian dhe motra e saj se sa nga Nënë Tereza.

Në këtë ditë kur po kujtojmë 550-vjetorine vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dua të kujtoj thirrjen e poetit francez, Pierr Ronsard që në vitin 1621, në një periudhë kur rreziku “turko-osman” po mbërrinte te dyert e Wienës, andaj te dyert e Evropës së përçarë dhe lajkatare, kështu i drejtohej popullit të tij francez:

“O francez të mjerueshëm, me liri të nënshtruar …

Ndryshoni në të mirë fatkeqësinë tuaj

Nëse jeni të krishterë dhe me vlerë,

Imitoni Skënderbeun,

dhe të keni pak turp,

që pabesia e Barbarëve t’u zbusë.”

Andaj, edhe ne sot nuk duhet të harrojmë vlerat për të cilat ka jetuar, luftuar dhe vdekur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai ka shpenzuar jetën e tij duke luftuar:  

  1. Në mbrojtje të fesë, gjegjësisht të fesë së krishterë, që në atë kohë dhe në atë hapësirë nuk ishte një çështje dosido, por gjithë popujt evropian të mesjetës ishte pjesë thelbësore dhe e pandashme jetës personale, familjare dhe shoqërore… Dhe këtu nuk bën përjashtim as populli ynë arbëror, për të cilin krishterimi (i lëkundur mes erërave të Lindjes dhe të Perëndimit) ishte pjesë e identitetit të tij tash katërmbëdhjetë shekuj;
  2. GjK-S mbrojti vlerën atdhedashurisë: duke luftuar gjer në frymën e fundit në mbrojtje të atdheut, popullin, principatës, fisit, familjes dhe tokës së tij dhe të paraardhësve të tij; duke e mbrojtur dhe duke mos e braktisur atë edhe atëherë kur iu afruan shumë propozime dhe alternativa qoftë nga perëndimi qoftë nga lindja;
  3. GjK-S luftoj për të mbrojtur vlerën e gjuhës, kulturës, traditës,… historisë së popullit të vet dhe falë luftës së tij për këto vlera, ne sot gëzojmë atë liri që më mundëson mua të flas mbi këtë foltore, e ju të jeni të pranishëm në këtë manifestim.
  4. GjK-S luftoi për të ruajtur ‘besën’, duke qëndruar besnik ndaj popullit dhe aleatëve të tij, në listën e të cilëve në vend të parë ishte Selia e shenjtë, përmes papëve Nikollës V, Eugjenit IV, Kalikstit III, Piu II, Pali II; mbretëria e Napolit (përmes Alfonsit V dhe Ferdinandit II); Venediku (kur u leverdiskej atyre);  Janosh Huniadi… e shumë, e shumë të tjerë. Kurrë dhe në asnjë moment nuk e ka tradhtuar ndonjërin prej tyre edhe atëherë ku është dashur t’ua kthejë shpatën për të mbrojtur vendin dhe popullin e tij;
  5. GjK-S për t’i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve të tija bëri një luftë plot sakrifica të gjatë njëzet e pesë vite; shumë herë i braktisur nga të gjithë; shumë herë i tradhtuar nga aleatët, miqtë dhe familjarët e tij; një luftë “absurde” e një ‘grusht’ luftëtarësh që po përpiqeshin t’i bënin ballë një perandorie së cilës në të njëjtën kohë as Kostandinopoja, Roma e re nuk mund i bëri ballë; GjK-S nuk pushoj së luftuari deri në çastin e vdekjes;
  6. GjK-S zgjodhi vlerën e faljes në vend të hakmarrjes, atëherë kur një ndër miqtë e tij më të ngushtë dhe gjenerali më i guximshëm, Moisi Golemi ia ktheu shpinën dhe menjëherë më pas nipi i tij, Hamëz Kastrioti bëri të njëjtën gjë. Kush më shumë se këta dy do e meritonin vdekjen nga vetë dora e Gjergjit;

Meqenëse këtë meditim e kam filluar me një letër, me letrën e shën Palit apostull të cilin ai e kishte shkruar i mbërthyer në burgjet romake dhe në prag të vdekjes së tij si martir, dua të sjellë disa pjesë të shkëputura nga libri i autorit Stephan Zannovich në librin e tij “Le Grand Castriotto d’Albanie Histoire” (“Kastrioti i Madh i historisë së Shqipërisë”), botuar në vitin 1779 nga Shtëpia Botuese “J. J. Kesler”, në Frankfurt dhe që na sjellin fjalimin, amanetin e fundit që Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në shtratin e vdekjes i jep princave arbëror të tij dhe udhëheqësve të popullit: 

“Jam në prag të varrit. PO ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar.

Në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të.

Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar… Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme;

Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje…

Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit: ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…

Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje.

Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj… Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që t’i frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt… Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes… Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë… Shihni Perandorinë e Kostandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar… Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, nga maturia në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve… Mos përbuzni askënd… Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë.

Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar.

Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet.

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre.

Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashëgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.”

Andaj, në fund do doja t’i bëja vetes dhe juve një pyetje: Kush është GjK-S dhe kujt i përket ai?

GjK-S, së bashku me Nënë Terezën, kanë qenë dy kometa, dy kometa që kalojnë çdo pesëqind vite mbi qiellin e “zymtë” të historisë sonë. Por dy kometa dritën e të cilave e ka parë gjithë Evropa për heroizmin dhe guximin e besnikërisë së njërit dhe dashurinë që bëhet shërbim i pakushtëzuar i së tjetrës. Dy kometa që kanë kaluar mbi qiellin tonë, por rrezet e dritës të së cilëve ende vezullojnë në sytë e shpirtit tonë.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është i çdokujt dhe i askujt! GjK-S është i çdo personi që i do dhe i mbron vlerat që i ka dashur dhe mbrojtur GjK-S: familja, atdheu, liria, besimi, gjuha, kultura dhe historia.

Ai është i çdo personi që e çmon, e do dhe luftoj për të mbrojtur atdheun, tokën dhe vendin e vet!

GjK-S është çdo personi që e çmon, e do dhe lufton për lirinë!

Ai është i çdo personi që e do dhe e çmon identitetin e popullit dhe të familjes së tij.

Është i çdo personi që nuk turpërohet, por krenohet me paraardhësit e tij!

GjKS është i çdo shqiptari! Po aq sa është i një shqiptari katolik, është edhe i një shqiptari ortodoks, mysliman, relativist, sinkretist, ateist, etj. GjK-S është i çdo evropiani, i çdo njeri vullnetmirë në këtë botë, i cilitdo shtet dhe cilitdo kontinent qoftë, është i çdo njeri kudo qoftë në këtë botë që i do vlerat dhe virtytet për të cilat GjKS jetoi, luftoi dhe vdiq.

Duke kujtuar ‘klithjen’ e Voltairit, që po komentonte rënien e Kostandinopojës në duart e Mehmet pushtuesit: “O po të kishte pasur Bizanti një Skënderbe, siç e pati Shqipëria!” do dëshiroja që këtu të bëja një parafrazim: “O po të kishte populli i Kosovës, i Shqipërisë, i Evropës dhe i botës sot një GjK./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »