Imzot Dodë Gjergji: Skënderbeu është si një pasqyrë, ku çdo shqiptar e rinjeh fytyrën e vet

Sep 24 • Kisha në Kosovë

Fort të dashur miq,

të nderuar zonja dhe zotërinjtë,

të nderuar autoritete civili e qeveritare,

vëllezër e motra!

 

Që në fillin e fjalës sime, më lejoni të falënderoj të gjithë intelektualët e vendit dhe institucionet e Kosovës,  që ndër vite e mbështesin këtë iniciativë. Mbi gjitha dëshiroj të shpreh falënderimet e mia atyre “veteranëve” të Takimeve të Dom Mikelit, që s’kanë munguar asnjëherë në këtë manifestim, që nga fillim -vitet e ‘90-ta.

Kësaj radhe ky manifestim merr dimensionin më të madh, pasi këtë vit historia na kujton që në vitin 1468 në Lezhë, vdiq Princi dhe Prijësi më i lavdishëm i gjitha kohërave, i paharrueshmi Gjergji ynë i Madh, i biri i Gjon Kastriotit, të cilin bota e ka njohur edhe si Skënderbe,  Aleat i Krishtit,  strateg i luftërave, diplomat i mprehtë dhe tmerri i otomanëve.

Populli ynë, e kujton me dhimbje të madhe vdekjen e këtij Kolosi, sepse  Arbnorëve, nuk ju vdiq vetëm Princi, Gjergji i quajtur Skënderbeu, por për ta vdiqën shekujt.

Sipas dokeve dhe zakoneve të veta, populli shqiptar edhe këtë dhimbje diti ta kthej në këngë. Prandaj, që atëherë e deri më sot, këngët për Gjergjin kanë ngushëlluar brezat, kanë mbajte të gjallë kujtimet dhe s’kanë lejuar që të shuhet shpresa e rikthimit të lavdisë paragjegjiane e popullit tonë. Edhe pse zija për Gjergjin akoma është e pashme në shaminë e mirditoreve, të cilat që atëherë e deri më sot “mbajnë zi për të”.

Prelatët e gjitha kohërave, që nga Pal Engjëlli e deri te Pjetër Bogdani, edhe nga Bogdani e deri të rilindësit, s’kanë pushuar kurrë duke u përpjekur që të mbajnë gjallë, jo vetëm kujtimin mbi Gjergjin, po edhe frymën e dashurisë për vetën, vendin si dhe për vlerat fetare, kombëtare dhe gjuhësore të popullit shqiptar. Falë sakrificës së tyre dhe të besimtarëve e besimtareve, që i mbetën besnikë Gjergjit, janë ruajtur të pakëputura fijet e njeriut tonë me fenë e të parëve, me kodin zakonor që e quajmë “Kanu”, me gjuhën e vjetër shqipe, me doket dhe zakonet e njerëzve, që mbi kokë mbajnë plisin ose për veshje kanë fustanellën.

Falë Zotit, gjatë kohës së Rilindësve, këtij misioni iu bashkuan shumë burra dhe gra, të cilët me dashuri të papërshkrueshme janë përpjekur që në mendjen dhe zemrën e gjithë kombit të restauronin kujtesën historike dhe të ringjallnin shpresën për të ardhmen e shqiptarëve e trojeve të tyre, duke ia afruar secilit figurën e Skënderbeut si një pasqyrë, ku çdo shqiptar do ta rinjihte fytyrën e vet.

Që nga ajo kohë, shqiptarët e krishterë dhe myslimanë, u bashkuan si vëllezër e motra duke u betuar në flamurin e Gjergjit dhe duke u mbështetur në trashëgimin e tij. Me flamurin e tij  bënin  dasmë  e mort,  fshinin lotët e djersën, prinin në beteja dhe lidhnin plagët e tyre

Dua të falënderoj Zotin dhe të parët tanë, që na bëjnë sot krenarë me Kishën Katolike, pasi që ajo prej vdekjes së Skënderbeut e deri te Rilindja jonë e vonuar kombëtare, s’ka pushuar kurrë duke frymëzuar, kultivuar dhe mbrojtur pasurinë e kombit, si thesarin e vet. Duhet të thuhet edhe se, gjatë kësaj kohe, po edhe më vonë, Kisha jonë ka qenë observatori më i mirë nga ku shqiptarët kanë pas mundësi ta njihnin të shkuarën e tyre dhe të shihnin të ardhmen e vet. Këndej, kushdo që sot përpiqet të ndaj kombin nga kisha, s’do bëj gjë tjetër pos që do ta shpërfytyroj kombin dhe ta përbuzë sakrificën historike që ajo ka dhanë për të ruajtur vlerat tona.  

Sot, populli jonë përsëri ka nevojë për unitet, për të siguruar të ardhmen e vetë nëpërmjet dialogut me bashkësinë ndërkombëtare dhe me fqinjët e vet;  për të përforcuar shtetësinë dhe liritë e të gjithëve në vendet tona; për të integruar kombin në familjen e popujve të qytetëruar, për ta ruajtur laicitetin e shtetit dhe multireligjiozitetin e shoqërisë shumë etnike, tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën ndërvëllazërore mes njerëzve. Sidomos është e nevojshme, që të mirat e përbashkëta të përdorën në dobi të secilit dhe  që gjithë të dimë të sakrifikojmë për të ardhmen tonë të përbashkët.

Nuk mund të kërkojmë nga udhëheqësit tonë politikë dhe elita kombëtare, e as nga masa e popullore, që të gjejnë një Skënderbe të ri për t’i zgjidhur hallet tona. Porse, mund dhe duhet të insistojmë dhe të kërkojmë nga të gjithë që të mësojmë nga ai, që:

  • të gjejmë guximin e kthimit nga e gabuara dhe kaluara personale te vlerat e përbashkëta;
  • të kemi vullnetin për unitet dhe të mos lodhemi kurrë duke diskutuar për të mirën e  përbashkët; 
  • të mbetemi besnik ndaj të tonës dhe konsekuentë në angazhimin e përbashkët për të ruajtur trashëgimin e secilit, pa e rrezikuar të ardhmen tonë europiane me nostalgjitë e vjetra;
  • të jemi të ndershëm, të përgjigjshëm dhe të ndërgjegjshëm, sidomos për përgjegjësit që kemi për të ardhmen, duke mos lejuar që interesat e dikujt të cenojnë të fatin e ndonjërit prej nesh;
  • të mos hezitojmë të përqafojmë sakrificën që nevojitet për të mirën e përbashkët dhe për të ardhmen e të gjithëve;
  • dhe të mos kemi frikë të përballmi me vetën tonë dhe me nevojat e të afërmve, të arrijmë pajtimin me fqinjët tanë nëpërmjet dialogut dhe të gjejmë rrugën e bashkëpunimit për të mirën e përbashkët me të gjithë kombet.  

Në fund, duke ju uruar punë të mbarë, dëshiroj të shprehë falënderimet e mija dy qeverive tona, në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nxitën të kujtojmë, diskutojmë, studiojmë dhe të festojmë me një mënyrë më të veçantë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, duke shpallë vitin 2018 Vit Jubilar  të Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjess. Punë të mbarë dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!/drita.info

(Fjala e plotë e Imzot Dodë Gjergjit në Manifestimin letrar, kulturor dhe shkencor “Takimet e Dom Mikelit 2018”, Stubëll, 22 shtator 2018.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »