Ki kujdes mënyrën se si dëgjon!

Sep 24 • Meditimi i ditës

24 shtator 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fu 3, 27-34; Ps 14; Lk 8,16-18)

 

 

Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Ma jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, kujdesi dhe bashkimi.

 

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

 

Fjala

Lexoje, dëgjoje pasazhin, pjesën e Shkrimit Shenjt me vëmendje e kuptim, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.


 

Lk 8, 16-18

 

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës:

16 “Askush nuk e ndez dritëzën për ta vënë nën ndonjë enë ose për ta vënë nën shtrat, por e vë përmbi pishtar që ta shohin dritën ata që hyjnë.

17 Jo po, s’ka asgjë të fshehtë, që nuk do të zbulohet, as fshehtësi që nuk do të dihet e nuk do të dalë në dritë.

18 Prandaj kini kujdes si dëgjoni: sepse, kush ka, do t’i jepet më, kurse atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që kujton se e ka.”


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • “S’ka asgjë të fshehtë, që nuk do të zbulohet, as fshehtësi që nuk do të dihet e nuk do të dalë në dritë.” Kur i dëgjoj këto fjalë, a të duken si një kërcënim për ty apo si një premtim? Lajm i keq apo lajm i mirë? Diçka që duhet të kesh frikë, apo diçka që duhet t`i gëzohesh?
  • A ka ndonjë pjesë të jetës tënde, të punës apo marrëdhënieve të tua që është pak “në hije” – që ti tenton, dëshiron ta mbash në errësirë; që ke frikë ta sjellësh në dritë?
  • “Kush ka, do t’i jepet më, kurse atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që kujton se e ka.” – kjo deklaratë mjaft paradoksale shfaqet në të gjithë ungjijtë dhe është gjithmonë diçka si një enigmë për të krishterët. Por këtu në ungjillin e Lukës, vijon nga mësimi, “Kini kujdes se si dëgjoni”. Ky sugjerim, që ka diçka të bëjë me dëgjimin dhe kuptimin, a mund të të sjell më shumë kuptim në paradoks?

“Kini kujdes mënyrën se si dëgjoni.” A mund ta bësh këtë, ndërsa e dëgjon pjesën e ungjillit përsëri?

 

 

Bashkëbisedimi

A mund t’i kërkosh Zotit tani, me fjalë tua, të hedh dritën e tij mbi ty dhe mbi jetën tënde, për të të dhënë dritë, për të të dhënë një kuptueshmëri më të madhe?

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Secila prej thënieve në ungjillin e sotëm ndërlidhet me rolin e nxënësit, dishepullit. Nuk mund të ketë nxënës, dishepullim anonim. Ungjillina thërret që të jetojmë në dritën dhe të vërtetën,pa marrë parasysh koston, çmimin. “Të jesh nxënës i fshehtë është një kontradiktë në kuptim, sepse fshehtësia e mbytë nxënësin ose nxënësi e mbyt fshehtësinë.”

O Zot, të jesh i krishterë sot është një sfidë. Nëkohë të vështira tundohem ta fshehdritën time, të mbes anonim, të hesht në siklet, i/e turpëruar. Kur fitili i dritëzës sime meket, ose është duke u fikur, forcoji, o Zot, rrezet e saja dhe bëj që përsëri të bëhem dritë-bartës, pishtar shprese, për të gjithë ata që i takoj në jetën e përditshme. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »