Midis pasurive të tepruara dhe varfërisë dëshpëruese

Sep 26 • Meditimi i ditës

26 shtator 2018 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fu 30, 5-9; Ps 118; Lk 9,1-6)

 


Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit Shenjt.

Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde.

Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëjpër t’u përgatitur për Zotin.

 


Liria
Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Kërkoj hirin që t`i lejoj Shpirtit Shenjt që të më mbushë me plotësi.

 


Ndërgjegjësimi
Si po e përjetoj/ndiej sot veten time?
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.


Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


 

Fu 30, 5-9

 

5 Çdo fjalë e Hyjit është e sprovuar

dhe është mburojë për ata që shpresojnë në të.

6 Asgjë mos u shto fjalëve të tija

që të mos qortohesh

e të dalësh rrenacak.

7 Të lutem të më japësh dy gjëra,

mos m’i moho deri të vdes:

8 dëboji prej meje kotësi e gënjeshtër,

mos më jep as skamje as pasje,

më jep vetëm sa më kërkohet për jetesë;

9 sepse, tepër mirë i ngirë, mund të të mohoj

e të them: “Kush është Zoti?”,

ose, i shtytur nga varfëria e tepërt, të vjell,

e kështu ta çnderoj emrin e Hyjit tim.


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në këto fjalë nga Libri i Fjalëve të urta, të shkruara mijëra vjet më parë, a po e sheh një të vërtetë të stërlashtë? Shkrimtari duket se vëren dy pengesa për besimin, dy rreziqe që mund ta pengojnë atë që të jetojë një jetë besnike: pasuritë e tepruara nga njëra anë dhe varfëria dëshpëruese nga ana tjetër. A ka pasur ndonjë kohë në jetën tënde, apo ekziston ndonjë fushë e jetës sate, ku ke pasur pasuri, më shumë sesa ke nevojë, ku nuk e ke ndjerë, ose nuk e ndien më nevojën për Zotin?
  • Apo ka pasur ndonjëherë ndonjë moment në jetën tënde, apo në ndonjë fushë të jetës sate, ku ke bërë diçka që e di se është gabim – ke mashtruar, vjedhur, gënjyer – nga varfëria a dëshpërimi apo vetëm për të mbijetuar?

Tani, kur ta dëgjosh leximin përsëri lëviz nga të reflektuarit mbi vetveten për të reflektuar për botën rreth teje. Ky paralajmërim në lidhje me rreziqet e pasurisë dhe të varfërisë a gjen jehonë në jetët që i kalojnë njerëzit rreth teje? A të duket koment i drejtë për botën në të cilën jeton?

 

Bashkëbisedimi
“Mos më jep as skamje as pasje, më jep vetëm sa më kërkohet për jetesë.” – A është kjo një lutje që mund të bësh sot? Nëse jo, çfarë do të kërkoje tani nga Zoti?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Papa Françesku  ëndërron një kishë të varfër për të varfrit. Si nxënës të Ungjillit Kisha sot duhet të varet nga Hyji, dhe jo nga prona, pushteti apo prestigji. Vlera e vetme që vlen është pasuria e Lajmit të mirë – Ungjillit.

Nxënësit e sotëm duhet të përqendrohen vetëm në Hyjin. Vetëm atëherë fuqia e hirit të Hyjit do të jetë e lirë dhe pafund efektive. Në këtë mënyrë do t`ia sjellë “Lajmin e mirë” botës që e ka humbur rrugën e saj dhe do t`ia “shërojë sëmundjet” e saja kudo. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »