Jezusi: Kush nuk është kundër nesh, është me ne!

Sep 29 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXVI gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Nr 11, 25-29

Dy burra që nuk i përkisnin grupit të të shtatëdhjetëve të zgjedhur nga Moisiu, marrin Shpirtin e profecisë. Për këtë arsye Jozuehu është xheloz për ta dhe i kërkon Moisiut t’i ndalojë që të profetizojnë. Shpirti i Hyjit fryn aty ku do. Është e nevojshme të dimë të njohim veprimin e tij dhe të pranojmë me përvujtëri ndërhyrjet e tij kudo që të shfaqen. 

 

Lexim prej Librit të Numrave

Në ato ditë, Zoti zbriti në re dhe zuri të bisedojë me Moisiun. Nga shpirti që ishte në Moisiun mori dhe u dha shtatëdhjetë burrave pleq. Kur Shpirti pushoi mbi ta, filluan të profetizojnë, por këtë nuk e bënë askurrë më. Porse dy pleq ndenjën në tëbanishtë. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Edhe mbi ta pushoi Shpirti. Edhe këta ishin shënuar, por nuk erdhën te tenda.  Kur filluan të profetizojnë në tëbanishtë, vrapoi një djalosh e i tregoi Moisiut me këto fjalë: “Eldadi e Medadi po profetizojnë në tëbanishtë!” Jozuehu, biri i Nunit, që Moisiu e kishte zgjedhur t’i shërbejë qysh të ri, tha menjëherë: “Ndalojau, Imzot, Moisi!” Kurse Moisiu përgjigji: “Po a ke smirë për mua? Eh, po të ishte e mundur që i tërë populli të profetizojë e Zoti t’ia jepte Shpirtin e vet!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   19

 

Ref: Urdhërimet e Zotit japin gëzim

————————————-

I përsosur është Ligji i Zotit,

shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

————————————-

E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta,

të gjitha njënjë të drejta.

Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,

më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.

————————————-

Ruaje shërbëtorin tënd, o Zot, prej krenisë,

që të mos më zotërojë ajo;

atëherë do të jem i patëmetë,

i pastër krejtësisht prej mëkatit të madh.

————————————-

Shërbëtori yt me kujdes i mëson:

t’i mbash ato është fitesë e madhe.

Porse kush i heton gabimet?

Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta.

————————————-

 

Leximi i dytë   Jak 5, 1-6

Është skandaloze, pohon apostulli Jakob, që një i krishterë zotërues i pasurive të mëdha, harron të varfërit që kanë të drejtë të jenë të ndihmuar. Nuk ekziston një pasuri individuale dhe kolektive që të jetë e pafajshme: do të thotë, kombet e pasura apo personat e pasur janë pasuruar gjithnjë e më shumë në kurriz të kombeve të varfëra apo të personave të varfër.

 

Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull

Kujdes, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarr! Keni mbledhur visare për ditët e fundit! Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet; dhe ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së ushtrive! Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndellet në ëndje të prujta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes! E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Fjala jote, o Zot, është e vërteta: na shenjtëro në të vërtetën.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mk 9, 38-43.45.47-48

Jezusi qorton dishepujt që nuk tolerojnë dhe u kujton atyre që askush nuk mund të monoplizojë besimin në Krishtin. Të veprojnë në emër të tij do të thotë që ata duhet të pranojnë vetveten, të rinjihen si vëllezër: ja një nga shenjat dalluese të Kishës primitive. Kështu duhet të jetë gjithmonë Kisha armike e çdo diskriminimi, shenjë dhe vend vëllazërimi.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Gjoni i tha Jezusit: “Mësues, e pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.” Jezusi i tha: “Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua. Kush nuk është kundër nesh, është me ne. Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë përse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet. Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do të ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det. Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë. E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr ku krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Askush nuk ka monopolin e së vërtetës dhe të shpëtimit. Ne të krishterët kemi vetëm detyrën për të vlerësuar gjithçka që, në botë, shfaq praninë shpëtimprurëse të Krishtit.

“Mësues, e pamë një njeri që … nuk na ndiqte.” Në protestën e Gjonit ekziston egoizmi i grupit që pretendon monopolin e të bërit mirë. Ia vlen të jesh i Kishës në masën në të cilën je i Krishtit. “Kush nuk është kundër nesh, është me ne”. Kush kryen mrekullitë në emër të Jezusit e ka njohur tashmë autoritetin e tij. Bashkësia e besimtarëve në Krishtin është shumë më e madhe se grupi i vogël i dishepujve e Jezusi i fton të tijtë të mos mbyllen në një mentalitet të ngushtë.

Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë …”. Jezusi premton shpërblimin e vërtetë, domethënë jetë e amshuar, atyre që, edhe pse të huaj, do të mirëpresin dishepujt në emrin e tij. Gjëja themelore është të pranosh autoritetin e emrit të Jezusit dhe të hysh në bashkim me të.

“Për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve të mëkatojë …”. Skandali është një pengesë, që provokon rënien e besimit në të vegjlit, që besojnë në Jezusin. Skandali i vërtetë lind nga veprimet tona, nga dëshirat tona. Jezusi flet për dorë, sy dhe këmbë, që janë vendi i instikteve të ndryshme njerëzore. Dora është vendi i veprimeve të liga. Këmba, vendi në kuptimin e rrugëve të gabuara. Syri shpreh dëshirën për të zotëruar një gjë, apo një person.

 

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër dhe motra, fjala e Zotit na ka ftuar të vihemi në shërbim të njëri-tjetrit. T’i lutemi Atit që të kemi një shpirt mikpritjeje për të gjithë, duke zbuluar të mirën e pranishme në të afërmin. Të lutemi së bashku e të themi:

Na dhuro, o Zot, fuqinë e Shpirti tënd!

L. Që Kisha t’i dëshmojë gjithmonë me guxim botës praninë e Krishtit edhe kur ndonjëherë duhet të vuajë për Ungjillin. Të lutemi.

L. Që pluralizmi, mendimet e ndryshme mos të jenë shkak ndarjesh, kundërshtimesh, por të na ndihmojnë të rritemi si një familje njerëzore. Të lutemi.

L. Që të gjithë ata që vuajnë, të kenë nga ne mbështetje dhe ndihmë për një kthim në jetën normale. Të lutemi.

L. Që bashkësia jonë famullitare të dijë të vlerësojë dhuratat e secilit në shërbim të Kishës e të jetë e bashkuar në shpalljen e ungjillit. Të lutemi.

M.Dëgjoje, o Atë, zërin e kësaj familje të mbledhur për të kremtuar misterin e pashkëve në ditën e ngjalljes së Zotit: bëj që duke marrë nga burimi i ujit të gjallë, të shpallë me një entuziazëm të ripërtërirë të renë e përhershme. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »