Ndjekës “(jo) zyrtarë” të Krishtit

Sep 30 • Meditimi i ditës

30 shtator 2018 – E diela 26-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Num 11, 25-29; Ps 18; Jak 5, 1-6; Mk 9, 38-43.45.47-48)

 

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.
Mos qofsha kurrë aq tepër i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të përqendrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet të jem i/e vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin e Ungjillit të sotëm
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë nëdisa pjesë të tij.


 

Mk 9, 38-43.45.47-48

 

38 Gjoni i tha:

“Mësues, pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.”

39 Jezusi i tha:

“Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua.  40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne.

41 Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë sepse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet.”

42”Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë (në mua) të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det.

43Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr ‑ në zjarr që s’fiket kurrë.

45 E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. [46]47 Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr. 48 Ku ‘krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.’


 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ndjekësit e Jezusit nuk duhet të jenë grup njerëzish përjashtues, të veçantë apo ekskluziv që përbuzin veprat e mira të të tjerëve. Na jepet zemër që të punojmë së bashku me të krishterë të tjerë dhe vërtet me çdo person të vullnetit të mirë.

Mburrja, lëvdatat nuk kanë vend në Mbretërinë e Hyjit. Shpirti Shenjt fryn si era ku të dojë dhe vepron në mënyrë të padukshme në çdo zemër. Hyji ka një vizion shumë më të madh se ne, dhe vepron në mënyrë që të harmonizohen të gjitha gjërat për të mirën e botës.

 

 

Bashkëbisedimi

Zot, po më flet nëpërmjet tekstit të Shkrimit Shenjt.
Të jesh nxënës(dishepull) nuk është një privilegjpersonal i nxitur nga xhelozia apo zilia. Ne nuk e kemi pushtetin ose monopolin mbi Jezusin. Është e nevojshme që ta njohim dhe ta vlerësojmë punën e mirë të bërë nga të tjerët. Në mbretërinë tënde, o Zot, nuk ka vend për përvetësim pushtetesh dhe rivalitete: ato janë një pengesë dhe shkak skandalesh.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

O Zot, braktisja e vetvetes dhe vëmendja kushtuar nevojave të vëllezërve dhe motrave tona janë shenja dalluese se të përkasim ty. Më thërret që të jem shkallë e ngritjes së të tjerëve, jo gurë për të marrë në thua ata. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »