“Të ruajtë Zoti!”
2 tetor 2018 – E martë, Engjëjt e Rojës (përkujtim), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës:Dal 23,20-23; Ps 90; Mt 18,1-5.10)
Prania e Hyjit
Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim që shumë e dëshiroj,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndjerë afërsinë e Hyjit;
kur kemi ecur së bashku, duke i lejuar që të jem i/e përqafuar nga dashuria e Hyjit?
Liria
Me hirin e Hyjit më është dhuruar jeta në liri.
Lirisht kënaqem në të mirat që Ai i ka krijuar për mua.
O Zot i dashur, bëj që të mund të jetoj ashtu siç e ke paramenduar ti,
me besim të plotë në përkujdesjen tënd të butë për mua.
Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë raporte – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.
Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.
Mt 18,1-5.10
1 Në atë moment nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:
“Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”
2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 3 e u tha:
“Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”
10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor.
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Mbretëria e qiellit përmendet tri herë në këtë pjesë të shkurtër të ungjillit. “Mbretëria e qiellit”; jo “torta në qiell kur të vdesësh”, por bota, kjo botë, siç do të donte Hyji që ajo të jetë. Si është ajo? Si do të ishte? Si e imagjinon këtë botë, të shndërruar, të transformuar nga ëndrra e Hyjit?
- Për ta bërë këtë botë të transformuar, thotë Jezusi, ju duhet të ndryshoni dhe të bëheni si fëmijët. Pse? Mendo për fëmijët që i njeh, se si janë. Çka është duke dashur Jezusi të arrijë me këtë?
- A mund t’i shohësh disa nga cilësitë pozitive, të ngjashme me fëmijën, te vetja jote apo te njerëzit që janë të rëndësishëm për ty?
- Ndërsa e dëgjon pjesën e Shkrimit Shenjt sërish, dëgjoje pyetjen e parë, atë që e bëjnë dishepujt, gjë që e nxit Jezusin të japë këtë përgjigje.
Bashkëbisedimi
Bisedo me Jezusin, me Zotin, se si do të mund të ndihmosh që pjesa jote e botës të jetë më shumë ashtu siç do ta donte Hyji sot.
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ti kujdesesh individualishtpër secilin prej nesh nëpërmjet engjëjve tanë rojtarë. O Zot, ma shto besimin se ti personalisht kujdesesh për mua? Të besosh në këtëështë një dhuratë e madhe feje. Nga ne kërkohet që të të besojmë si fëmijë të vegjël, natyra e të cilëve është të besojnë.
Po të falënderoj, o Zot, përkujdesin tënd – duke vëzhguar shenjat e tua në jetën time më ndihmo ta zhvilloj një marrëdhënie më të thellë me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« A e mirëpres mirësinë e pranishme te njerëzit e papëlqyeshëm? Si sillem me vuajtjet e mia të pamerituara? »