SH. B. “DRITA” merr pjesë në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018

Oct 3 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Shtëpia Botuese e Dioqezës Prizren-Prishtinë “DRITA”, merr pjesë në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018, i cili do të mbahet nga datat 4 – 7 tetor 2018, në ambientet e Kolegjit AAB në Prishtinë, ku do të marrin pjesë 50 botues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

 

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, është nismë e Kolegjit AAB, i pari i këtij lloji në vendin tonë, i cili ka për qëllim promovimin e botimeve më të reja para lexueseve, në veçanti të studenteve e të rinjve.

Pjesë e pandashme e Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018 do të jenë edhe ngjarjet kulturore që do të organizohen gjatë kohës sa do të mbahet panairi, si: promovime librash, punëtori, orë letrare e takime me shkrimtarë.

Deri tani pjesëmarrjen në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018, e kanë konfirmuar rreth 50 shtëpi botuese, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, lajmërojnë organizatorët.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë panair, është edhe transporti i siguruar falas për të gjithë vizitorët e panairit. Gjatë tërë kohës sa do të mbahet panairi, transporti nga qyteti në kampusin e AAB-së në Prishtinë dhe anasjelltas do të jetë falas, në çdo 15 minuta.

Botuesit do të ofrojnë ulje në çmimet e librave që do t’ i prezantojnë gjatë panairit. Kjo edhe mund të jetë një arsye më shumë të mos mungoni në këtë panair, e të pajiseni me librat e që doni t’i keni në bibliotekat e juaja.

Sh. B. “Drita” do të prezantohet me botimet e veta me çmime të volitshme, nga 30% – 50% zbritje. 

Për më shumë informacione rreth panairit, të interesuarit mund të shfletojnë faqen zyrtare të panairit: https://panairi.aab-edu.net/, apo të bëhen pjesë e komuniteti të panairit në profilin zyrtar në facebook panairiAAB./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »