Promovimi i Monografisë “25-Vjetori i themelimit të Misionit katolik Shqiptar në Luzern të Zvicrës”

Oct 7 • Kisha ndër Shqiptarë, Recension

Më 29 shtator 2018, Misioni Katolik Shqiptar në Luzern promovoi monografinë mbi historikun e tij, e botuar me rastin e 25 vjetorit të themelimit. Në këtë mbrëmje, të mbajtur në sallën e famullisë së Shën Antonit në Luzern, morën pjesë personalitete të ndryshme shqiptare dhe zvicerane. Mbrëmjen, pas përshëndetjes së moderatorit Simon Rosaj, e hapi Kori i Misionit “Imzot Nikë Prela” me këngën “Nitida Stella” e kënduar në latinisht dhe në shqip.

Më pas foli Don Agim Qerkini organizatori i kësaj mbrëmjeje dhe botuesi i librit. Në fjalën e tij Don Agimi përshëndeti të pranishmit dhe personalitetet e ftuara, duke sjellë në kujtim se, një vit më parë Misioni ynë ka qenë bashkuar për të kujtuar një tjetër ngjarje historike të ekzistencës së tij, atë të festimit të 25-vjetorit të themelimit. “Tashmë një vit më vonë jemi bashkuar për promovimin e monografisë mbi Misionin tonë, e cila e tregon të shkruar historinë 25-vjeçare të Misionit”. Në fjalën e tij theksoi që dëshira e ruajtjes së përhershme të shkrimeve të ndryshme, e shtyri që t’i mblidhte ato në një libër, të cilin sot e mbartim në duart tona. Ai me këtë rast falënderoi edhe të gjithë personat të cilët, në një mënyrë apo një tjetër, kanë dhënë ndihmesën e tyre që ky libër të dalë në dritë. Një falënderim të veçantë don Agimi ja drejtoi zotëri Hans-Peter Bucher, drejtor i përgjithshëm i Baritores së Emigrantëve në kantonin e Luzernit, i cili e ka mbështetur financiarisht botimin e monografisë.

Monsinjori ynë Imzot Dodë Gjergji nuk mund të përmbante gëzimin e pranisë së tij në mesin tonë. Vetë ai theksoi se është përherë kënaqësi të vinte për të na takuar dhe të na gjente kaq të gjallë. Ai e përgëzoi Misionin tonë për monografinë, e cila pasuron Kishën dhe historinë, duke falënderuar që ndihma jonë e vazhdueshme nuk i mungon dhe nuk do t’i mungojë asnjëherë Kishës në Kosovë.

Hans-Peter Bucher shprehu gëzimin e tij të jashtëzakonshëm për punën e bërë për botimin e librit, por edhe për punën që vazhdimisht bëhet në Misionin tonë. Ai e cilësoi Misionin e Luzernit si një ndër Misionet më aktive dhe më të gjalla ndër shtatë misionet e huaja për të cilët kujdeset zyra e tij. “Me një dhuratë të vogël i shprehu falënderimin e përzemërt Don Agimit, i cili është angazhuar në mënyrë intensive që ky libër të marrë formë dhe të dalë në dritë. “Në fakt puna e palodhshme e tij më ka lënë pa fjalë, sepse ishte dashur që unë si drejtues i Baritores së Emigrantëve t’i isha drejtuar dhe t’ia kisha kërkuar një gjë të tillë. Por jo, ka ndodhur e kundërta, është Don Agimi vetë i cili pa përtesë dhe lodhje i është futur punës duke e realizuar këtë projekt të bukur”- theksoi ai. Bucher i falënderoj të pranishmit për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në Mision, sepse në këtë mënyrë i mbajnë të gjalla gjuhën, traditat dhe kulturën që e kemi sjellë me vete.

Pas tij, fjalën e rastit e mori i ftuari Prof. Dr. Agnell Rickenmann, rektor i Seminarit Dioqezan i Dioqezës së Baselit. Ai solli kujtimet e tij mbresëlënëse, kur para 16 viteve pati rastin të merrte pjesë në festimet mbi 10-vjetorin e themelimit të Misionit. Theksoi se Misioni ynë është rritur jo vetëm në moshë por mbi të gjitha në fryt dhënie. “Gëzohem shumë që shumë të rinj nga Misioni juaj kanë zgjedhur të kryejnë studime teologjike apo të pedagogjisë së besimit fetarë, ku në një të ardhme do të punojnë në ambientet kishtare këtu në Zvicër”- theksoi ai. Më pas vazhdoi duke theksuar se ne të gjithë jemi shtegtarë dhe i përkasim vazhdimisht dy shteteve. Kjo gjë nuk e varfëron njeriun, por e pasuron atë duke e ndihmuar që të përshtatet kudo që ai shkon. Ai e mbylli fjalimin e tij me këshillën që të vazhdojmë të rritemi dhe që Misionin ta kemi si shtëpinë tonë të dytë.

Simon Rosaj drejtuesi i mbrëmjes, në mungesë të Don Albert Demajt, i cili për shkaqe familjare nuk mundi të merrte pjesë personalisht në këtë eveniment, ftoi Znj. Veneranda Qerimi të lexoj fjalën e rastit të përgatitur ai. Don Alberti në fjalën e tij bëri një përshkrim të përpiktë të përmbajtjes së monografisë. Ai theksoi disa pika të veçanta të cilat kanë të bëjnë me jetën e Misionit dhe me veprimtarinë e tij që janë të theksuara në libër. Një falënderim të veçantë ja shprehu edhe Don Agimit si autori i librit, për angazhimin dhe dhuratën që tashmë ja ka bërë Misionit dhe popullit tonë.

Mbrëmjen e mbylli kori i Misionit me një këngë mbi Zojën e Shkodrës. Më pas Forumi i grave me bashkëpunëtoret e tij mundësuan që të pranishmit të merrnin pjesë në një apero të begatshme e organizuar për këtë rast.

Pas kësaj mbrëmje, të nesërmen me datë 30 shtator besimtarët e të tre Misioneve tona u bashkuan në Shenjtëroren e Zojës në Mariastein për të marrë pjesë në meshën e falënderimit për ndihmat e bëra për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë. Mesha u mbajt nga Ipeshkvi ynë në Kosovë Imzot Dodë Gjergji. Me të bashkëkremtuan edhe misionarët tanë Don Pren Kola dhe Don Agim Qerkini, i pranishëm në këtë kremtim ishte edhe Don Mikel Sopi. Kënduan në meshë koret e të tre Misioneve.

 Në pretkun e rastit Mons. Dodë Gjergji shprehu mirënjohjen e tij të thellë për ndihmat e vazhdueshme të marra për ndërtimin e kishës Katedrale në Prishtinë. “Nuk ka qenë e lehtë për ju që të na mbështetni me ndihmat tuaja, sepse ju është dashur që vazhdimisht të dhuroni nga kafshata juaj që ne të shohim të ndërtuar Katedralen tonë. Jo vetëm katedralen, por edhe ndërtimi i shumë Kishave në Kosovë është bërë e mundshme prej jush. Zoti jua shpërbleftë me të mira të bollshme në jetën dhe familjet tuaja.” Monsinjori vazhdoi duke theksuar se besimtarët tanë të diasporës nuk duhet të lodhen duke e mbështetur Kishën, por edhe popullin tonë në Kosovë. Madje theksoi: “se ju jeni e Ardhmja e Kosovës”.

Në fund të meshës Don Pren Kola e falënderoi Monsinjorin për kremtimin e sapo mbajtur por edhe për mbështetjen e vazhdueshme atërore që ai ju bën Misioneve tona. Pas Meshe besimtarët patën mundësi që në ambientet para Kishës të mund të kalonin disa momente vëllazërore në praninë e bariut tonë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »