Zemërmirë
8 tetor 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e dites: Gal 1, 6-12; 40, 3-5; Ps 110; Lk 10, 25-37)
Prania e Hyjit
Kuptimi i jetës është misteri i Dashurisë;
si rrënjët e pemëve që mbahen fort për toke, ashtu janë rrënjët e dashurisë që e mbajnë bazën e të jetuarit tonë bashkë.
Liria
O Zot, më ke krijuar të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e rëniet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?
Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.
Lk 10, 25-37
25 Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti:
“Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”
26 “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?”
27 Dijetari iu përgjigj:
“‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“
28 Jezusi i tha:
“Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”
29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin:
“Kush është i afërmi im?”
30 Jezusi vazhdoi e tha:
“Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë.
31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën. 33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’
36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?”
37 Ai iu përgjigj:
“Ai që pati mëshirë për të!”
“Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Kur e dëgjon këtë histori, me cilin karakter, me cilin personazh identifikohesh? Te cili e gjen veten? Te viktima fatkeqe? Te Samaritani, i huaj i përçmuar? Te prifti apo leviti? Ndoshta te dijetari i ligjit që e pyet Jezusin për këtë çështje? Cilin rol mund ta imagjinosh veten se je duke e luajtur?
- Dijetari i ligjit i kërkon Jezusit: «Kush është i afërmi im?» Ai dëshiron një përkufizim nga Jezusi, një definicion të bukur, të qartë, një kufi, kështu që ai ta dijë se cilët njerëz janë të afërmit e tij dhe cilët nuk janë, cilët njerëz i duhet t`i dojë dhe cilët mund t`i injorojë. A e ke vërejtur ndonjëherë këtë dëshirë të njëjtë te vetja jote?
- Ndërsa e dëgjon pjesën e leximit përsëri, dëgjoje zhvendosjen delikate nga pyetja e dijetarit të ligjit se “kush është i afërmi im?” te pyetja e Jezusit “cili ishte i afërmi?”
Bashkëbisedimi
Ndoshta kjo lëvizje nga një shqetësim për limitet dhe kufijtë te një kujdes më bujar dhe më i hapur, më i përzemërt për të tjerët – kushdo që janë ata – është ajo që duhet të ndodhë, të zë vend edhe në zemrën time.Jezusi më fton të “shkoj dhe të bëj po kështu”: pra, a mund ta pyes tani që të më tregojë se si? – të më tregojë se kush më duhet të bëhem i afërmi i tyre sot?
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Kur e pyetënJezusin: “Kush është i afërmi im?” ai nuk jep një përkufizim por përgjigjet me një shëmbëlltyrë. Ky pasazhnga Ungjilli tregon se si përgjigjja duhet të vijënga zemra, jo nga koka.
Në lutje i kërkoj Zotit që të më ndihmojë që ta kuptoj me zemër se Jezusi është Samaritani i im i mirë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Promovimi i Monografisë “25-Vjetori i themelimit të Misionit katolik Shqiptar në Luzern të Zvicrës” Cila është gjëja e nevojshme në jetën time momentalisht? »