Cila është gjëja e nevojshme në jetën time momentalisht?

Oct 9 • Meditimi i ditës

9 tetor 2018 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gal 1, 13-24; Ps 138; Lk 10, 38-42)

 

Prania e Hyjit

Shpirti im shumë e dëshiron praninë tënde, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,

e gjej paqen dhe pushimin.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mund të të frymëzojë për të zbuluar ç`po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo ç`po ndodhë në zemrën tënde.


Lk 10, 38-42


38 Tashti, gjatë udhëtimit, [Jezusi] hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha:

“Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”

41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra.” A jam i/e shqetësuar apo i/e hutuar tani? Ku janë zemra ime dhe mendimet e mia tani, ndërsa përpiqem të lutem?
  • Maria bën atë që është e nevojshme: ajo e dëgjon fjalën e Hyjit ashtu siç i është folur asaj. A mund ta dëgjoj Jezusin sesi më thotë: “ke nevojë për vetëm një gjë”? Cila gjë është e nevojshme në jetën time momentalisht?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, paramendoje veten në vendin e ngjarjes, në shtëpinë e Martës dhe të Marisë. Çfarë u thotë Zoti atyre? Çka të thotë ty?

 

Bashkëbisedimi

Nëse nuk e vërej praninë e Hyjit në jetën time dhe humbas mundësinë për ta dëgjuar fjalën e Hyjit duke u zënë me gjëra të tjera, i/e  shqetësuar, i/e hutuar … a mund t’i kërkoj ndihmë Zotit? A mund t’i kërkoj Zotit që të më ndihmojë ta dëgjoj fjalën e tij, të më ndihmojë ta dëgjoj sa herë që më flet?

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Jezus, nuk i drejtohesh Martës për shkak punës së saj, por ia tërheq vërejtjen në mënyrë të butë për shkak të brengosjes që tek ajo kishte sjell shqetësim. Në vende të tjera Jezus, ti flet se si nuk duhet të jemi të brengosur çka do të hamë, çka do të pimë apo çka do të veshim, mirëpo nuk thua se nuk duhet të kujdesemi.

Jezus, ti ishe njeri me shikim të plotë në botë. Ishe i brengosur për shpirtin dhe trupin dhe mirë e dije që brengosjet e përditshme rreth suksesit, ushqimit, komoditetit dhe të tjerat mund ta rrëmbejnë mirënjohjen dhe vlerësimin e asaj që është më e mira. Dëgjimi i ëmbël i Marisë ishte pjesa më e mirë që ti e lavdërove. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »