Lutja, hyrje në një marrëdhënie me Zotin e dashur

Oct 10 • Meditimi i ditës

10 tetor 2018 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gal 2, 1-2.7-14; Ps 116; Lk 11,1-4)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar, o Zot.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë prej vdekjes.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

 Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin, pastaj do të shoh ç`po ndodh në zemrën time…


 

Lk 11, 1-43

 

1 Një ditë Jezusi po lutej diku në një vend. Kur e kreu lutjen, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”

2 “Kur të luteni ‑ u tha Jezusi ‑ thoni:

O Atë!

U shenjtëroftë Emri yt!

Ardhtë Mbretëria jote!

3 Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme!

4 Na i fal mëkatet tona,

sepse edhe ne i falim fajtorët tanë.

E mos lejo të biem në tundim!”


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësi në leximin e sotëm duket se mendon se lutja është diçka që e ka për detyrë ta bëjë dhe se Jezusi duhet t`i mësonte nxënësit e vet, nëse për asgjë tjetër, të paktën për shkak se këtë e bëjnë të tjerët – nxënësit e Gjon Pagëzuesit; një lloj mbështetje dhe lidhje shpirtërore me nxënësit e Gjonit. A ndihesh pak a shumë në të njëjtën mënyrë, se lutja është një lloj detyrimi, por pak enigmatike, e çuditshme, pak e vështirë?
  • Si lutesh zakonisht? Çfarë pret prej lutjes? Nëse nuk lutesh shumë, cilat janë gjërat që të shmangin për t`u lutur?

Jezusi na mëson të thërrasim Hyjin Atë. Kur lutemi ne nuk jemi duke ardhur te dikush prej të cilit duhet të kapim dhurata, por tek një Atë që kënaqet në plotësimin e nevojave tona. Lutja është hyrje në një marrëdhënie me këtë Hyj të dashur. Pra, ndërsa e dëgjon leximin përsëri – me rreshtat që – këtë herë – kanë më shumë distancë, kaloji disa momente që t`i lëshohesh secilës frazë – ashtu të themi, të qëndrosh duke i përtypur e shijuar fjalët. Shih a ka ndonjë fjalë ose frazë të veçantë që të bie në sy, që të lë përshtypje, që do të thotë diçka për ty sot?

 

 Bashkëbisedimi

Për çka ke nevojë sot? Cila është buka e përditshme për të cilën lutesh sot? A ke nevojë t`i kërkosh dikujt falje ose ta falësh dikë për lëndim të shkaktuar? A mos je duke u ballafaquar sot me ndonjë tundim? A ka ndonjë sfidë me të cilën duhet të përballesh që nuk mund t’i shmangesh? I nxitur nga mësimi i Shëlbuesit, Jezusit, silli nevojat e tua para Atit tënd të dashur.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Është e qartë se lutja ishte thelbësore për ty, Jezus – për identitetin tënd dhe misionin tënd. Lutja shpreh marrëdhënien tënde me Atin. Ti i mësove pasuesit e tu për t`u lutur, dhe vetë gjeje kohë për t’u lutur pa marrë parasysh se çfarë nevoja dhe kërkesa ekzistonin, të cilave duhej t`iu jepje përgjigje. A veproj edhe unë të paktën në mënyrë të ngjashme?

Lutja e Zotit tonë Jezu Krishtit është model për të gjitha lutjet. Përmban kërkesat (lypjet) esenciale për një lutje dhe jetë të vërtetë të krishterë. Po e pyes veten: A lejoj që kjo lutje të më formojë si person dhe të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e mia me ty, o Zot, dhe të afërmin? Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »