Feja, jo ligji, baza e jetës së Krishterë

Oct 12 • Meditimi i ditës

12 tetor 2018 – E premte, Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gal 3, 7-14; Ps 110; Lk 11, 15-26)


Prania e Hyjit

“Dëgjoje, o Zot, lutjen time, e britma ime të vijë te ti!

Ndërsa e dëgjoj këtë klithje, edhe unë e sjell lutjen time, nevojat dhe dëshirat e mia, ndjenjat, emocionet më të thella të zemrës sime përpara Zotit.


Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të shpreh ndjenja falënderimi.

Nëse ekziston diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lutem për falje.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit me vëmendje e kuptim,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo frazë që më prek, që më flet për jetën time.


 

Gal 3, 7-14

 

7 Dijeni, pra, mirë: ata që besojnë janë bijtë e vërtetë të Abrahamit. 8 E Shkrimi i shenjtë, duke paraparë se Hyji do t’i shfajësojë paganët me anë të fesë, që më parë ia dha Abrahamit këtë lajm të gëzueshëm: ‘Në ty do të jenë të bekuar të gjithë popujt!’ 9 Kështu, pra, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me Abrahamin besimtar.

10 E njëmend, ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: “Qoftë mallkuar secili që nuk mban e nuk zbaton gjithçka është shkruar në Librin e Ligjit!” 11 E se askush s’mund të shfajësohet para Hyjit me anë të Ligjit është e qartë, sepse: “I drejti do të jetojë me anë të fesë.” 12 Tashti Ligji nuk është prej fesë, por: “Kush e mban në të do të gjejë jetën.”

13 Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit duke u bërë Ai vetë Mallkim ‑ sepse është shkruar: “I mallkuar është gjithkush varet në kryq, ” ‑ 14 që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit në Krishtin Jezus: që Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt ‑ ta marrim me anë të fesë.


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Siç bëri edhe në leximin e djeshëm, Pali insiston përsëri dhe përsëri në fe, jo ​​në Ligj, duke qenë baza e jetës së krishterë. Dhe ai thotë se ne që besojmë jemi pasardhës të Abrahamit – jo nëpërmjet gjakut, por me anë të fesë – sepse besuam, ashtu siç besonte ai. Çfarë do të thotë për ty të quhesh bir apo bija e Abrahamit? – që Abrahami është “ati juaj në fe”?
  • Pali apostull vështirë se mund të shprehte më fort këtu kundërshtimin e tij ndaj Ligjit që iu imponua njerëzve – ndaj një mënyre të veçantë sjelljeje, një grupi të caktuar rregullash, duke u bërë fillimi i mbarimi i çdo gjëje. Jo, thotë ai, feja është ajo që ka rëndësi. Si reagon ndaj këtij mesazhi? A është sfiduese për ty? Çliruese? Apo çfarë?

Duke i dëgjuar fjalët e Palit, mund të gjesh ndonjë gabim tek ai, mund të mendosh se ai po e shtyn një argument të caktuar paksa shumë, por nëse e dëgjon përsëri, cili është thelbi i mesazhit të tij? Cili është qëllimi kryesor, e vërteta, që ai vërtet e dëshiron që ne ta marrim? 

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja kanë nxitur në ty këto fjalë kur i dëgjove?

Ndoshta je pak i/e hutuar me argumentin e Palit, ose i/e lehtësuar ose i/e shqetësuar për fenë, besimin tënd?

Cilado qoftë ndjenja jote, emocionet e tua, silli ato para Zotit tani: flit me të si miku me mikun.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Opozita me të cilën ballafaqoheshe, ti, o Jezus, ishte shumë e madhe. Ti i ke liruar njerëzit nga ndikimi i shpirtit të keq. Ua ke argumentuar njerëzve se si shpirtrat e këqij, djajtë mund të dëbohenvetëm me “gishtin e Hyjit”, që simbolizon fuqinë hyjnore. Me çdo fitore mbi të keqen Mbretëria e Hyjit bëhet gjithnjë e më e madhe dhe më e fortë. Edhe mua dëshiron të më lirosh prej ndikimeve të këqija. Po e pyes veten: A jam i/e zgjidhur, i/e çliruar me ndihmën e pushtetit tënd, o Zot, që të mund të përparoj në rrugën e shëndetit dhe rritjes? Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »