Ta ndjekësh Jezusin i lirë dhe i pamvarur nga posedimet!

Oct 13 • LEXIMET E SË DIELËS

 E diela XXVIII gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Urt 7, 7-11

Hebrenjtë kanë provuar gjatë shekujve magjepsjen nga urtia e popujve që banonin rreth tyre. Nga egjiptianët kanë mësuar se madhështia e vërtetë qëndron në të diturit; nga grekët kanë marrë kuptimin e bukurisë dhe të harmonisë së gjërave. Po çfarë janë këto të mira pa pasur një pamje të thellë të realitetit? Urtia e vërtetë është ajo që vjen nga Hyji, e cila i sheh gjërat ashtu siç janë realisht dhe njeh vlerën e vërtetë të tyre në raport me Hyjin.

 

Lexim prej Librit të Urtisë

U luta e më qe dhuruar mençuria, u përluta e më erdhi shpirti i urtisë. E çmova atë më shumë se mbretëritë e fronet, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të. Gurin e paçmueshëm as që e krahasova me të, sepse i gjithë ari në krahasim me të është si pak rërë, e argjendi për krah saj vlerësohet si baltë.  E desha më tepër se shëndetin e bukurinë dhe e parapëlqeva më fort se dritën, sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   90

 

Ref: Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës

—————————————-

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona

që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?

Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

——————————————

Na e ndiko në mëngjes mëshirën tënde,

e do të gëzohemi e do të galdojmë

të gjitha ditët e jetës sonë.

Gëzona për ditët që na mundove,

për vjetët që i kaluam në mjerim.

—————————————–

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,

shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,

bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,

të përparojë vepra e duarve tona.

—————————————–

 

 

Leximi i dytë   Heb 4, 12-13

Shpesh predikimet tona janë një sërë fjalësh boshe, ndryshe nga Fjala e Hyjit që është e mprehtë, e efektshme dhe provokuese.  Ajo denoncon pamëshirshëm dyfytyrësinë tonë, por është një fjalë që na çliron dhe u përgjigjet nevojave tona më të thella.

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Ati i Zotit tone Jezu Krishtit t’ju jape Shpirtin e dijes, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mk 10, 17-30

Në kohën e Jezusit hebrenjtë mendonin që të mirat dhe pasuritë ishin shenja të bekimit të Hyjit. Por Jezusi ka jetuar si i varfër dhe u ka mësuar apostujve që të jetojnë në të njëjtën mënyrë. Të krishterët e parë kanë jetuar një jetë të varfër duke pranuar të japin edhe jetën në momentin e persekutimit. Por nuk ishin vetëm dhe të pambrojtur: ishin të bindur se duke imituar Jezusin i jepnin kuptim jetës së tyre e cila pasurohej nga jeta e Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi doli në rrugë, një njeri u lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Jezusi i përgjigji: “Pse më thua ‘i mirë’? Askush s’është i mirë përveç një Hyji të vetëm! Urdhërimet i di: Mos vrit! Mos the kurrorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!” Ai u përgjigj: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.” Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: “Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajau skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë, dhe, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta. Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: “Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!” Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tija. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: “Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! Më lehtë është të përshkohet devja nëpër veshë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!” Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush do të mund të shëlbohet?” Jezusi ua nguli sytë dhe tha: “Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin: Hyji mund të bëjë gjithçka.” Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha: “Qe, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.” Jezusi i përgjigji: “Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babën, ose fëmijët, ose arat, e të mos marrë tani, në këtë botë, edhe pse me salvime, njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, e, në botën e ardhshme, jetën e pasosur.”  Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Çfarë shërben për të fituar jetën? E çfarë shërben për të jetuar mirë? Të gjithë njerëzit janë në kërkim të një përgjigjeje që i jep plotësi jetës. E përgjigja konsiston në dashurinë ndaj të afërmit dhe Hyjit.

“Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Jezusi po shkon në Jerusalem ku e di se do të takojë vdekjen. Një burrë i vjen përballë e ulet në gjunjë para tij, në shenjë besimi në mësimet e tij.

“Askush s’është i mirë përveç një Hyji të vetëm”. Asnjë njeri por vetëm Hyji mund të thotë si të fitosh jetën e amshuar. E rruga për ta fituar është zbatimi i urdhërimeve. I riu përgjigjet se ka zbatuar Urdhërimet që prej fëmijërisë së tij. Atëherë Jezusi i thotë: “Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke”. Jezusi ka vënë re se burrit tashmë i mungon vetëm një gjë e vetme për të realizuar këtë përkatësi të plotë ndaj Hyjit: duhet të jetë i lirë nga pasuritë e tij, për t’i bashkëndarë me të varfërit e për të ndërtuar kështu një ‘thesar në qiell’. Por burri trishtohet e refuzon ftesën e Jezusit. “Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit!”.

Jezusi nuk përjashton të pasurit nga Mbretëria e Hyjit, por do të na kujtojë rrezikun e pasurive që mund të na largojnë nga dashuria e Hyjit dhe të afërmit. Të gjithë edhe të varfërit ndjejnë joshjen e pasurisë e kjo mund të jetë një pengesë për të gjithë. Edhe një i pasur mund të hyjë në mbretërinë e Hyjit, por jo falë sforcimeve personale, por vetëm në virtyt të hirit të Hyjit.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Jezusi në Ungjillin e sotëm na shfaqet kërkues. Shpirti Shenjt na dhëntë forcën të vihemi në udhën e Krishtit. Të themi së bashku:

 

Na udhëhiq, o Zot, me Shpirtin tënd.

L. O Zot i gjithëpushtetshëm, bëj që Kisha jote të jetë gjithmonë e lirë nga çdo vartësi me të mirat tokësore. Të lutemi.

L. O Zot i gjithëpushtetshëm, jepu Shpirtin tënd të urtësisë të gjithë qeveritarëve të tokës, që të udhëheqin me ndershmëri dhe drejtësi shtetet e tyre. Të lutemi.

L. O Zot i gjithëpushtetshëm, na jep të gjithëve aftësinë për të hapur zemrat tona ndaj fjalës sate dhe na bëj që të kuptojmë gëzimin që ndihet kur u dhurohemi të tjerëve për dashurinë tënde. Të lutemi.

L. O Zot i gjithëpushtetshëm, ngjalle në të rinjtë tanë dëshirën që të të dhurohen krejtësisht ty. Të lutemi.

M. O Atë, që me dhuratën e Shpirtit Shenjt na komunikon urtësinë e Birit tënd, dëgjoji këto lutjet tona e mbështete udhëtimin tonë si persona të ngjallur që ecin drejt jetës së pafund. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »