Fitojmë atë që japim
14 tetor 2018 – E diela 28-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ur 7, 7-11; Ps 89; Heb 4, 12-13; Mk 10, 17-30)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment, i vetëdijshëm se Hyji është këtu.
E marr me mend se si gjithçka rreth meje,
ajri të cilin jam duke e marrë, i tërë trupi im,
rrezaton praninë e Hyjit.
Liria
O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.
Ma kujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.
Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.
Fjala
O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë dhe ma haptë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjoj Zotin se si po më flet në Fjalën e tij.
Mk 10,17-30
17 Kur doli në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti:
“Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar Jetën e pasosur?” 18 Jezusi iu përgjigj:
“Pse më thua: i mirë? Askush s’është i mirë përveç Një Hyji të vetëm! 19Urdhërimet i di: ‘Mos vra! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babain tënd e nënën!’“
20 Ai iu përgjigj:
“Mësues, të gjtha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”
21 Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha:
“Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” 22 Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë e, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta.
23 Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet:
“Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!”
24 Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha:
“Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! 25Më lehtë është të përshkohet gamilja nëpër vrimë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!”
26 Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri‑tjetrit:
“Atëherë kush do të mund të shëlbohet?”
27 Jezusi ua nguli sytë dhe tha:
“Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin, Hyji mund të bëjë gjithçka.”
28 Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha:
“Ja, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.”
29 Jezusi iu përgjigj:
“Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babain, ose fëmijët, ose arat 30 e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime ‑ njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara ‑ e në botën e ardhshme Jetën e pasosur.
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Sot e kemi këtë tekst të Shkrimit Shenjt për të na kujtuar vështirësinëqë vjen nga lidhja e tepruar me gjëra. Na bën që të mos harrojmë se plotësia e vërtetë vjen nga dashuria ndaj Hyjit dhe të tjerëve.
- Pasuria e njeriut nuk është problem, por qëndrimi, raporti i tij me të. Kjo është sikurse njeriu të jetë i poseduar/pushtuar nga pasuria, e jo që njeriu ta menaxhojë atë. Pasuria dhe gjërat materiale mund të na robërojnë në një mënyrë shumë dinake. A janë duke më penguar të mirat materiale dhe brengat e kësaj bote në rrugën time drejt Zotit dhe të tjerëve? A jam duke e humbur pasurinë e vërtetë në jetë: besimin, miqësinë, shëndetin,dashurinë …?
Është një bekim i madh të jesh mjaftueshëm i lirë për t`i përdorur gjërat me qëllimin e dashurisë. Të vetmet gjëra që ne mund t`i marrim me vete kur të vdesimjanë ato që i kemi dhënë. Ky lloj i dashurisë është i pamundur pa Hyjin. E lus për ndihmë.
Bashkëbisedimi
Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.
Më mëso që të kem mirëbesim fëmijëror në ty. Që me këtë vetëdije të di t`i përdori gjërat materiale në këtë botë.
Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më braktisësh.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Jezus, më la shumë përshtypje që ti vazhdove ta shikosh njeriun pasanik dhe “të pëlqeu”, edhe pse “shumë gjëra” po e pengonin për të të ndjekur tyvërtet. Kjo po ma ndriçonfaktin se Zoti në Birin e Tij, në Ty, o Jezus, i kupton dobësitë, kufizimet tona, dhe ende vazhdon të na dojë. Do të përpiqem që edhe unë të të dua, ty, o Zot. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Ta ndjekësh Jezusin i lirë dhe i pamvarur nga posedimet! Sa e njoh dhe vlerësoj mençurinë e vërtetë? »