Certifikohet gjenerata e parë për Protokoll në kuadër të Ipeshkvisë së Kosovës

Oct 17 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Me një ceremoni solemne janë ndarë certifikatat për 12 kandidatët e parë të kursit për protokoll të udhëhequr nga ekspertja e protokollit, Arbnora Gojani – Mazreku, njëherit themeluese e organizatës “ProProtocol”, në Kosovë.

Ky certifikim vjen pas mbajtjes së një cikli disa mujor të ligjëratave mbi fushën e protokollit, të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës në bashkëpunim më “ProProtocol”, në kuadër të Pastoralit të Studentëve.

Një fjalë përshëndetëse, famullitari i Prishtinës, Don Fatmir Koliqi, duke vlerësuar këtë moment si një ngjarje të shënuar për famullinë, që ai drejton, dhe Ipeshkvinë e Kosovës në përgjithësi, ka thënë se tanimë Kisha në Kosovë e ka një grup të kualifikuar të njerëzve, të cilët do të jenë në shërbim të saj në organizimin e kremteve dhe ngjarjeve të ndryshme, të cilëve tani e tutje do t’ju njihen atributet si njohës të fushës së protokollit.

Ndërsa, ligjëruesja e këtij trajnimi, Arbnora Gojani – Mazreku, ka thënë se ndihet jashtëzakonisht e lumtur që ka arritur të krijojë një grup profesionistësh, të cilët me njohuritë e marra do të tregojnë një nivel tjetër në organizimin e festave dhe ngjarjeve të shënuara për Kishën dhe Ipeshkvinë.

Në anën tjetër, në emër të kandidatëve të certifikuar, foli Ardian Nikolla, i cili, shprehi mirënjohje dhe falënderime për Ipeshkvinë dhe eksperten e protokollit për mundësinë e dhënë në absorbimin dhe njohuritë e marra mbi fushën e protokollit. “Deri këtu nuk do të mund të arrihej pa ndihmën, njohuritë, eksperiencën dhe gatishmërinë e Loles, e cila, për fatin tonë të mirë, është ndër ekspertet e rralla, për të mos thënë e vetmja e fushës së Protokollit në Kosovë. Prandaj, ne të 12-të që sot po çertifikohemi, duhet ta kemi të qartë se nuk po pajisemi me një certifikatë të rëndomtë, mirëpo, relevanca e kësaj certifikate do të na bëjë me të veçantë dhe më të dalluar nga të tjerët. Një falënderim i veçantë i takon të zotit të shtëpisë, Don Fatmir Koliqit, ku dhe e gjetëm ngrohtësinë e një konaku të përbashkët”, ka thënë Nikolla. Tutje, Nikolla ka potencuar se ky moment shënon një angazhim të përbashkët, sepse, të gjithë kanë pasur mundësi të absorbojmë dije dhe të njohin për së afërmi artin e protokollit, duke thënë se ndihen të nderuar që e shënojnë gjeneratën e parë të të çertifikuarve për protokoll në kuadër të Ipeshkvisë së Kosovës.

Kandidatët e certifikuar i kanë dorëzuar famullitarit të Prishtinës një draft-dokument të përgatitur nga fusha e protokollit, i cili do të jetë në dispozicion të Ipeshkvisë për organizimin e kremteve dhe ngjarjeve të ndryshme. Në fund të ceremonisë për të pranishmit u mbajt një koktej rasti i organizuar nga Famullia e Prishtinës në hollin e Rezidencës së Ipeshkvisë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »