Studentët e Shkollës Katekistike Dioqezane fillojnë vitin shkollor me tërheqje shpirtërore

Oct 17 • Kisha në Kosovë

Nga Marte Paloka

 

Studentët e Shkollës Kateskistike Dioqezane në Prishtinë dhe disa katekistë të Ipeshkvisë sonë, kanë bërë një tërheqje shpirtërore njëditore në fillim të vitin të ri shkollor në Shenjtëroren e Zojës së Bekume në Letnicë.

 

“Shpirti im u mbështet në ty, e djathta jote më merr për dore…” kështu i drejtohej psalmisti Hyjit para mijëra viteve. Kjo ishte ndjesia e tij, e asaj kohe. Si duket kjo përvojë e përcjell edhe njeriun e ditëve tona kur hyn më thellë në jetën e tij shpirtërore.

Këtë ndjesi e kishim edhe ne, studentët e Shkollës Katekistike Dioqezane të Dioqezës Prizren-Prishtinë, gjatë tërheqjes shpirtërore njëditore (e shtunë, 6 tetor) në Shenjtëroren e Letnicës, të udhëhequr nga përgjegji i Shkollës Don Shtjefën Dodes dhe profesori Don Fatmir Koliqi. Ky udhëtim shpirtëror, me rastin e fillimit të vitit të ri (të dytë) shkollor, përveç që na bashkoi si të rinj na dha mundësinë që t`i shpalosim e t`i njohim më shumë temperamentet, karakteret, historitë tona.

Në një atmosferë vëllazërore bashkë-ndamë ngjarjet e ndryshme të jetës personale, sa të dhimbshme, aq edhe të bukura – misterioze. Me dukej që për secilin nga ne kjo ditë nuk ishte ditë e rëndomtë, ishte diçka më shumë. Kërkonim diçka më shumë brenda vetes, brenda fjalëve e ngjarjeve të njëri-tjetrit. Vumë re se ishim të etur… më shumë se që kishim menduar: për njëri-tjetrin, për dikë që na dëgjon, na merr seriozisht në situatën tonë, në mënyrën tonë të të shprehurit, për të qenë në gjendje për të bashkë-ndarë dhe për t`iu dhënë kuptim përvojave të jetës që na ndodhin. Shumë gjëra mblidhen në ne ma kalimin e kohës, në lidhje me vetveten, me familjarët, të afërmit, me Zotin e që secili prej nesh i përjeton dhe shpjegon në mënyrën e vet. Duke dëgjuar njëri-tjetrin, historitë personale, horizonti i shpirtit tonë zgjerohej duke dalë në sipërfaqe fusha të reja jete – të panjohura, magjepse…

Letnica – Shenjtërorja e Zojës së Bekuar në Letnicë, të jepte një ndjesi të veçantë, si të ishim në një botë tjetër, larg përditshmërisë, larg tundimeve, larg botës së cekët, shpesh herë të zhurmshme, të shpërqendruar, të rrejshme. Ishim aty ku cicërimat e zogjve, gjethet në tokë, era e lehtë, e freskët dhe e këndshme të bënin të gjesh paqen thellë në shpirt. Në këtë ditë u përpoqëm që t`ia dhurojmë vetveten krejtësisht Krijuesit tonë, me të qeshura e me të qara, me dhimbje e me gëzime, me qetësi e me këndim! Sikur më imponohej ndjesia: Eh sikur të ishte kështu ditë për ditë do ishte mënyra më e mirë për ta falënderuar Atin tonë, duke brohoritur shpirti në vazhdimësi bashkë me psalmistin “Ja ku jam, o Zot, ja ku jam… shpirti ime ka etje për ty.”

Shpreh ndjenja falënderimi nga thellësia e shpirtit për secilin pjesëmarrës, që mori guximin të bashkëndajë përvojat e jetës, për udhëheqësit shpirtëror që ecën me ritmin e hapave tanë, që së bashku kaluam një ditë të mrekullueshme. U rifreskuam shpirtërisht të gjithë duke kuptuar që secili prej nesh është mëkatar që Zoti e do. Çdonjëri prej nesh është i dhuruar nga Zoti, me dashurinë, mirësinë e tij. Ato janë dhurata të mëdha, të mrekullueshme që nuk duhet mbajtur në vetvete, por jemi të dërguar t`ua dhurojmë atyre me të cilët jetojmë. Edhe si katekistë të ardhshëm, ato na janë dhënë dhe na dhurohen çdo ditë për ta pasuruar njëri-tjetrin, për t`i përçuar ato në botë!

Në momentet e heshtjes, meditimit e reflektimit mbi Shkrimin e Shenjtë, bisedova me Zotin: Asgjë nuk është më e fuqishme se dashuria jote për mua, o Zot. Unë mëkatarja jote sot më shumë se kurrë të dorëzohem ty. Ti e di që zemra ime të përket ty, thellë, thellë unë jam e jotja! Nuk e di përse tundohem nga bota, nga njerëzit, përse shqetësohem aq shumë për gjërat tokësore; mos vallë mendoj që janë të përjetshme…? Përse të shkaktoj aq shumë dhimbje ty, ty që më krijove nga dashuria! Frikësohem nga çdo kryq që marr nga jeta gjithmonë duke menduar që prapë nuk ja dola prapë të zhgënjeva! E ti dëshiron që të ecim së bashku… të bëhesh pjesë intime e jetës sime, e çdonjërit prej nesh.

Dhe sërish, fjalët e psalmistit sikur shprehin më lehtë atë që e përshkoi këtë ditë tërheqjeje shpirtërore: Shpirti im të dëshiron, ka etje për ty, o Zot. Mos i shiko lëvizjet e mendjes sime, por dëgjoji të rrahurat e zemrës sime që të kushtohen ty. Unë e di që tek ti zakonisht vij vetëm kur të kërkoj diçka, por sot JO, sot dua të falënderoj për dhuratën e mrekullueshme: jetën. Ah, sa shumë më do mua saqë më dhurove jetën! Bëj, o Ati im, që në jetë të dhuroj e të jetoj me dashuri e fryma ime e fundit le të jetë për ty, unë mëkatarja jote që ti e do!.

Ndjenjat e falënderimit dhe të respektit i shprehim rektorit të Shenjtërores dhe famullitarit të Letnicës Don Marjan Lorenci, për mikpritjen e ngrohtë dhe shërbimin që e ka ofruar për ne./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »