Çfarë është Sinodi i Ipeshkvijve?

Oct 18 • Kisha në botë

Sinodi është një kuvend kishtar postkonciliar, një institucion permanent, i themeluar nga i Papa Pali VI, më 15 shtator 1965, si një përgjigje që kishte dal nga Koncili II i Vatikanit (1962-1965), me qëllim për të mbajtur të gjallë shpirtin autentik të formuar në përvojën konciliare. Sinodi promovon shpirtin dhe përvojën e kolegjialitetit kishtar (metodologjia e sinodit), e konsideruar një pasuri e çmueshme për mbarë Kishën, familje e krijuar prej Jezu Krishtit.

Sinodi, fjalë me prejardhje greke “syn-hodos”, ka domethënien e “bashkimit”, “kuvendit”, porse domethënia burimore e saj ka kuptimin e “ecjes së përbashkët”, që në fakt e shpreh thelbin e Sinodit, si “mjet i shprehjes së kolegjialitetit ipeshkvor” (Papa Gjon Pali II). Kështu i kuptuar, Sinodi është një vend takimi i ipeshkvijve, përreth Atit të Shenjtë, Papës, për të shkëmbyer përvoja e informacione, që do të shërbejnë gjatë kërkimeve të përbashkëta për të gjetur zgjidhje baritore të vlefshme për mbarë Kishën Katolike. Me fjalë tjera, sinodi mund të përkufizohet si një kuvend apo asamble e përfaqësuesve të episkopatit katolikë që mblidhen me detyrë të veçantë për ta ndihmuar me këshillat e tyre Papën në mbarështimin e Kishës universale.

Gjatë Koncilit II të Vatikanit kishte ardhur ideja e krijimit të një organizmi ipeshkvor që do t’i asistonte Atit të Shenjtë në udhëheqjen e Kishës universale. Papa Pali VI, në mbarim të fjalimit të tij, më 14 shtator 1965, e jep lajmin e gëzuar për krijimin e Sinodit të Ipeshkvijve: “Gjëja e dytë është shpallja se, ne jemi të lumtur që po krijojmë institucionin e Sinodit të Ipeshkvijve, që është dëshira e këtij Koncili, i cili i përbërë nga ipeshkvijtë, të emëruar në të shumtën e rasteve nga Konferencat Ipeshkvore, me aprovimin tonë, do të jetë i thirrur, sipas nevojave të Kishës, nga Papa, me qëllim të konsultimit dhe të bashkëpunimit për të mirën e përgjithshme të Kishës.”

Më 15 shtator 1965, të nesërmen e fjalimit të Papa Palit VI, krijohet zyrtarisht Sinodi i Ipeshkvijve, me  Motu ProprioApostolica sollicitudo”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »