Imzot Dodë Gjergji po merre pjesë në Sinodin e Ipeshkvijve në Vatikan

Oct 18 • Kisha në Kosovë

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, po merr pjesë në Sinodin e Ipeshkvijve në Vatikan, i cili po zhvillohet gjatë muajit tetor (3-28 tetor 2018) mbi temën: “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”.

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë, merr pjesë në cilësinë e Atit sinodal, që e përfaqëson Konferencën Internacionale Shën Çirili dhe Metodi, ku bëjnë pjesë ipeshkvijtë e rajonit të Ballkanit Perëndimor (Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia). Është hera e parë në historinë e Sinodit të Ipeshkvijve, që një ipeshkëv i Ipeshkvisë sonë merre pjesë në një Sinod, përkatësisht emërohet Atë sinodal, e aq më tepër si përfaqësues i rajonit. Kjo është një nder dhe privilegj për Kishën tonë në Kosovë, si dhe një nisje e re historike në marrëdhëniet e ndërsjella në Kishën e Përgjithshme.

Në Sinodin e Ipeshkvijve po marrin pjesë 276 etër sinodal, në mesin e të cilëve kardinalë, (argj)ipeshkvij, meshtarë e të rinj nga e gjithë bota katolike, për të shqyrtuar bashkë me Papa Françeskun mbi baritoren e të rinjve, i cili një vit më parë kishte paralajmëruar këtë ngjarje të madhe për Kishën, si dashuri dhe afërsi për të rinjtë. “Kam dashur që ju të jeni në qendër të vëmendjes, sepse ju bartë në zemrën time”- kishte theksuar Papa Françesku në letrën e tij drejtuar të rinjve, më 12 janar 2017.  

Ipeshkvi ynë, Dodë Gjergji, deri tani ka pasur disa intervenime në Sinod, në asambletë plenare ashtu edhe në grupet e veçanta të punës.

Në fjalimin e tij të parë zyrtar në Sinod, ipeshkvi, si atë sinodal, pasi ka përcjell përshëndetjet e përzemërta të të rinjve të Konferencës që e përfaqëson, përkatësisht të Ballkanit Perëndimor, si dhe ka falënderuar për punën e komisioneve parasinodale për sinkronizmin e zërave të të rinjve që të vijnë të përbashkuar në Selinë e Shenjtë, ai ka prekur disa pika të rëndësishme, siç janë: natyra e të rinjve për ndryshime, situatën e kishave në Ballkanin Perëndimor, jetën e të rinjve në këto realitete ndëretnike dhe ndërfetare, ambientin e pasluftës në rajon, kërkimin dhe promovimin e paqes që duhet të bëhet për të arritur një harmoni dhe bashkëjetesë ndërmjet popujve.

Përveç kësaj, ipeshkvi ka theksuar fuqishëm rolin e të rinjve që duhet ta kenë në promovimin e paqes ndër popujt e Ballkanit, nëpërmjet faljes dhe pajtimit, si dy shtylla që e shërojnë të kaluarën e plagosur.

E jo vetëm këtë, por falja dhe pajtimi, janë dy fjalë që prekin një fushë më të gjerë të pajtimit të përgjithshëm shoqëror dhe kishtar. Përmes, dëgjimit dhe dialogut, si metodë e ecjes bashkësiore, të rinjtë dhe të rriturit duhet të nderojnë një të ardhme të përbashkët, si në kishë ashtu edhe në jetën shoqërore në përgjithësi.

Fuqia e faljes dhe e pajtimit, mundësojnë që të hapet zemra e të gjithëve e të shikohet fytyra e shndritshme e Krishtit Shpëtimtar, i vetmi që mund të na sigurojë shpresën e të ardhmes së përbashkët.

Derisa po vazhdon zhvillimi i punës së etërve në Sinod, Kisha Universale, në gjitha pjesët e saja nëpër botë, këtë ngjarje të madhe mbarëkishtare, po e përcjell me kujdes dhe lutje, që Shpirti i Zotit t’i udhëheq etërit sinodal në një udhëtim të përbashkët për të mirën e rinisë në botën e sotme./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »