Sa mbështetesh në bujarinë e të huajve?

Oct 18 • Meditimi i ditës

18 tetor 2012 – E enjte, Shën Luka, ungjilltar, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Tim 4, 10-17; Ps 144; Lk 10,1-9)

 

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe në mënyrë të padukshme.

Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.

Më përshkoftë gëzimi pse jam në afërsinë e tij.

 


Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që të mund t`i lëshoj të gjitha brengat,

që të jem i/e hapur se çka kërkon Zoti prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

 

Ndërgjegjësimi

Ia kujtoj vetes se Zoti më thërret, më thërret me emër.

Sado të mendoj se jam i papërshtatshëm ose i padenjë, Hyji më ka zgjedhur.

 


Fjala

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, me vëmendje e kuptim, dhe shih a ka ndonjë fjalë a frazë që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

Lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.


 

Lk 10, 1-9


1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte:

“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet;” nxënësit e Jezu Krishtit nuk mbartin asgjë tepër, asgjë më shumë sesa kanë nevojë, vetëm rrobat me të cilat ecin dhe një mesazh Paqeje. A e konsideroj këtë mbresëlënëse, frymëzuese, sfiduese? Ndoshta kjo më bën të ndihem pak i parehatshëm apo fajtor? Ose ndoshta mendoj se pak është tepruar, paksa shumë e ashpër si një mënyrë jetese.
  • Paramendoje se çfarë besimi duhet të kenë pasur këta shtatëdhjetë nxënës të Jezusit. Për një moment, vetëm mendo për fenë dhe besimin që ishte në zemrat e tyre, duke u mbështetur në bujarinë e të huajve dhe duke besuar në provaninë hyjnore, se Hyji ka për t’i siguruar, ka për të menduar për ta.

Ndërsa e dëgjoj sërish këtë lexim, a mund ta dëgjoj se po më drejtohet mua? A mund të shoh se si vlen, si aplikohet te unë?

 

Bashkëbisedimi

Të korrat janë të mëdha“, thotë Jezusi.

E pyes Zotin se si mund të ndihmoj unë te të korrat, çfarë mesazhi dëshiron t`ua përçojë atyre njerëzve që i takoj.

 

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Sot kremtojmë festën e Shën Lukës, shkrimtarin e Ungjillit. Në pasazhin e ungjillit ndiejmë një sens të fortë misioni.Unë jam një nga shtatëdhjetë e dy burrattë cilët u dërguan për të përgatitur udhën e Zotit. Duhet të dëshmoj për ty, o Krisht, dhe mesazhin tënd. Po e pyes veten: A po e ndiej këtë thirrjejo vetëm si një detyrë, por edhe si një privilegj?

Këtu ekziston edhe një ndjenjë e fuqishme e përkushtimit dhe të pasurit besim në provaninë hyjnore. Ma kujto, o Zot, se ti je Ai që vepron dhe të besoj në ndihmën e Shpirtit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »