Autentik – i/e vërtetë

Oct 19 • Meditimi i ditës

19 tetor 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 1, 11-14; Ps 32; Lk 12, 1-7)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe provoj të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:

afër meje, në atë çfarë bëj, në njerëzit që i takoj,

në çdo rrethanë të përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

Ndërsa je duke hyrë në lutje tani, lejoji vetes ta takosh Zotin ashtu siç je;

Silli të gjitha që ke në zemër te Zoti i dashurisë.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë ndërprerë, disa janë prishur:

Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Lk 12, 1-7

Ndërkaq u mblodh një turmë e madhe e popullit ‑ mijëra e mijëra ‑ aq sa shkelnin njëri‑tjetrin. Jezusi më së pari u drejtua nxënësve të vet:

“Ruajuni prej tharmit të farisenjve d. m. th. hipokrizisë! 2 S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehur që nuk do të merret vesh. 3 Prandaj, çdo gjë që ju thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritet në vesh ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve.” 

4 “Po ju them juve, miq të dashur: mos jua kini drojën atyre që mbysin trupin e pastaj s’mund të bëjnë gjë tjetër! 5 Po ju tregoj kujt duhet t’ia keni frikën: druani nga ai që, pasi t’jua ketë marrë jetën, ka pushtet t’ju hedhë në ferr. Po, unë po ju them: atij kijani frikën! 6 Po, a nuk shiten pesë trumcakë për dy qindarë? E pra, asnjërin prej tyre nuk e qet në harresë Hyji. 7 Kurse juve deri edhe fijet e flokëve të kresë i keni të numëruara! Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh!”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Disa gazetarë fitojnë një jetë të mirë kur arrijnë t`i bëjnë të njohura sekretet fajtore të të pasurve dhe të famshmëve. Për njerëzit në sytë e publikut, është sigurisht e vërtetë se “S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehur që nuk do të merret vesh”. Mendo një moment: a ka gjëra për ty; histori, ngjarje nga jeta jote, të cilat do të kishe pasur turp po të ishin treguar prej pullazeve?
  • Por, në pasazhin e sotëm të shkrimeve të shenjta, ajo që Jezusi me të vërtetë kundërshton, nuk është kur ti je më pak i përsosur, kur bën diçka keq herë pas here, por kur je hipokrit për këtë, kur i fshehim dobësitë tona, gabimet dhe gjërat për të cilat në siklet i fshehim nën një maskë përsosurie, respekti dhe gënjeshtre. Cilat janë ato gjëra lidhur me ty dhe jetën tënde që do të pëlqente të kishin qenë më të hapura dhe më të ndershme?
  • Ka mjaft shumë gjëra në këtë lexim që mund të na duken të vështira dhe të frikshme. Por, kur ta dëgjosh atë për herë të dytë, vë re dashurinë që ndodhet në prapavijë, e cila është baza e tyre – e këtyre fjalëve të Jezu Krishtit. Dëgjoje sigurimin e fortë dhe të fuqishëm me të cilin Jezusi e përfundon këtë paralajmërim.

 

Bashkëbisedimi

Zoti na do siç jemi – me të gjitha papërsosmëritë, të metat tona. Nuk mund të mbajmë sekret asgjë nga Zoti.

Pra, pse të mos bisedosh me Zotin me fjalët e tua për mendimet dhe ndjenjat e tua gjatë këtyre minutave përmbyllëse.

Tregoji Zotit se çfarë ka shkaktuar e gjithë kjo në zemrën tënde.

 

Përmbyllja

Faleminderit, o Zot, për këto pak momente që i kalova vetëm me ty. Jezus, ti po na thua që të jemi të kujdesshëm, që të mos jetojmë jetën vazhdimishtduke u justifikuar dhe duke kërkuar pretekste. Çdo justifikim para Hyjit në fund të fundit zbulohet. Hyjit nuk i shpëton asgjë.

Ne të gjithë shumë e vlerësojmë një person autentik. Jemi shumë të kënaqur kur shohim një person të vërtetë. Marrëdhënia jonë me ty, o Zot, na përkrahnë kërkimin tonë të autenticitetit, origjinalitetit, vërtetësisë tonë personale. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »