Imzot Dodë Gjergji në Sinodin e Ipeshkvijve/1: E ardhmja është në duart e të rinjve!

Oct 19 • Kisha në Kosovë

Në fjalimin e tij zyrtar të Imzot Dodë Gjergji në Sinodin e Ipeshkvijve në Vatikan, para etërve sinodal, e në prani të Atit të Shenjtë Papa Françeskut, ka përmendur disa pika të rëndësishme, që Revista jonë do të paraqes në pjesë kryesore, me qëllim që të përcjellë aktivitetin e tij baritor në këtë ngjarje kishtare në Selinë e Shenjtë.  

Në fjalimin e tij të ngjeshur, sipas traditës së intervenimeve të etërve sinodal, Imzoti ka theksuar, që në krye të fjalimit, natyrën e të jetës së të rinjve, që është një domosdo për të nisur takimin, shqyrtimin dhe krijimin e udhës së përbashkët në kishë dhe në shoqëri. Nëse nuk e kuptojmë natyrën dhe karakteristikën e moshës së të rinjve, nuk do të arrihet në plotni dialogu që synohet. Prandaj, ipeshkvi, i vetëdijshëm për këtë aspekt parimor, si baza e takimit dhe e dëgjimit, e nis intervenimin e tij në Sinod duke thënë se të rinjtë “për nga natyra e tyre janë të prirë që të bëjnë kapërcimin nga e shkuara e të rriturve në të ardhmen e tyre. Ata e arrijnë këtë gjë ose duke qenë të ndihmuar nga ne ose duke u rebeluar prej nesh e duke na braktisur.”

Nga ky përkufizim antropologjik dhe kulturor, dalin edhe synimet që të rinjtë gjenerojnë në projektet dhe vizionet e tyre. Lindin, po ashtu, edhe bindjet që, si prani e gjallë në historinë e kishës dhe shoqërisë në përgjithësi, ia japin të drejtën për të marrë në duar të tyre jetën dhe për ta ndërtuar atë sipas vizioneve e botëkuptimeve të tyre.

“Ata janë të bindur – theksoi Imzoti – se e ardhmja është në duart e tyre. Kështu, duan apo nuk duan të rriturit, ata e arrijnë këtë gjë.​” Prandaj, – nënvizoi ipeshkvi – dëgjimi është çelësi që hapë zemrën e të rinjve”, që mundëson nisjen e një dialogu të mirëfilltë ndërmjet tyre dhe të rriturve, “që me gëzim të mendojnë për të ardhmen e tyre dhe njëkohësisht i qetëson zemrat e të rriturve për vazhdimësinë e të kaluarës së tyre.” – u shpreh para etërve sinodal Imzot Dodë Gjergji./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »