Imzot Dodë Gjergji në Sinodin e Ipeshkvijve/2: Të rinjtë katolikë të Ballkanit Perëndimor si bashkësi të vogla vitale të Kishës dhe shoqërisë.

Oct 19 • Kisha në Kosovë

Sinodi i Ipeshkvijve për të rinjtë në Vatikan, që po zhvillohet gjatë këtij muaji, me temën “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”, po ngjallë interesim të madh nga e gjithë bota katolike dhe media ndërkombëtare. Në Sinod po marrin pjesë etër sinodal nga e mbarë bota, e në mesin e tyre edhe ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, si përfaqësues i Konferencës Internaciale Shën Çirili dhe Metodi. Revista “Drita” po e përcjell më vëmendje punën ipeshkvit tonë në Sinodin e Ipeshkvijve kushtuar të rinjve në Vatikan në krye me Papa Françeskun, e po japim pjesë të fjalimit dhe intervenimeve të tij në takimet plenare.

Etërit sinodal janë të angazhuar në komisione për të diskutuar çështje të ndryshe, që zakonisht bazohen në Instrumentun Laboris, një dokument bazë i cili është përpiluar nga pyetësorët dhe analizat të zhvilluara gjatë një kohë me tepër se njëvjeçare në mbarë botën, rreth çështjeve më aktuale që kanë të bëjnë me të rinjtë dhe botën në të cilën jetojnë.

Çdo atë sinodal, mban fjalime dhe intervenime gjatë punimeve dhe seancave të Sinodit.

Imzot Dodë Gjergji, në fjalimin e tij preku çështje të ndryshme mbi rininë dhe raportin e tyre me Kishën dhe shoqërinë, e në mënyrë të veçantë tek gjendja e Kishës Katolike, e të rinjve katolikë në Ballkanin Perëndimor, klimën politike dhe ekonomike të rajonit, ku ata jetojnë.

Kishat katolike në Ballkanin Perëndimor, në shtete të ndryshme, janë cilësuar nga ipeshkvi si “bashkësi të vogla” në realitete më të mëdha shoqërore ndëretnike dhe ndërfetare, e si pasojë e kësaj edhe të rinjtë katolikë e përbëjnë grupin e vogël në shoqërinë e shteteve ku jetojnë.

Kjo situatë – e nënvizoi ipeshkvi – ju mundëson atyre të jenë më të afërt me kishën e tyre, të njihen me njëri-tjetrin, të komunikojnë drejtpërdrejtë me barinjtë e tyre dhe, duke qenë pakicë brenda një shumice të madhe myslimanë ose ortodokse, varësisht prej shteteve ku jetojmë ata, janë më të aftë për të parë rrezikun për të ardhmen e tyre.

“Grigja e vogël” – si “bashkësi e vogël”, nuk është parë nga bariu si brishtësi apo ligështi, por si mundësi më e fuqishme e pranisë dhe e komunikimit më të drejtpërdrejt me Kishën, me qëllim për ta dëshmuar identitetin e tyre në një shoqëri multietnike dhe multireligjioze.

Pikëvështrimi i ipeshkvit në këtë pikë të rëndësishme dhe përqasja e situatës mbi rajonin përmban ngjyrime biblike, që mbështillet me një shpresë pjetërine për ta shpallur dhuratën që e bartëm në jetën tonë – fenë dhe Jezu Krishtin, shpresën e botës. Kjo përputhet natyrshëm edhe me misionin e Kishës dhe të barinjve të saj, që të rinjve t’iu dilet në ndihmë dhe të shoqërohen për ta gjetur gëzimin e jetës, që e gjejmë tek materialet nxitëse të sinodit.

Derisa Sinodi po ecën në javën e fundit të punimeve të tija, ne do ta përcjellim me lutje dhe meditim bariun tonë në këtë ngjarje të madhe të Kishës Universale, e do të sjellim pjesë të ligjërimeve të tija, të cilat janë shtysa atërore për veprimtarin rinore në kishën tonë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »