JEZUSI: “Kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj”

Oct 20 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXIX gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Is 53, 2.3.10-11

Sipas riteve hebraike të flisë së shpërblimit një viktimë flijohej për mëkatet e popullit. Jezu Krishti do ta zëvendësojë këtë fli duke flijuar vetveten njëherë e përgjithmonë. Ai që do të ofrojë jetën e tij, duhet të pranojë të kalojë nëpërmjet vuajtjes, duhet të jetojë misterin e vdekjes dhe të ngjalljes së Krishtit. 

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Shërbëtori i Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e çmonin për send! Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje. Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi jetëgjatë, me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit. Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij do ta shohë dritë e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   33

 

Ref: Na e jep mëshirën tënde, o Zot, sepse në ty shpresojmë

———————————————-

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

—————————————–

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

——————————————

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

—————————————

 

 

Leximi i dytë   Heb 4, 14-16

Zoti që na ka shpëtuar është një njeri që vuan, i poshtëruar, i vënë në provë ashtu si ne e më shumë se ne. Përballë vuajtjes së Krishtit, asnjë i varfër nuk turpërohet nga mjerimi i vet.  Jezusi na mëson se shpëtimi nuk qëndron në mirëqënien dhe në suksesin, por në të pranuarit e gjendjes sonë njerëzore për të bërë të shpërthejë një njerëzim i aftë për të dashur. 

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt, të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit. T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur. Fjala e Zotit.

 

Aaleluja.

Jezu Krishti erdhi që të shërbejë, e të jape jetën e vet si shpërblim për të gjithë.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mk 10, 35-45

Apostujt kuptojnë fjalët e Jezusit mbi fatin e tij të vuajtjes vetëm pas vdekjes dhe ngjalljes së tij. Sipas Jezusit personat e realizuar në këtë botë nuk e ndryshojnë historinë, ndërsa ata që ndryshojnë botën janë pikërisht njerëzit e persekutuar dhe të kërcënuar. Fati i Krishtit është ai i shërbëtorit të vuajtur që ofron jetën e tij për të tjerët. Vetëm ai që i përngjan atij është i njohur si i madh në mbretërinë e Hyjit.

 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan Jezusit dhe i thanë: “Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.” “Çka dëshironi – u tha Jezusi – të bëj për ju?” Ata i thanë: “Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.” Jezusi u përgjigji: “Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?” “Jemi të zotët!” – i përgjigjën ata. Jezusi vijoi: “Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem. Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time – kjo nuk është në pushtetin tim ta jap – kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.” Kur e morën vesh dhjetë tjerët, u hidhëruan në Jakobin e në Gjonin. Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha: “Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e vet. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në zemrën e njeriut gjendet lakmia për të zënë vendet e para, për të zotëruar fuqinë. Logjika e Jezusit është e kundërt me atë të botës. Ai propozon një ekonomi të re shoqërore: atë të një bashkësie pa fuqi, rregulli i vetëm i të cilës është të shërbejë.

“Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.” Jakobi e Gjoni ngatërrojnë fuqinë e Krishtit me fuqinë sipas botës, pretendojnë suksesin e vet. Të dy donin të arrinin lavdinë pa kaluar nëpërmjet mundimeve dhe kryqit. Jezusi i drejton në rrugën e të qenurit dishepuj, madhështia e vërtetë e të cilëve është marrja e kryqit dhe të shërbyerit.

Kur e morën vesh dhjetë tjerët, u hidhëruan. Prandaj Jezusi i thirri përreth”. Edhe dishepujt e tjerë mendojnë si dy vëllezërit të kërkojnë shpërblime e privilegje të veçanta, e jo të jenë të gatshëm në ndjekjen e tij deri në kryq. Jezusi u jep fund aspiratave për privilegjet, duke deklaruar: “kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju”.

Nëse në shoqëri gjërat shkojnë në këtë mënyrë, në bashkësinë e krishterë vendi i nderit është ai i shërbëtorit. Kush do të jetë i pari vihet në shërbim të të gjithëve. Jezusi nuk ka kërkuar jetën e të tijve, por ka ofruar të vetën. Nuk ka pranuar të shërbehet, por është vënë në shërbim të të gjithëve. Kush udhëheq bashkësinë duhet të ketë gatishmërinë e plotë të bëhet shërbëtor i të tjerëve. Edhe misioni i Birit të njeriut është përmbledhur në të qenurit shërbëtor i njerëzimit.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Hyji ka dërguar Birin e tij që të bëhemi të lirë në dashuri. Në këtë të dielë në të cilën kremtojmë Ditën Misionare Botërore të lutemi për të gjithë njerëzit, që të mund të arrijnë lirinë e bijve të Hyjit. Të lutemi së bashku duke thënë:

Na dëgjo, o Zot.

L. Që Kisha e mbështetur nga veprimi i Shpirtit Shenjt, të vazhdojë misionin e saj për të shpallur Krishtin, i cili na çliron nga mëkati dhe sjell dinjitetin për çdo njeri. Të lutemi.

L. Që misionarët, në vështirësi të misionit të tyre të ndjejnë gëzimin për të ndjekur Krishtin dhe mbështetjen e Kishave motra të shpërndara në botë. Të lutemi.

L. Për ata që në botë vuajnë nga uria, lufta, padrejtësia, varfëria që të marrin fuqinë për të shpresuar e për të luftuar për një botë më të mirë. Të lutemi.

L. Për të krishterët që të mos u mungojë kurrë guximi të shpallin Krishtin në çdo situatë e të bëhen misionarë të mbretërisë së Hyjit. Të lutemi.

M. O Atë i mirë, që sheh në sekretin e zemrave, dëgjoji lutjet që të drejtojmë e që vetëm ti i njeh: na ndihmo në dobësinë tonë me Shpirtin e Birit tënd Jezu Krishtit. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »