Imzot Dodë Gjergji në Sinodin e Ipeshkvijve/3: Të rinjtë janë të ftuar të shërojnë plagët e të kaluarës me falje dhe pajtim

Oct 22 • Kisha në Kosovë

Sinodi i Ipeshkvijve kushtuar të Rinjve, që po mbahet në Vatikan, ka hyrë në javën e fundit të saj. Në pjesën e tretë të fjalimit të Imzot Dodë Gjergjit, të mbajtur në asamble theksohet një çështje e kyçe e metodës së ecjes së përbashkët mes të rinjve dhe të rriturve, përmes dëgjimit dhe dialogut.

Pasi të rinjtë e kishave në Ballkanin Perëndimor jetojnë në një ambient postkonfliktual, ku akoma dëgjohet diskursi i urrejtjes, ndarjeve dhe mbylljeve në geto nacionale, Imzoti e sheh një mision të ri për Kishën, në mënyrë që të rikthehet diskursi i dashurisë dhe pajtimit:  

E ambienti ku të rinjtë e kishave tona jetojnë është ambient post-lufte, ku më shumë dëgjohet nga të rriturit, politikanët etj., të flitet e të diskutohet për urrejtje sesa për dashuri, ku marrëdhëniet ndëretnike akoma tentojnë të konservojnë shoqëritë e tyre në geto nacionale. Pikërisht në këtë ambient – nënvizoi ipeshkvi – Kisha duhet të jetë ajo që i mëson të rinjtë ta duan paqen, të promovojnë faljen dhe pajtimin për të shëruar plagët e konflikteve dhe urrejtjes, e përmes kësaj të arritjet bashkëjetesa e popujve në këtë rajon.”

Në këtë drejtim, ne duhet “tu themi të rinjve tanë, duke pëshpëritë në thellësinë e zemrës së tyre lutjen tonë: Falni e pajtohuni.​”

Falja dhe pajtimi, dy vepra të rinisjes së një epoke të re të harmonisë dhe të bashkëjetesës, e të cilat shtrihen në të gjitha poret e shoqërisë, nga familja, famullia, kisha deri te e kaluara, si memorie e historisë personale dhe kolektive.

Prandaj, ipeshkvi me të drejtë e drejton lutjen e vet të rinjve që të kenë kurajon të pajtohen me dhe të falin prindërit “që s’kanë pasur kohë për ju, që kur ishit të vegjël ju kanë braktisë në çerdhe fëmijësh, e kur u rritët pak ju varnin çelësin në qafë që të mund të hynit në banesë ose në shtëpi.

Falni Kishën tuaj, që më shumë është interesuar të ju mësoj juve se si duhet të jetoni se sa që ju ka dëshmuar se si jetohet miqësia me Krishtin Shpëtimtar dhe besnikëria ndaj ungjillit të Tij.

Falni katekistët, famullitarët dhe ipeshkvijtë tuaj që s’ju kanë dhanë dashurinë e duhur, përkrahjen e nevojshme ose kohën për t’i dëgjuar ëndrrat tuaja.

Të rinjve të kishës time dëshiroj t’iu kërkoj falje që s’kam arritur të përmbushë pritjet e tyre.​

Pajtohuni me të kaluarën e të parëve tuaj, ju nuk mund ta ndryshoni atë, as duke kritikuar as duke e shpallë si primitive, anakronike, por mund të mësoni prej saj, ose të mësoheni si t’i qaseni të ardhmes suaj ose si të mos i përsëritni gabimet tona.​

Të rinj të dashur, falini gjithçka, sepse kur të plakni si ne, do të keni nevojë t’ju falin gjeneratat pas jush. Pastaj, vetëm kështu, do të arrini të hiqni perdet që errësojnë mendjen dhe zemrën tuaj dhe të shihni shkëlqimin e fytyrës së vërtetë të Krishtit Shpëtimtar dhe me Të të ndërtoni ardhmërinë tuaj.” – ishin fjalët e ipeshkvit që ngjallën shumë duartrokitje te etërit sinodal dhe pjesëmarrësit në sallë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »