A ia dëshiron paqen tjetrit?

Oct 23 • Meditimi i ditës

23 tetor 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef  2, 12-22; Ps 84; Lk 12, 35-38)

 

Prania e Hyjit

Gjatë kohës që jam duke ndenjur këtu, Hyji është i pranishëm.

Rreth meje, në përjetimet, mendimet e mia dhe thellë në mua.

Ndalem një moment dhe do të ndërgjegjësohem

për praninë jetëdhënëse të Hyjit.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të çlirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që t`i çelem nëpërmjet kësaj lutjeje, meditimi,

në mënyrë që edhe më shumë ta dua dhe t`i shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj sot veten?

Si po sillem me Hyjin?  Me të tjerët?

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë them: faleminderit.

A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë them: më fal.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu të përgjoj që të dëgjoj çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj, do ta dëgjoj tekstin e Shkrimit Shenjt, pastaj do të shoh se ç`po ndodh në zemrën time…


Ef  2, 12-22

12 Le t’ju bjerë në mend se në atë kohë ishit pa Mesinë, të përjashtuar nga nënshtetësia e Izraelit, të huaj për Besëlidhjet e premtimit, ishit të pashpresë e të pahyj në botë. 13 Por tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit ‘larg’ erdhët ‘afër’ ‑ në saje të gjakut të Krishtit.

14 Përnjëmend Ai është Paqja jonë,

Ai që prej dy popujve bëri një

e përmbysi murin ndarës

d. m. th. armiqësinë ‑

në trupin e vet.

15 Ai e shfuqizoi Ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret,

me qëllim që prej dyve: paganëve e hebrenjve,

të trajtonte në vetvete një njeri të ri

e, duke vendosur paqen,

16 të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin

me anë të kryqit

duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë.

17 E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen

juve që ishit larg

paqen edhe atyre që ishin afër.

18 Në saje të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra,

kemi të drejtë të dalim para Atit

në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt.

19 Prandaj, nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit, 20 të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi. 21 Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. 22 Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ndoshta është e lehtë, ndoshta një sfidë, për t`i parë të gjithë ata që janë përreth teje si pjesë e një ‘familjeje të Hyjit`. A mund ta imagjinosh veten duke i uruar dhuratën e paqes të gjithëve në botën tonë? A mund ta përfytyrosh duke iu ofruar dhuratën e paqes atyre që janë afër teje në këtë moment?
  • Kjo fjalë, ‘guri i këndit’: Çfarë do të thotë kjo për ty? Cili do të ishte guri i këndit, themeli, i jetës sate? Apo ndoshta… cilët janë njerëzit themelorë për ty – pa të cilët ti nuk mundesh? Ndoshta mund të mendosh për ta dhe ta falënderosh Zotin për secilin prej tyre.
  • Ndërsa e dëgjon sërish këtë lexim të shkurtër të Shkrimit Shenjt, por të bukur nga letra drejtuar Efesianëve, mund ta dëgjosh një fjalë ose frazë që i përngjan një surprize, befasie … paksa ndryshe nga ajo që ke pritur … Mos dëgjo me zor … vetëm dëgjo atë që të duhet të dëgjosh … dhe ta marrësh, ta mbash me vete gjatë ditës.

 

Bashkëbisedimi

A mund të jesh një katalizator për paqen në një farë mënyre sot? 

Prania e paqes mes atyre me të cilit jeton dhe punon? 

Për pak momente, pse thjesht mos t`i kërkosh Zotit një thellim të paqes në mendjen dhe zemrën tënde sot.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi në bazë të Fjalës sate. Kur jemi të përfshirë plotësisht në ndonjë gjë, vëmendja jonë është e plotë. Përndryshe ne priremi t`i lëmë disa gjëra jashtë vëmendjes sonë.

Është dhuratë e madhe që të jesh vigjilent dhe i vetëdijshëm për faktin se kemi ardhur nga ti, o Zot, dhe kthehemi përsëri tek ti. Kjo na ndihmon ta vëmë të gjithë jetën tonë në një perspektivë të duhur. Afërsia me ty, Jezus, është ajo që mban këtë vetëdije të gjallë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »