Motra Odette Marquet dhe shqiptarët

Oct 24 • Kulturë

Ishte  fundi i vjeshtës të vitit 1968 kur  zbulova fshatin arbëresh të Firmozës pas një udhëtimi të gjatë me tren që nga Roma. Pikërisht aty mësova fjalët e para arbërisht : vatra/foyer, lumi e disa të tjera. Lumi mbetej në kujtesën time ngase qëndrimi im në Finlandë  nuk ishte aq larg dhe kjo fjalë në finisht është njëra ndër disa të tjera ekzistuese  për të emëruar një borë të qullët,  të bukur, vezulluese nga bardhësia e saj,  e ngjashme me atë që mbulonte vargun e maleve të Pollinos rreth fshatit. Kisha e Firmozës, vendi i pashmangshëm, jehonte nga melodi të panjohura, nga këngë të liturgjisë bizantine greqisht dhe arbërisht. Veshjet e grave ngjallën kureshtjen time dhe dëshirën për t’i takuar. Prifti i fshatit ‟Zoti‟ Matrangolo (emri italianizuar, origjinal Matranga) ishte një person me një kulturë të madhe  dhe shihesh se ishte i lumtur të na tregonte historinë e të parëve të tij të ardhur nga Arbëria në shekullin XV duke ikur prej pushtimit osman, më futi në një botë tërheqëse të historisë dhe të legjendave, por edhe të një jete shumë të vuajtur të kësaj popullsie… Por kush ishin këta Arbëreshët, aq të mbushur me origjinën e tyre ? Pasuria e traditave të tyre popullore, këngët e tyre, mallengjimi i të cilave ushqente jetën e tyre, dukeshin të varura drurëve të vendlindjes së tyre të braktisur, Arbërisë, gjithë kjo më la mbresa të thella. Vajtjet ime në fshatrat arbreshe u shumëzuan, e shtyrë me dëshirën të bëhet e njohur kjo popullsi, që kishte lënë vendlindjen e vet në mënyrë tragjike duke çarë detin… Titulli i tezës sime ‟Les communautés arberèches, témoins de l’ethnie albanaise‟  /Bashkësitë arbëreshe, dëshmitë e etnosit shqiptar gjeti aty frymëzimin e vet duke pritur të shkoja në Shqipëri që mbette për mua aq e fshehtë dhe aq e mistershme.

Studimi i të folmeve arbreshe dhe të letërsinë gojore dhe të shkruar, këngët dhe legjendat më mundësuan të takoja njohës të kulluar të kulturës bizantine dhe autoktone arbërore. Shumica prej tyre ishin priftërinj të ritit bizantin : Zef Ferrari, Francesco Sollano, Imz. Eleuter Fortino, Imz. Gjergj Sqiro, Emanuil Jordano e tj.

Jeta e ndarë me banorët e fshatit, Ejaninës me themelimin e një vëllazërie favorizoi lidhjet e mia me Arbëreshët. Licia Conti realizoi një ekspozitë shumë të bukur mbi veshjet e grave arbëreshe : ‟Shpirti mbretëror ndër të veshurat arbëreshe‟.

Duke studiuar në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore mësova për ekzistencën e Kosovës, ku jetonte një popullsi shqiptare. Motra e vogël Madëlenë, themeluese e Kongregatës fetare, anëtare e së cilës jam, e frymëzuar nga dëshira e universalitetit dhe nga thirrja e saj për të jetuar  në mes të njerëzve më të diskriminuar dhe më të harruar, vizitoi Kosovën në 1970 dhe, sipas orientimit tim për Shqipërinë më dërgoi atje. Një bursë studimi e marrë me shkëmbimet kulturore midis Francës dhe Jugosllavisë, lehtësoi regjistrimin tim në Universitet dhe marrjen e lejës së qëndrimit. Ky regjistrim në Degën e Albanologjisë në Gjuhën dhe Letërsinë shqipe i përgjigjej dëshirës sime të inkulturimit. Personat e parë të takuar Anton Çetta, Zef Mirdita, Ymer Jaka, Ismail Dumoshi, ka pasur shumë të tjerë më vonë, u bënë miq të dashur dhe lehtësuan përshtatjen time. Bashkësia katolike shën Anton dhe takimet e përditshme me fqinjësinë më ndihmuan për të hyrë në jetën e përditshme në Prishtinë. Ndjeva gjithmonë një mirëpritje dashamirëse. Imzot Nikë Prela dhe Dom Gasper Gjini më nxitën të ngulja këmbë në momentet më të vështira. Puna e përkthimit ka qenë një mjet për të siguruar jetën time, por më dha edhe mundësi të thelloja njohuritë e mia  dhe të krijoja marrëdhënie miqësore. Ndër të tjera me Rexhepin Munishin, ethno-muzikolog kur përktheva tezën e tij : ‟ Les chants montagnards albanais‟ etc.

Vizitat në fshatin Shën Gjergj në Malin e Zi te Dom Simon Filipaji, i cili ishte duke përkthyer Biblën në gjuhën shqipe, ngjallën në mua një interes të madh kulturor dhe politik. Shtëpia e tij me kanatët gjithmonë të mbyllura përballë lumit Bunës, ku nga miradorja ushtarë të Shqipërisë  përgjonin dhe, nga ana tjetër, rojtarët sllavë kalonin me qenët, më bëri përshtypje të madhe. Librat ia dërguam D. Simonit për punën e tij dhe midis nesh lindi një lidhje miqësore.

Bashkëpunimi në projekte kulturore dhe fetare falë përkthimesh me Institutin albanologjik dhe me Kishën e Kosovës , Seminarët e Gjuhës dhe Kulturës shqiptare kanë qenë momentet e privilegjuara për takimet me pjesëmarrësit falë interesimit për gjuhën shqipe.

Doktori Musa Haxhiu, personalitet i nderuar i Shqiptarëve, më dha një punë në klinikën e vet në spitalin e Prishtinës dhe kështu munda të vazhdoja lejën time të qëndrimit.

Kjo punë përkthimi vazhdohej pastaj në Redaksinë e Revistës së mjekëve të Kosovës Praxis Medica.

Ngjarjet e jashtme nuk më lejuan të vazhdoja punën time në Universitet. I shfrytëzova të qëndroja në Romë për të përgatitur  një ndërhyrje në Seminarin e Gjuhës dhe Kulturës shqiptare në rastin e përvjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit më 6 dhjetor 1989 në Prishtinë. 

Në muajin e shtatorit të vitit 1990 u ktheva në Kosovë dhe në vend të fitoj lejën e qëndrimit deklarohesha persona non grata me urdhër të largohesha nga vendi brenda 24h . Ky mërgim qe i dobishëm për mua. Më dha ngushëllimin të konsultoja më gjerë Arkivat e Kongregatës për Ungjillëzimin e popujve dhe Arkivat e fshehta të Vatikanit për t’i qëmtuar për letërkembimin e Pjetër Bogdanit.

Fillova ta përktheja edhe ‟Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit‟ të Jusuf Buxhovit që u botua shumë më vonë në Paris në 2008.

Në Paris isha me grupin e parë kur themelohej Antena e Shoqatës “Nëna Tereza” për t’i ndihmuar Kosovën…

‟Një derë mbyllet, një tjetër hapet‟, kjo urtësi popullore u bë për mua një realitet. Në fund të vitit 1990, pas pushtimit të Ambasadave dhe ngjarjet e Shkodrës, Shqipëria nuk vonoi ta rrëzonte diktaturën e Enverit Hoxhës dhe të bënte një vend demokratik. Duhet të them se kisha qenë aty në 1974 me udhëtimin ‟Të shohesh dhe të njohesh‟. Ky udhëtim u hoq shpejt . Kisha një ide për Shqipërinë, vendin e shqiponjave, për bukurinë e saj  të natyrshme, bunkerat nuk ishin ende në atë kohë, por fletë rrufe shiheshin, pashe një kështjellë, imazh i Shqipërisë, i rrethuar nga të gjithë imperialistët USA, URSS, Perëndimi, Titism … që ishte  vizatuar në mur. Megjithë kërkesat e mia të përsëritura udhëheqësit, nuk munda të shkoja në bibliotekë, as në në librari për të blerë një libër të De Radës !  Në 1989 mund të udhëtoja me studentët e INALCO, hapej një kohë e re : këngëtari Albano jepte koncertin e parë në Tiranë, qarkullonte libri i Neshat Tozajt ‟Thikat‟… Munda të shkoja në bibliotekë dhe t’i vizitoja familjet që kishin të afërmit e tyre në Kosovë. Me pak guxim arrita të shkoja në një dasmë në Lushnjë te familja e miqve të Kosovës.

Në 1990, duke  marrë pjesë, si përkthyese e misionit francez të pritjes së azilantëve në ambasadë,  pashë vetëm bregun e detit në Durrës dhe natën. Me të vërtetë, autobusat e ngarkuar arritën shumë vonë për të shmangur që të shiheshin njerëzit.

Vitet e para në Shqipëri, që nga 1991, filluan me takimin tim me gazetarin Michel Rivière, mik i Ibrahim Rugovës që kishte realizuar dokumentarin : ‟Yougoslavie poudrière des Balkans‟ dhe gjendemi bashkë për shfaqjen e parë…Do të lindin projekte të tjera që më mundësuan të hyja në Shqipëri që nga rënia e diktaturës. Me bashkëpunimin tim u shfaqën  dy dokumentarë: ‟Albanie planète terreʺ/Shqipëri planeti tokëʺ  dhe ‟Albanie impossible retour‟/Shqipëri kthim i pamundshëmʺ..

Në Paris rigjeta Ibrahim Rugovën dhe Bujar Bukoshin. Gjëndja e rënduar e situatës në Kosovë kërkonte të jepeshin informata.  I shoqërova, me ndërmjetësinë e miqve,  në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të treguar faktet dhe për të marrë mbështetjen e Francës për të ardhmen.

Pritja e Shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri pas sulmeve kundër fshatrave rreth Gjakovës mobilizoi energjitë e mia në 1998 si edhe më shumë në 1999 kur u bë ekzodi masiv i Shqiptarëve nga Kosova. Gjëndesha në Kukës me Karitasin kombëtar shqiptar në kampin e Kryqit të kuq italian.

Në Shkodër në bashkëpunim me përgjegjës kishtarë, ndër tyre Zef Gashi, tani ipeshkëv emerit, u botuan tekstet liturgjike që mundësuan Kishën e Shqipërisë të këtë libra të rinj të dalë pas Koncilit Vatikan II për tu lutur në gjuhën e vet.

Nga puna ime, e përkushtuar pas nevojave jetësore të Shqiptarëve dhe përkthimeve për të siguruar jetën  e përditshme si edhe për të shpërndarë kulturën shqiptare arriti të dalë botimi i Fjalorit të Teologjisë Biblike, në bashkëpunim me Institutet e Gjuhës dhe Historisë dhe Akademinë e Shkencave.

Qëndrimi im në Shkodër ndër vitet e para dhe pastaj më shumë në Tiranë, ku pata mundësi të njoh aspekte të ndryshme të kulturës dhe të pasurive të popullit shqiptar në larminë/llojllojshmërinë e vet, më pasuroi shumë dhe vërtetoi fjalët e Sharl de Fuko /Charles de Foucauld : « Masa e dashurisë me të cilën japim është masa e lumturisë që na jepet/ ‟La mesure d’amour avec laquelle nous donnons, c’est la mesure du bonheur qui nous est donnée‟.

Është e qartë të jesh në Tiranë për një kohë të gjatë është një privilegj, larmia e popullsisë bën të kesh rast të krijosh kontakte të shumta dhe  të ndryshme dhe hap horizonte …C’est la traduction du texte que j’ai écrit en français (ky është përkthimi i tekstit që e pata shkruar në gjuhën frëngjishte).

(Henëmshahe Ilazi, Gratë e huaja për shqiptarë dhe shqiptaret e diasporës, Koha – Epoka, 2118, fq.233 – 238)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »