Rinia – e tashmja dhe e ardhmja e Kishës dhe shoqërisë

Oct 24 • Kisha në Kosovë

Mesha e fillimvitit akademik 2018 – 2019, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, më 23 tetor 2018

 

Nga Mons. Lush Gjergji

 

Rini e dashur, sonte jemi bashkuar për ta kremtuar vëllazërisht dhe bashkërisht Meshën e fillimit të vitit të ri akademik, për ta kërkuar ndihmën e Zotit dhe përkrahjen e tij gjatë këtij viti shkollor, si dhe gjatë tërë jetës sonë.

Rinia dhe shkollimi është fazë e rëndësishme për jetën e njeriut, për njohuri të reja, përgatitje për jetë dhe punë profesionale, mbi të gjitha për informim dhe formim sa më të mirë dhe të gjithanshëm për të tashmen dhe të ardhmen. Nëpërmjet shkollimit  arsimohemi, për ta arritur  kulturën e jetës dhe qytetërimin  e dashurisë, si  shtylla të historisë sonë, por edhe si parakusht për jetë, dashuri dhe lumturi.

Mirëpo, mos ta harrojmë se njeriu është qenie e përbërë: trup, psikë dhe shpirt, prandaj na nevojitet një “dirigjent”  i brendshëm për udhëheqje dhe drejtim.

Trupi, së paku sot dhe deri diku, ia japim atë për çka ka nevojë: ushqimin, veshmbathjen, pushimin, argëtimin, gjumin…

Psika, mendja, vullneti, kujtesa,  vetëdija, liria dhe përgjegjësia, ushtrohen dhe zbatohen gjithnjë në jetë, sidomos në rini.

Shpirti ynë ka etje dhe uri për  Krijuesin, Zotin, për Praninë dhe Dashurinë e tij në jetën tonë. Prandaj ta harmonizojmë vetveten, për të qenë në sintoni dhe harmoni me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Kërkimi i Zotit, takimi, dialogu dhe komunikimi me Të, ka dy nivele, personale dhe në bashkësi. Pa të parën, personalen, nuk mund të kalojmë te bashkësia e krishterë, apo siç thotë populli ynë: pa miell të mirë nuk ka sa bukë të mirë.

Kush nuk e gjen këtë harmonizimin në vetvete, edhe më pak është në harmoni me Zotin dhe me të afërmin. Për ta bërë këtë na nevojitet jeta shpirtërore, urata, pendesa, meditimi, adhurimi, jeta sakramentale, sidomos pjesëmarrja në meshë dhe bashkimi me Krishtin, në kungim.

Pa u ballafaquar me vetveten nuk ka ballafaqim as me Zotin, as me të afërmin. Prandaj, rini e dashuri, mos ki frikë prej vetvetes dhe të vërtetës, edhe më pak prej Zotit, që të ballafaqohesh qetë, mirë, pozitivisht  me të afërmin, vëlla apo motër.

Ju keni nevojë për informim sa më të saktë dhe gjithëpërfshirës, që të kaloni pastaj në fazën e formimit të identitetit dhe personalitetit bazik me këto tri shkallë: e di kush jam, e di çka dua dhe e di si dua të arrij atë çka dua.

Pa i sqaruar këto çështje jemi pezull, në “ajër”, apo në mjegulla, dhe nuk mund të ecim përpara, të begatohemi dhe pasurohemi me përvoja të reja jetësore.

Mos u lodhni kurrë në bisedim, dialog dhe komunikim, sepse jeta përbëhet prej këtyre elementeve: të jetosh domethënë: bisedim, dialog dhe komunikim. Komunikimi më i thellë, më i bukur, si burim jete dhe lumturie, është Dashuria. Zoti të gjithëve na ka krijuar prej dashurisë dhe për dashuri, nevoja më e madhe jetësore.

Të gjithë ne kemi një thirrje të trefishtë: në jetë, me lindje, në fe, me pagëzim, dhe në dashuri. Me komunikim të vazhdueshëm me Zotin, me njëri-tjetrin dhe me vetveten, realizohemi si qenie personale, familjare, fetare dhe shoqërore,  parakushte këto për dashuri, e cila e vetmja na bënë të jemi të qetë, të sigurte, të hareshëm dhe të lumtur, jetës sonë i jep shije dhe kuptim.

Rini e dashur, jeta, edukimi, përgjegjësia, liria, dashuria, përcaktimi, orientimi jetësor është para jush dhe në duar tuaja.  Mos jeton për çka  do dhe si do, pa vlera dhe pa virtyte,  por me përgjegjësi dhe në liri, nëse doni që jeta juaj të ketë shije, kuptim, domethënie, zbatim të nevojave  dhe idealeve tuaja të larta.

Rinia që kënaqet me pak, që nuk ka ide, ideale, synime të larta, dëshirë, vrull, vullnet për ta ndërruar vetveten, familjen, Kishën, shoqërinë, është rini e lodhur, e përgjumshme, mos të them në komë, rini vetëm me moshë, por jo edhe me mendje dhe zemër.

Prandaj, zgjohuni, merreni timonin e jetës në duar tuaja. Mos lejoni që materializmi, konsumizmi, hedonizmi, ateizmi praktik, relativizmi t’ua rrëmbejnë rininë, me këtë pjesën më të bukur të jetës, gëzimin, harenë, lumturinë.

Ne si Kishë, nuk duam asgjë tjetër, përpos t’iu shohim të gëzueshëm, të gjallë, krijues, të lumtur, dhe si “Nënë dhe Mësuese” t’iu ndihmojmë në realizimin e nevojave, kërkesave, dëshirave më të thella të zemrës suaj.

Mos harroni, thotë Papa Françesku se “jeta është mision”. Misioni juaj është që të jeni drita e botës dhe kripa e botës, thotë Jezusi, si elemente dallues dhe frymëzuese qysh tash, por edhe  gjatë tërë jetës. Pa dritë s’ka jetë, pa kripë çdo gjë prishet dhe s’ka shije. Nëse je si të tjerët, atëherë je i formuar prej botëkuptimit dhe mentalitetit të sotshëm, të them në mënyrë figurative,  prej “pazarit”, si bir apo bijë e kësaj bote.

Ne jemi gjithsesi bijtë dhe bijat e kësaj bote, kohe, populli, kohe dhe hapësire.  Por jo vetëm kaq. Ne, po ashtu, jemi bijtë dhe bijat e Zotit, vëllezër dhe  motra të Krishtit, anëtarë të Kishës, dhe si të tillë duhet të jemi të dalluar dhe shembullor në gjithçka, për ta dëshmuar fuqinë e fesë së krishterë dhe frymëzimin e dashurisë, siç bëri gjithnjë Shën Nëna jonë Tereze.

Porosia e dytë e Papës Françeskut është kjo: “Me ju do ta çojmë Ungjillin të gjithëve”. E si mund ta çojmë të tjerëve Ungjillin, nëse vetë nuk e jetojmë dhe dëshmojmë? Prandaj, kemi përgjegjësi personale,  por edhe për të tjerët,  përgjegjësi kjo  tejet e madhe dhe historike, që krishterimi ynë lashtësor, apostolik, martir, prej Shën Palit deri te Shën Nëna Tereze, të ringjallet, përtërihet, përforcohet dhe përhapet nëpërmjet jetës dhe dëshmisë tuaj të përditshme.

Porosia e tretë e Papës Françeskut është: “Mos kini frikë nga Krishti dhe Kisha e tij. Në ta gjeni thesarin që e plotëson jetën tuaj me gëzim”. Krishti dhe Kisha e Tij, kërkojnë shumë, por japin edhe më shumë, të gjitha, vetveten, dhe kështu na japin thesarin më të madh të jetës, Dashurinë, që është gjithmonë burimi i jetës, gëzimit dhe lumturisë.

Sinod i Ipeshkvijve, që po mbahet gjatë këtij muaji në Romë, ku merr pjesë edhe ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, prej rinisë katolike pret shumë; guxim, kërkim, krijimtari, bindje, përcaktim, orientim, jetë dhe dëshmi të krishterë, sidomos në rrethe të përziera fetarisht dhe etnikisht, siç jemi ne.

Para jush, me ju dhe për ju, rini e dashur, është Krishti, Rruga, e Vërteta dhe Jeta, Kisha katolike, bashkësia e krishterë,  Ipeshkvia Prizren – Prishtinë, ne meshtarët tuaj, që t’iu shërbejmë, udhëzojmë, ndihmojmë në kërkesat tuaja burimore. Prandaj, na ndihmoni që t’iu ndihmojmë. Ji vetvetja, pranoje dhe ndihmoje edhe tjetrin, që të jetë vetvetja, sepse Zotit nuk i pëlqejnë imitimet, kopjet, por origjinaliteti dhe kreativiteti. Fillimi dhe burimi i  gjithë kësaj është frymëzimi – dashuria.

Mos e harroni këtë parim: nëse do ta ndërrosh familjen, shoqërinë, Kishën, botën, atëherë ndërroje vetveten. Ndërrimi ynë ka një emër: Jezu Krishti; një adresë: Kisha Katolike; një fushëveprim: dëshmia  e përditshme në jetën e krishterë.

Fillim të mbarë dhe të bekuar të vitit akademik 2018 – 2019. E paçi bekimin e Zotit, ndërmjetësinë e Zojës Rruzare, të Shën Nënës Tereze dhe të Martirëve tanë! Amen.

 

(Homelia e plotë e Mons. Lush Gjergjit, Vikar i Përgjithshëm i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në meshën e fillimvitit akademik 2018/2019, e organizuar nga Pastorali Studentor. Katedralaja Shën Nënë Tereza në Prishtinë, më 23 tetor 2018)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »