Çfarë dëshiron të bëj për ty Jezusi?

Oct 27 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXX gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë Jer 31, 7-9

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj t’ju kumtoj zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, tepricat e Izraelit!’ Ja, unë po i kthej nga toka e veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që do lindë: bashkësi e madhe që këtu po kthehet! Do të vijnë duke vajtuar prej mallit, do t’i kthej duke u lutur, do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua, sepse jam babai i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi 126

Ref: Punë të mëdha bëri Zoti për ne

————————————-

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

————————————

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

———————————–

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

———————————–

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

———————————-

 

Leximi i dytë Heb 5, 1-6

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve, dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni. Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda”- sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: “Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.” Fjala e Zotit.

 

Aleluaj!

Jezu Krishti, shëlbuesi ynë i dha pushtetit të vdekjes, e, me anë të ungjillit e zbuloi jetën e pasosur.

Aleluja!

 

Ungjilli Mk 10, 46-53

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbrit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.

Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Që të shoh!” – përgjigj i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.  Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Rizbulimi i vlerës së pagëzimit është bazë për impenjimin misionar të çdo të krishteri’: këto fjalë nxitëse u drejton Kisha gjithë të krishterëve gjatë kësaj së diele të 30-të gjatë vitit liturgjik.. Duke iu referuar Ungjillit, të kësaj së diele, kushtuar shërimit të të verbrit të Jerihonit, vërejmë se Zemra e Krishtit preket thellë nga vuajtja e njerëzve. Në ngjarjen që tregon shërimin e Bartimeut të verbër, çasti vendimtar është pikërisht ai i takimit personal, të drejtpërdrejtë të Zotit me këtë njeri që vuante.

Ndodhen njëri përballë tjetrit: Zoti Jezus me dëshirën për ta shëruar dhe njeriu me dëshirën për t’u shëruar. Dy liri, dy vullnete që përkojnë: “Ç’dëshiron të bëj për ty?” – e pyet Krishti. “Të më kthehet drita e syve” – përgjigjet i verbëri. “Shko, feja jote të ka shpëtuar”. Me këto fjalë bëhet mrekullia. Gëzimi i Zotit dhe gëzimi i njeriut!

I dalë përsëri në dritë, Bartimeu bëhet nxënës i Krishtit e ngjitet së bashku me Mësuesin në Jerusalem për të marrë pjesë në misterin e madh të shëlbimit. Ky rrëfim na kujton rrugën e katekumenit drejt sakramentit të Pagëzimit, që në Kishën e lashtë quhej “Ndriçim”. Feja është shtegtim ndriçimi: niset nga përvujtëria e njeriut që e pranon se ka nevojë për shëlbim dhe arrin në takimin personal me Krishtin, që e thërret ta ndjekë në rrugën e dashurisë.

Po kujtojmë se ndër viset që u ungjillëzuan në lashtësi, ku Sakramenti i Pagëzimit merret menjëherë pas lindjes, fëmijëve, të rinjve e të rriturve u propozohen takime katekizmi e përshpirtërie, që u krijojnë kushtet të ecin në rrugën e rizbulimit të fesë me pjekuri e vetëdije, për të pranuar, pastaj, impenjimin koherent të dëshmisë.

Kisha, pra, na drejton nxitjen e fuqishme për të rizbuluar vlerën e Pagëzimit tonë, si bazë të impenjimit misionar të çdo të krishteri, sepse në Ungjill shikojmë se kush e lë veten të mahnitet prej Jezu Krishtit, nuk mund të mos e dëshmojë gëzimin që buron nga ecja në gjurmët e Zotit. Në këtë muaj të tetorit, që i kushtohet posaçërisht misionit, e kuptojmë edhe më mirë se pikërisht përmes forcës së Pagëzimit, në shpirtin tonë buron thirrja e natyrshme për të qenë misionar. (RV)

 

Lutja e besimtarëve

M. Sikurse i verbëri nga Jerihoni, edhe ne sot e ngrisim zërin e fesë te Jezusi për të kërkuar prej tij mëshirën dhe faljen. Sot ne bëhemi zë për shumë persona që nuk munden apo nuk duan ta thërrasin Zotin, për të kërkuar për ta dhuratën e fesë: Të lutemi së bashku e të themi:

 

Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!

 

L. Për Kishën e shenjtë, që të hap dyert të gjithëve njerëzve që të takohen me Jezusin, Shpëtimtarin e Botës, për ta pranuar dhuratën e fesë, të lutemi.

L. Për të sëmurët, që të mos jetojnë në vetmi dhe në trishtim, por të gjejnë te Jezui ngushëllimin dhe dritën për ta gjetur kuptimin e jetës së tyre dhe shpresën për ringjallje, të lutemi.

L. Për të gjithë besimtarët: që ta gjejnë kuptimin e thellë të lirisë dhe të shëlbimit të dhuruar prej Jezusit dhe të jenë dëshmitarë të njëmend të fesë, të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë famullitare, e cila e ka firuar hirin e fesë dhe udhëton duke shkuar pas Jezusit Zot, që të rritet në aftësinë për ta kuptuar bukurinë e dhuratës së pranuar dhe ta adhuron atë në jetën e përditshme, të lutemi.

M. O Atë, na ndihmo ta gjejmë Jezusin, kuptimin festiv të jetës, sepse shkuarja pas Tij, është udha e vetme që na jep gëzimin e thellë dhe dritën e vërtetë jetës sonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »