Tipologji të krizave psikologjike dhe shpirtërore

Oct 27 • Opinion

Nga Don Anton Uka

 

Secili njeri, pa marrë parasysh gjendjen e tij shoqërore, ka ideale, dëshira dhe ëndërrime për jetën dhe të ardhmen e vet. Në këto ideale, dëshira dhe ëndërrime, në njëfarë mënyre e investon dhe mbështet jetën e vet. Me kalimin e viteve, këto ideale, edhe pse të mira, të drejta dhe të shenjta, detyrimisht ballafaqohen me sfida, probleme dhe vështirësi të ndryshme. Në momentin që ideali ballafaqohet me vështirësi, njeriu ndjen luhatje, ndjen se ajo që deri dje dukej e fortë dhe e qëndrueshme rrezikon të shembet, të prishet, të shkatërrohet.

Për ta kuptuar më mirë domethënien e kësaj që po them, po marr një shembull nga jeta e përditshme. Të mendojmë jetën e dy të rinjve: të një djali dhe një vajze. Janë takuar, janë njohur, janë dashuruar, kanë vendosur të martohen së bashku, janë martuar duke i premtuar njëri-tjetrit dashuri, besnikëri, respekt dhe kujdes deri në vdekje, kanë krijuar familje. Pas dhjetë viteve martesë, dashuria, besnikëria, respekti dhe kujdesi për njëri-tjetrin fillojnë të zbehen, fillojnë të mos e ndjejnë me të njëjtin intensitet dashurinë për njëri-tjetrin. Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me luhatje të themeleve, pra kemi të bëjmë me krizën. Idealet dhe dëshirat që më parë e mbanin gjallë dhe të qëndrueshme dashurinë e tyre, tani fillojnë të luhaten. Kjo situatë luhatjeje quhet periudhë krize.

Të gjithë njerëzit, herët a vonë, do të ballafaqohen me kriza të ndryshme të fushës shpirtërore dhe psikologjike, të cilat e kanë fuqinë e brendshme t’i lëkundin themelet, pra idealet e dashurisë, të besimit, të vetëbesimit dhe të tërë asaj që ne e quajmë jetë, por jo t’i shkatërrojnë ato, nëse ne besojmë dhe bashkëpunojmë me vetveten, me Zotin dhe me të tjerët për kuptimin, ballafaqimin dhe tejkalimin e tyre. Sidoqoftë, kriza e cilitdo lloj që të jetë, shkakton brenda njeriut konfuzion, panik, mosbesim dhe frikë.

Tani duke iu referuar një studimi të psikologut të njohur italian Atë Amedeo Cencini-t do t’i shqyrtojë dhjetë tipologji apo kategori të personave në krizë:

 

1. Kategoria e atyre personave që nuk bien kurrë në krizë. Sipas këtij psikologu, numri më i madh i personave i përkasin kësaj kategorie. Zakonisht kur flitet për krizë, mendimi shkon menjëherë te ata persona që jetojnë në një gjendje të veçantë shqetësimi. Ky shqetësim, në personat me probleme psikike mund të shkaktohet nga dyshimet e vokacionit apo thirrjes, që ato kanë zgjedhur apo kur janë para zgjedhjes vendimtare për jetën, nga problemet që kanë të bëjnë me besnikërinë ndaj zgjedhjes së jetës që kanë bërë, nga problemet në familje apo në bashkësi për arsye të karakterit të tyre.

Personat që nuk bien apo nuk përjetojnë kurrë krizë, zakonisht paraqiten si të lumtur me vetveten dhe me atë që bëjnë. Edhe pse ndoshta jetojnë në gjendje mëkati, padrejtësie dhe jo në përputhshmëri me thirrjen apo profesionin që kanë, përsëri vazhdojnë sikur çdo gjë të ishte në rregull. Prandaj, kjo kategori e njerëzve jeton një jetë mediokre ndaj Zotit, ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Ata, zakonisht, e kanë shumë vështirë t’u dëshmojnë të tjerëve gëzimin dhe lumturinë, pikërisht për faktin se nuk e përjetojnë një gjë të tillë në jetën e tyre. Kjo nuk domethënë se bëjnë shkelje të rënda, apo ndoshta jetojnë njëfarë pa-besnikërie ndaj premtimeve që kanë dhënë, por po të hynim në brendinë e tyre, do të zbulonim dëshira, pasione dhe qëllime jo të mira dhe jo në përputhshmëri me thirrjen dhe gjendjen e tyre aktuale. Këta persona, sipas Cencinit, nuk ndjejnë pothuajse kurrë ndjenjën e fajit, mendojnë se mendimet, fjalët dhe veprat e tyre janë gjithmonë të drejta dhe vështirë të arrijnë të kuptojnë se duke jetuar në një mënyrë të tillë, jo vetëm që janë vetë në krizë, por bëjnë të bien në krizë edhe të tjerët që jetojnë me ta.

 

2. Kategoria e personave gjithmonë në krizë. Kjo kategori e njerëzve, ndryshe nga e para, jeton në krizë të qëndrueshme, nuk di të dalë nga kriza dhe e bën të përhershme jo formimin, por krizën e tyre. Personat që jetojnë në gjendje të tillë, në fakt, nuk gjenden në një krizë të vërtetë, sepse kriza e vërtetë, nga pikëpamja psikologjike ka një kohë të caktuar apo të limituar dhe kërkon apo shpie drejtë një vendimi.

Arsyet pse këta persona janë gjithmonë në krizë, janë të ndryshme. Sipas Amedeo Cencinit, ekzistojnë njerëz që e shpikin krizën dhe në fakt e pësojnë atë nga jeta e të tjerëve, nga njerëzit, të cilëve u pëlqen të qëndrojnë në situata kritike.

Në rastin e parë, të atyre që e shpikin krizën, kemi të bëjmë me persona skrupulozë, të përqendruar mbi vetveten. Zakonisht, personat e tillë nuk janë kurrë të kënaqur me vetveten, por të dëshpëruar.

Në rastin e dytë, të atyre që janë në krizë, për arsye se nuk duan të vendosin. Kemi të bëjmë me persona që e shohin kontrastin brenda vetes, por pasi që ndjejnë se u kërkohet shumë sakrificë për të ndryshuar dhe për t’i braktisur veset e këqija, vendosin për të mos vendosur, për të mos u kthyer, për të mos ndërruar rrugë. Kështu – thekson Cencini – kriza bëhet kronike.

 

3. Kategoria e personave në krizë të ngrirë apo të izoluar. Ekzistojnë njerëz që nuk njohin asnjë lloj krize, për vetë faktin se e injorojnë atë. Nganjëherë, mungesa e formimit të mirë në sferën afektive dhe seksuale të njeriut, bën që personi me zbulimin e këtyre problemeve brenda vetes, në vend që të ballafaqohet me to, është i prirë apo vendos që ato t’i ndrydhë, t’i ngrijë apo t’i izolojë. Shembulli konkret është i atyre që ndjejnë dhe përjetojnë paqëndrueshmëri afektive dhe seksuale dhe në vend që të merren me kuptimin dhe zgjedhjen e tyre, i ndrydhin, i fshehin dhe i izolojnë. Ta fshehësh apo ta izolosh një krizë, nuk domethënë zgjedhje, por vetëm shtyrje dhe thellim i saj.

 

4. Kategoria e personave në krizë të fundit. Shembulli më i mirë për ta kuptuar këtë krizë është ai i Virgjërave marroqe të Ungjillit. Vetëdijesimi apo dalja e gjumit në çastin e fundit, shumë lehtë e shpie njeriun drejt një krize psikologjike dhe shpirtërore. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të merret seriozisht ftesa e Jezusit: “Rrini zgjuar”, që momenti i takimit me të Vërtetën të mos na gjejë të papërgatitur (krh. Mt 25, 1-13).

 

5. Kategoria e personave në krizë fatale. Në këtë kategori bëjnë pjesë ata persona që nuk dinë ta kuptojnë krizën në të cilën jetojnë dhe t’i japin asaj një domethënie, por të vetmen zgjidhje e shohin në braktisjen e asaj që janë, për të qenë apo për t’u shndërruar në diçka tjetër. Kjo krizë shkatërron tërë atë që është ndërtuar deri më tani, me shpresën e rrejshme që të ndërtohet diçka më e mirë dhe më e qëndrueshme. Shembulli konkret është i atyre, që për arsye jo edhe aq të mëdha, vendosin të ndahen nga kurora, ta braktisin meshtarinë apo jetën rregulltare, ta lënë punën apo profesionin, duke shpresuar në një zgjidhje më të mirë, më të lehtë dhe më të lumtur. Quhet fatale, pikërisht, për faktin se shkatërron gjithçka që është ndërtuar dhe krijuar me parë, si dhe pritshmëria se zgjedhja e re do të krijojë harmoni dhe lumturi, në të shumtën e rasteve, rezulton si jo e vërtetë dhe iluzion dëshpërues. Për këto raste krizash, do të këshilloja atë që këshillonte Shën Injaci i Lojolës: “Mos merr kurrë vendime përfundimtare në momente krize”.

 

6. Kategoria e personave në krizë të kotë. Kjo kategori u përket atyre, që nuk mësojnë asgjë nga kriza që jetojnë dhe e relativizojnë atë deri në atë pikë, saqë e konsiderojnë të kotë. Personat që janë në këtë krizë kalojnë nga një varësi afektive, në tjetrën. Kudo shkojnë, lënë shenja negative, sepse dashurohen me dikë, jetojnë në lidhje të dyshimta, janë gjithmonë në kërkim të lidhjeve të reja, me qëllim që të ndjehen më pak të vetmuar. Këto lidhje shndërrohen në varësi me pasoja tragjike të ankthit, të frikës për ta humbur personin e dashuruar, të xhelozive të ndryshme, të nevojës së tepruar për intimitet, të vuajtjes së madhe që lëndon njërën dhe tjetrën anë. Për këtë kategori të njerëzve nuk vlen thënia e njohur “Përvoja mëson”, sepse, sipas Cencinit, përvoja mëson vetëm nëse personi është i lirë dhe lejon të mësojë vetë nga përvoja.

 

7. Kategoria e personave në krizë të dislokuar. Edhe në këtë rast, ashtu siç kemi parë edhe më parë, personi ndjen një krizë të brendshme, por nuk është i aftë të njohë dhe të kuptojë prejardhjen e asaj krize. Pikërisht, për këtë arsye, preferon ta lëvizë atë, duke i fajësuar strukturat e jashtme për krizën e tij të brendshme.

 

8. Kategoria e personave në krizë jo të integruar. Kemi të bëjmë me krizë jo të integruar, kur ajo është e pësuar nga personi në mënyrë pasive apo e zgjidhur në mënyrë të përshpejtuar, pa e kuptuar mirë thellësinë e saj, në mënyrë që të jetë e dobishme për formimin e vetë personit. Sa herë që kriza nuk jetohet në thellësi, sa herë që nuk kuptohet domethënia e thellë e saj, sa herë që personi ka frikë për t’i dhënë hapësirë kuptimit dhe shpjegimit të saj, kemi të bëjmë me krizë jo të integruar. Prandaj, nuk duhet pasur frikë nga krizat e ndryshme që mund të paraqiten, por kërkohet që ato të pranohen dhe të integrohen në realitetin e tërësishëm të jetës.

 

9. Kategoria e personave në krizë të papritur. Amedeo Cencini, qysh në fillim, thekson se nuk ekziston kriza e papritur, por ama nuk përjashtohet se mund të ndodhë pikërisht atëherë kur duket se gjithçka po shkon mirë, të paraqitet një krizë e paparashikuar, e cila do të shqetësojë atë jetë njeriu që deri në atë moment dukej se ishte i qetë dhe jetonte pa probleme të theksuara.

 

10. Kategoria e personave në krizë të dobishme. Siç e kemi theksuar disa herë, ka disa njerëz që e kanë guximin t’i pranojnë krizat si diçka të natyrshme dhe të përfitojnë nga to vetëdijesim, përmirësim, rritje dhe pjekuri njerëzore, shpirtërore dhe mendore. Kjo quhet dhe është krizë e dobishme, për faktin se mësojmë, rritemi dhe formohemi nga to.

 

Në këto situata të krizave shpirtërore dhe psikologjike, nëpër të cilat në mënyrë të domosdoshme kalon njeriu, jemi të thirrur të ngushëllohemi edhe nga siguria se, Zoti është gjithmonë me ne dhe nuk na braktisë kurrë në ditët dhe netët e errëta të jetës sonë: Hyji është Shëlbuesi im dhe fuqia ime, kam besim e nuk kam frikë (krh. Is 12, 2). Kështu që meditimin dhe kundrimin e Shkrimit të shenjtë e këshilloj si njërën ndër terapitë më të efektshme të lirimit dhe të shërimit nga krizat dhe mëkatet tona./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »