Etërit Sinodal të rinjve të botës: “Jini e tashmja, jini edhe ardhmja më e ndritur”

Oct 29 • Bota e të rinjve, Kisha në botë

Në mbarimin e Asamblesë XV të rregulltë të Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve, e cila është mbajtur në Vatikan, nga 3-28 tetor 2018, etërit sinodal ju kanë drejtuar një letër të rinjve të botës, e cila shpreh më së miri atmosferën që ka mbizotëruar në këtë ngjarje gjithëkishtare, të prirë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Letrën po e japim të plotë, pasi ajo në thjeshtësinë e saj kuptohet nga të gjithë dhe bëhet mesazh për secilin të rinj të botës, për t’u angazhuar të jenë e tashmja dhe e ardhmja më e ndritur për njerëzimin.  

 

Letra e Etërve Sinodal drejtuar të rinjve

“Juve, të rinjve të botës, ju drejtohemi ne etërit sinodal, me një fjalë shprese, besimi e ngushëllimi. Këtyre ditëve jemi mbledhur për të dëgjuar zërin e Jezusit, ‘Krishtit, të ri në amshim’ e për të njohur në Të zërat tuaj të shumtë, britmat e ngazëllimit, vajtimet, heshtjet.

I njohim shqyrtimet e kërkimet tuaja shpirtërore, gëzimet dhe shpresat, dhimbjet dhe ankthet, që ju shqetësojnë. Dëshirojmë që tani, të dëgjoni një fjalë prej nesh: duam të jemi bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj, që aspiratat t’ju shndërrohen në ideale. Jemi të sigurt se do të jeni gati të impenjoheni, me dëshirën tuaj për të jetuar, që ëndrrat t’ju realizohen gjatë jetës dhe historisë suaj njerëzore.

Dobësitë tona të mos ju shkurajojnë, brishtësitë dhe mëkatet të mos bëhen pengesë për besimin tuaj. Kisha është nënë, nuk ju braktis, është gati t’ju shoqërojë në udhë të reja, në shtigje lartësirash, ku puhia e Shpirtit Shenjt fryn më e fortë, duke fshirë mjegullën e indiferencës, të cektësisë, të shkurajimit.

Kur bota, që Zoti e deshi aq shumë sa i dhuroi Birin e vet, Jezusin, kapet pas gjërave, pas suksesit të menjëhershëm, pas kënaqësisë së përkohshme e i shtyp më të ligshtit, ju ndihmojeni të ringrihet e ta kthejë vështrimin kah dashuria, bukuria, e vërteta, drejtësia.

Për një muaj ecëm së bashku me disa prej jush e me të tjerë, të lidhur me ne nëpërmjet lutjes e dashurisë. Dëshirojmë ta vazhdojmë tani rrugën në çdo anë të tokës, ku Zoti ynë Jezu Krishti na dërgon si dishepuj misionarë.

Kisha dhe bota kanë nevojë urgjente për entuziazmin tuaj. Bëhuni shokë udhe me më të ligshtit, më të varfrit, më të plagosurit nga jeta.

Jini e tashmja, bëhuni edhe ardhmja më e ndritur.”

Lëshuar në Romë, më 28 tetor 2018.

 

Linku i mesazhit të etërve sinodal dërguar të rinjve, i punuar nga Vatican News

Shpërndaje

Comments are closed.

« »