Imzot Dodë Gjergji në Sinodin e Ipeshkvijve: Kisha është gjithnjë e re, ajo nuk plaket kurrë!

Oct 29 • Kisha në Kosovë

Dje ka përfunduar punimet Asambleja e XV e Sinodit të Rregullt të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve (3-28 tetor 2018), me temën “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”, në të cilën ka marrë pjesë edhe ipeshkvi i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, si përfaqësues i Konferencës Internacionale Shën Çirili e Metodi, e cila përfshin ipeshkvijtë katolikë të Ballkanit Perëndimor (Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Kosova).

 

Përveç aktivitetit të posaçëm në komisione dhe grupe të vogla dhe të mëdha, Imzot Dodë Gjergji ka pasur dy intervenime në asamblenë plenare, ku ishte i pranishëm edhe Papa Françesku. Intervenimi i parë ka qenë në fillim të Sinodit, me të cilën ipeshkvi ka paraqitur vijat e përgjithshme të gjendjes së të rinjve katolikë në Rajon dhe një vizion që duhet ndjekur për të vazhduar angazhimin e Kishës në riungjillizimin dhe dëshminë e krishterë në një shoqëri multietnike dhe multireligjioze. (këtu mund t’i gjeni pjesët e intervenimit të parë të ipeshkvit në sinod: A) http://www.drita.info/2018/10/18/imzot-dode-gjergji-po-merre-pjese-ne-sinodin-e-ipeshkvijve-ne-vatikan/; B) http://www.drita.info/2018/10/19/imzot-dode-gjergji-ne-sinodin-e-ipeshkvijve-1-e-ardhmja-eshte-ne-duart-e-te-rinjve/; C) http://www.drita.info/2018/10/19/imzot-dode-gjergji-ne-sinodin-e-ipeshkvijve-2-te-rinjte-katolike-te-ballkanit-perendimor-si-bashkesi-te-vogla-vitale-te-kishes-dhe-shoqerise/; D) http://www.drita.info/2018/10/22/imzot-dode-gjergji-ne-sinodin-e-ipeshkvijve-3-te-rinjte-jane-te-ftuar-te-sherojne-plaget-e-te-kaluares-me-falje-dhe-pajtim/;

Në intervenimin e dytë, të a.q. i lirë, në javën e parafundit të Sinodit, ipeshkvi ka përçuar mesazhin e shpresës që të rinjtë dhe Kisha e ka në natyrën e vet. Prandaj, veprimtaria jonë baritore – nënvizoi ipeshkvi – duhet të ketë gjithnjë parasysh se udhëheqësi kryesor është Shpirti i Rrëshajëve, i gjallë dhe freskues, nuk plaket kurrë dhe gjithnjë ia rikthen bukurinë kishës së vet.

Me sinqeritetin më të madh dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për kontributin që po jep secilit prej nesh në këtë sinod. Është vërtetë një gjë e mirë që jemi përpjekur të zbresim nga katedrat tona te realitetit i jetës së sotme të të rinjve tanë.

Kemi dëgjuar edhe ftesën e të rinjve që të gjejmë guximin të shkojmë atje ku ata e jetojnë rininë e tyre. Kemi dëgjuar barinjtë që janë të gatshëm t’i dëgjojnë hallet dhe ëndrrat e të rinjve. Të gjithë jemi përpjekur të shprehim dashurinë tonë për gjeneratat e reja dhe kemi shprehë gatishmërinë mes gjeneratave. Kemi dëgjuar dëshmitë rrëqethëse të të rinjve të kishave që vuajnë, në Irak dhe në vendet e tjera të botës. Kemi dëgjuar britmën e të rinjve të botës perëndimore, që na treguan varret e të rinjve sot. Kemi dhënë propozime.

Mendoj që ne barinjtë duhet të ndihemi të gjithë më të rinj se ditën kur kemi filluar sinodin. Uroj që edhe dokumenti final të përçoj brenda kishës, në katër anët e botës, një entuziazëm të shpirtit rinor.

Por një gjë duhet t’iu themi të gjithëve: Ne, si kishë, jemi njëkohësisht pleq, të moshuar e të rinj. Porse Kisha as s’është e re e as s’plaket kurrë. Ajo thjeshtë jeton në të tanishmen. Ajo është gjithnjë e shenjtë  e gjallë, vitale dhe e mëshirshme, ashtu si i Ringjalluri. Jo pse themeluesi i saj nuk i ka vu ‘datën e skadencës’, porse e udhëheq dhe e drejton Shpirti Shenjt, që s’plaket kurrë dhe gjithnjë bie ajër të freskët brenda saj.

Prandaj, nëse do të duhej të kemi frikën, do të duhej të kemi për vetën tonë. Ju të rinjtë do plakeni një ditë e ne pleqtë s’do të jemi më.

Sa për kishën, duhet të jemi të sigurt që dhëndri i saj – Krishti – me zjarrin e dashurisë së Shpirtit të Rrëshajëve, do të gjejë rrugët e veta për të mbajtur të gjallë e të bukur nusen e vet.

Mos të harrojmë se kur Pjetri i parë s’arrinte të kuptonte vullnetin e Mësuesit, që ja kishte dhanë Primatin, dhe mendonte si plak i kohës vet, Krishti e gjente Palin, për ta çuar mesazhin e tij te paganët e atëhershëm. Sot, kur Pjetri i ditëve tona mendon me ne si të zbulojmë vullnetin e Mësuesit tonë të përhershëm dhe kur Shpirti i Shën Palit na është bashkuar në zemrën e këtyre të rinjve, nusja e Krishtit-Kisha, do të jetë shumë më e bukur se ne e mendojmë. Vetëm se duhet të kemi fe dhe të qëndrojmë të palëkundur në te”, ishin fjalët e ipeshkvit tonë Imzot Dodë Gjergji, i cili qe duartrokitur nga të gjithë në asamble./drita.info.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »